Pavarsîja e Shqypnís

Fjalim i mbajtun në Vlonë në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipnisë.

Foto: Shutterstock



E àndrrueme nga vjerrshtarët, e dëshrueme vetem nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarve, qi vuejshin e dirgjeshm neper burgjet e errta e qi qajshin e rënkojshin neper shkretinat e largta, të ndjekun e të dëbuem nga Atdheu i dashún, pavarsija e Shqypnís na dukej te gjithve si nji deshirë e pa-arrtjshme, si nji dhuratë teper e çmueshme per vorfënín t’onë, si nji pêmë e ambel e e shijshme, të cilen Perendija u a kishte ndaluem Shqyptarvet të mjerë. Me gjith dëshiren e nxehtë, me gjith adhurimin e thelle qi kombi i ynë ka dëgjuem kurdoheré per lirín vehtore, robnija e gjatë è zgjedha e dredhimet e Turkís, qi per aq shum kohe kishin randuem mbi qafën e Shqyptarvet, kishin shushitun edhe, nemos shuem, idén e bashkimit e të pavarsís në zèmrat e tyne.

Por, edhe ata qi perpiqeshin e punojshin; edhe ata qi vuejshin e luftojshin nuk e shihshin t’aferme, nuk e pritshin shpejt per shpejti ditën e bardhë të pavarsís s’Atdheut. Dëshiren e tyne të flakët e niejshin e e ushqejshin në thelbin e zemravet të veta; ândrren e vet të lulzueme e mëshehshin në thellsinën e kujtimevet të veta: por nuk kishin tepër shpresë se do t’arrijshin ata vetë idealin e shènjtë, të cilit i kishin falun e kushtuem fuqín e mendes, qetsin e trupit, gjàn e jeten e vet!

Kështù punojshin e perpiqeshin atdhetarët t’anë: mundimet e të vishtirat, qi pësojshin, í hiqshin e i vuejshin per bijt e nipat e vet! e me gjakun e vlefshem, qi derdhshin pa pushim e pa kursim, e dijshíu mirë, se nuk do të vaditshin e nuk do t’ ushqejshin nji lule, me eren e së cilës do të kënaqeshin e do të dëfrejshin.

Por, në jeten e kombevet, si edhe në jeten e njerzvet ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, qi trazojn rrjedhen e punvet e shkaktojn disa ngjarje, qi as nuk i pritshim, as nuk i shpresojshim. Ashtù na ngjau edhe neve motin qi shkoi, mot i mbushun me mjerime e me pësime, por qi, në mes të trazimevet e të ligavet të panjohtuna, na solli edhe nji send të pashpresuem e të paçmueshem, d. m. th. lirín, bashkimin e pavarsín e Atdheut!

E mësŷme e e rrahun në gjitha anët, e mujtun e e shtypun. në gjitha luftat, Turkija po hiqte frymen e fundit n’Europë. Shqypnija, qi po n’atë ditë, kishte dalë nga nji kryengritje e rrebtë e e pergjakshme, ndodhej e lodhun e e papregatitun e gjindej nè rrezik të madh. Viset e saja u shkelen, të thuesh, të gjitha nga të huejët, e bijt e saj, të mahnitun nga rrëfeja e zjarrtë, qi shkrepi e u shpraz mbi koken e tyne, nuk dijshin se kahë t’i a mbajshin. Por Perendija nuk e kish thânë qi të shuhej faret plangu jetik i Burrit e i Skanderheut; qi të zhdukej nga faqja e botës kombi Shqyptár i vjeter. E atëherë kur anmiqët t’anë na kishin dënuem per dekë, e po pregatiteshin t’a dajshin copa copa Atdhethin t’onë të shtrêjtë, ata, qi ushqejshin nder zêmrat e veta idealin e pavarsis, rroken flamurin e kuq e të zí në dorë, e pa këqyrun të këqija e rreziqe, u mblodhen këtû në Vlonë, kû Delegatët e ardhun prej të gjitha viseve t’ona, nxueren Shqypnín në vehte, të lirë e të bashkueme.

Nuk âsht sod dita të permendim sa të keqija ka shkuem Shqypnija në ketë mot të gjatë e sa ka vuem e po vuen edhe; due vetem të shtoj, se në kete ditë fatbardhe, qi do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shênjta të kombit t’one, lypet qi zêmrat e të gjith Shqyptarvet tè lidhen, të bashkohen e të bâhen nji.

Tue kujtuem e tue kremtuem diten e sodshme duhet të persrisim prap besen, qi i dhám shoqishoqit vitin qi shkoi; e tue sjellë para sŷshë rreziqet e tmershme, qi i vareshin Atdheut permbi krye, e shpëtîmin t’anë të çuditshem, të forcojm dëshiren e vëllaznín e t’i japim doren njeni tjetrit per të permbajtun, per të rritun, per t’a shtuem pavarsín e Shqypnís s’onë sè dashun.

T’a dijm mirë, se dasít, gergasat e anmiqsít t’ona na turpnojn para Europës, e cilla vjetin qi shkoi e nxitoi, tue e njohtun me nji herë pavarsín t’onë; u shtojn rreziqet vllazenvet t’anë të mjerè, qi ditë nè tjetren po presin të lirohen nga zgjedhja greke e të bashkohen me né; e mà teper u thejn zêmren atyne fatzezve, qi paten rrezikun e madh të mbesin jashta Shqypnís sè lirè.

Të betohemi, pra, edhe nji herë mbi lirín e Atdheut, mbi vorret e dëshmorvet t’anë; t’i bàjm therorë përpara lterit t’Atdheut anmiqsít dhe smirat dhe zilít e poshtme, e të lidhemi e të bashkohemi të gjith me nji mend e me nji zêmer, qi të perpiqemi e të punojm tok, si vllazen qi jemi, per të sheruem plagët e Shqypnís e per të fshim lotët e atyne qi qájn e rënkojn mbi mjerimet e visevet të veta, prejse u dán nga trupi i Àtdheut të perbashkët.

Kèshtû tè lidhun e të bashkuem t’i shkojm në paq e në qetsí edhe këto pakè ditë, qi na mbeten, e të pregatitemi t’a presim mirë e me nderè mbretin t’anë, të cilit i urojm qyshë tash fat të mirë e jetë të gjatë per nderin e lulzimin e Shqypnís!

Vlonë, 28 Nand. 1913.