PDK: Arsimi ferizajas, i politizuar 




Drejtuesi i departamentit për arsim në PDK-në e Ferizajt, Agim Berisha, ka kritikuar pushtetin lokal për mbajtjen e ushtruesve të detyrës në shumë shkolla. Berisha, ish-drejtor i arsimit në qeverisjen e PDK-së, ka thënë se qeverisja e kryetarit Muharrem Svarqa ka punësuar familjarë e militantë.

 

«Nuk u është vazhduar mandati drejtorëve të dëshmuar dhe të suksesshëm, atyre që kanë sjellë rregull dhe rend në shkolla dhe janë shquar për bashkëpunim me komunitetin. Kjo ka ngjarë pikërisht në ato shkolla që kanë qenë në nivel të mirë», ka thënë Berisha, shkruan sot Koha Ditore.

Më tej, Berisha ka kritikuar edhe ndërrimet e drejtorëve.

«Në mesin e atyre që ka emëruar ushtrues detyre ka të atillë që janë dëshmuar për dështime në udhëheqje, që kanë braktisur arsimin në kohët më të rënda para më shumë se 20 vjetësh, atyre që u kanë kthyer shpinën shkollës dhe nxënësve. Nuk ka përfillur ligjin mbi arsimin parauniveristar dhe s’do mend se ka bërë shkelje të ligjit», ka thënë Berisha. Ai e ka cilësuar të politizuar arsimin ferizajas.