PD: Gjermania mbetet shembull për demokracinë e mirëfilltë

Partia e Drejtësisë dhe lideri i saj, Ferid Agani, me rastin e 25 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, ka uruar Kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin Joachim Gauck dhe mbarë popullin gjerman.




«Me rastin e 25-vjetorit të hapjes së murit të famshëm të Berlinit, kemi kënaqësinë që në emër të mbarë votuesve të Partisë së Drejtësisë, të ju përcjellim urimet më të ngrohta për ju dhe popullin mik gjerman», thuhet mes tjerash në urimin e Aganit.

Populli gjerman, thotë Agani, gjithmonë ka qenë pranë popullit shqiptar, fillimisht në vitet e 90-ta, duke hapur dyert kur regjimi i Millosheviqit pati ushtruar dhunë represive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kjo përkrahje miqësore, sipas tij, vazhdoi edhe gjatë kohës së luftës së fundit, por vazhdon edhe në ditët e sotme.

«Gjermania edhe sot vazhdon të mbetet shembull për demokracinë e mirëfilltë dhe këtë e dëshmon fakti që vetëm në muajt e fundit ka hapur dyert për dhjetëra mijëra refugjatë që po largohen nga lufta dhe varfëria», thekson lideri i PD-së, Ferid Agani.

«Andaj, në këto ditë festive për popullin tuaj, ndjejmë obligim moral që të përkujtojmë momentet më të gëzuara të shembjes së murit të ndarjes dhe urojmë që mure që simbolizojnë ndarje të mos ketë në asnjë vend të botës», ka përfunduar urimi i PD-së.