PD shton dy lobistë të rinj në Uashington; 270 mijë USD në tre muaj

Partia Demokratike i ka çuar në 3 kompanitë e saj të lobimit në Uashington, ndaj të cilave pritet të paguajë 270 mijë USD gjatë tre muajve të ardhshëm, në përpjekje për të ndikuar në politikat e administratës Trump ndaj Shqipërisë.

Lulzim Basha | Foto nga : LSA



Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha ka angazhuar edhe 2 kompani lobimi në Uashington, «Barnes and Thornburg LLP» dhe «Barons Public Affairs LLC», ndërkohë që partitë politike në mesin e nje krize politike në Tiranë rivalizojnë njëra tjetrën në sprovë për të ndikuar administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

«Barnes and Thornburg LLP» ka nënshkruar me 10 prill një kontratë me Bashën me vlerë 150,000 USD me kohëzgjatje tre muaj, e cila ka për qëllim «të asistojë PD-në në lobim, marrëdhënie ndërqeveritare dhe të inkurajojë SHBA-në që të mbështesë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri» thuhet në kontratën e lidhur midis palëve, të dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.

Firma amerikane ka premtuar se do të ngrejë një grup politikash të dedikuara për PD-në, të udhëhequra nga juristi Craig Burkhardt, i cili do ta ndihmojë Partinë Demokratike të ndërtojë marrëdhënie të ngushta me anëtarë të degës ekzekutive dhe legjistlative të qeverisë së SHBA-së.

Grupi i politikave gjithashtu do të ndihmojë në krijimin e një marrëdhënieje pozitive midis PD-së dhe disa zyrtarëve amerikanë, si dhe do të ndihmojë në komunikimin me zyrtarë të SHBA-së duke ndërtuar strategji komunikimi.

Barnes and Thornburg LLP është një kompani e madhe lobimi nga shteti i Indianës, me zyra në 13 shtete amerikane, e themeluar në vitin 1982.  Partneri menaxhues i firmës, Robert Grand ka qenë pjesë e komitetit për inagurimin e Donald Trump si president.  Ai ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në fushatën e zëvendës Presidentit Mike Pence, i cili më parë ka shërbyer si guvernator i Indianës.

Vetëm 3 javë para kontraktimit të «Barnes and Thornburg LLP», gjatë vizitës së tij në Uashington, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha firmosi një kontratë me kompaninë e lobimit «Stonington Strategies», pjesë e «Muzin Capitol Partners» – një kompani e regjistruar në shtetin Maryland të SHBA-ve. Kontrata kap vlerën e 25,000 USD në muaj dhe do të jetë e vlefshme për tre muaj.

Sipas të dhënave të deklaruara nga «Muzin Capital Partners LLC» në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, qëllimi i kësaj kontrate është «projektimi dhe implementimi» i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve dhe figurave politike në SHBA. Gjithashtu «Muzin Capital» raporton se do ta ndihmojë Partinë Demokratike në krijimin e një lëvizjeje konservatore në Shqipëri.

Muzin Capitol Partners LLC është një kompani e themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.

Më 10 prill, «Muzin Capital LLC» ka kontratuar për Partinë Demokratike një kompani për marrëdhënit me publikun të quajtur, «Barons Public Affairs LLC» për 15,000 USD në muaj për një periudhe tre mujore.

«Baron Public Affairs LLC» pritet t’i ofrojë shërbime në fushën e medias, kur përfshihen drafte artikujsh në formë opinioni nga palë të treta, memorandume, raporte, lajme gazetash si dhe këshilla për politikën e jashtme.

«Baron Public Afairs LLC» është një firmë e themeluar nga Jonathan M. Baron, një firmë e specializuar në vlerësimin e riskut politik. Z. Baron më parë ka mbajtur pozicione të rëndësishme në senatin dhe kongresin e SHBA-ve.

(https://www.reporter.al/pd-shton-dy-lobiste-te-rinj-ne-uashington-270-mije-usd-ne-tre-muaj/)