PDAK-ja Në Ferizaj prish koalicionin qeverisës me LDK-në

Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës, Dega në Ferizaj, është larguar edhe zyrtarisht nga koalicioni qeverisës në këtë komunë, të martën.




Drejtuesi dhe këshilltari i këtij subjekti, Qazim Rrahmani, ka thënë se marrëveshja e koalicionit me LDK-në po prishet, pasi që, sipas tij, është shpërfillur marrëveshja e nënshkruar për bashkëqeverisje më datën 19 dhjetor 2013, shkruan sot «Koha Ditore».

«E kemi lidhur atëkohë koalicionin me LDK-në dhe prej dy vjetësh asnjë pikë e marrëveshjes deri tashti nuk është plotësuar nga LDK-ja në Ferizaj dhe jemi të obliguar që pas kësaj kohe ta shkëpusim këtë marrëveshje me arsyetimin se nuk është përfillur marrëveshja politike e bërë. Asnjë projekt për komunitetet pakicë për vitet 2014, 2015 e 2016 nuk është futur në projektet kapitale për komunitetet dhe kjo i bie se ka një injorim total ndaj pakicës në Ferizaj, gjë që edhe na ka shtyrë deri te prishja e koalicionit», ka thënë Rrahmani.

Për më tepër, kreu i PDAK-së në Ferizaj ka shtuar se ka tentuar disa herë të negocionte për zbatim të marrëveshjes, por pa sukses.

«Jo një herë, por 20 herë jemi ulur me kryetarin aktual të Komunës dhe për këtë çështje ka pasur premtime të vazhdueshme, dy ose tri herë ka pasur edhe rend dite për pakicat, por LDK-ja nuk e ka votuar në Kuvend. Në të ardhmen kanë për të reflektuar numrat në mungesë për pozitën, sepse shpeshherë kemi qenë faktorë për kalimin e shumë pikave dhe mendoj se kanë për t’u krijuar telashe me numrat, duke pasur parasysh se shumë herë edhe mungojnë këshilltarët e pozitës», ka thënë ai.

Por kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarça, që njëherësh është edhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë komunë, ka thënë se ai respekton vendimin e PDAK-së për dalje nga koalicioni me gjithë përpjekjet e këtij ekzekutivi për zhvillime demokratike dhe një jetë më të mirë për pakicat. PDAK-ja dy vjet rresht kishte kërkuar postin e nënkryetarit në Ferizaj, por kjo është refuzuar nga Svarça me arsyetimin se nuk e plotësonte kuotën e popullsisë.

«Do të shikojmë të gjitha mundësitë që komuniteti pakicë të jetë i përfshirë në struktura të tjera të pushtetit edhe në qoftë se nuk është i përfshirë në përbërjen e nënkryetarit. Ai nuk e ka plotësuar kuotën sipas numrit të popullsisë për këtë post. Por pavarësisht a është në pozitë apo në opozitë, këshilltari duhet dhe ka obligim që të votojë vendimet në interes të qytetarëve dhe për komunitetin e tij, sepse ndryshe nuk e përmbush funksionin e tij për çka është zgjedhur», ka thënë Svarqa.