«Pavarësia e Çamërisë»: RTK në nivelin e Radio Milevës!

Disa bjerrakohës vendosin të shpallin «pavarësinë e Çamërisë» në Hagë. Dhe televizioni publik i Kosovës dërgon ekip në Holandë në vend se të merret me informimin e publikut se kush janë manipuluesit që merren me këtë cirk.

Foto: Shutterstock

Për të parë se ku ka arritur mjerimi, shkelja e çdo rregulli profesional, etik e publik – shikoni mënyrën se si po «raporton» televizioni publik i Kosovës, RTK, për të ashtuquajturën «shpallje e pavarësisë së Çamërisë». Pa shihni njëherë paralajmërimin që RTK i bën kësaj ngjarjeje që po i përngjan cirkut: «Nesër në Hagë do të jetë edhe një date historike për shqiptarët. Kuvendi i Çamërisë do ta shpallë pavarësinë dhe do ta formojë qeverinë me gjithë resorët. Sipas kryetarit të shoqatës `Çamëria`, Festim Lato, nesër do të formohet edhe forca mbrojtëse e shtetit çam. Sipas tij, kjo po bëhet me përkrahje ndërkombëtare». RTK bëri të ditur se ekipi i këtij televizioni gjendet në Hagë për të qenë dëshmitar i një «ngjarje që po vlerësohet me peshë».

Me para të taksapaguesve kosovarë RTK dërgon ekip në Hagë në vend se të merret me gazetari profesionale, të hulumtojë se kush na qenkësh ky Festim Lato që ka marrë bajrakun të shpallë pavarësinë e Çamërisë, t’i çojë haber Athinës se trevat çame do të kthehen në gjirin e ngrohtë të nënës Shqipëri? Athua di gjë për këtë qeveria legjitime e Shqipërisë? Ekspertë të sigurisë në Tiranë dhe gazetarë me përvojë thonë se Lato është sall një manipulues që në Kosovë ka gjetur terren për të mashtruar njerëz apo për të instrumentalizuar ndonjë aventurier a njeri të ndershëm që vërtet brengoset për padrejtësitë që shteti grek ua ka bërë shqiptarëve çamë. Festim Lato përflitet jo vetëm nga mediat si person i afërt me shërbimet sekrete greke. Edhe në mos qoftë kjo e saktë, organizimi i cirkut për shpalljen e pavarësisë së Çamërisë tregon se bëhet fjalë për një imitues të dobët të Vojislav Sheshelit. Imitues të tillë përherë i kanë shkaktuar dëm të madh interesave të shqiptarëve në Ballkan. Prodhimi i ngjarjeve të tilla të shpifura prej njerëzve që s’i japin askujt llogari (përveç ndoshta agjenturave për të cilat punojnë) nuk duhet të gjejë vend në media. Është detyrë e mediave që personat e tillë t’i demaskojnë – ashtu siç bën, për shembull, media gjermane me ekstremistët e djathtë të Lëvizjes Pegida. Te ne televizioni publik braktis obligimin e tij për të bërë gazetari profesionale dhe u jep hapësirë hajvanëve politikë. Krejt këtë ngjarje do të mund ta injoronim sikur të mos ekzistonte rreziku që ajo të bëhet lajm ndërkombëtar falë edhe jehonës që ia japin mediat tona shqiptare.

Dërgimi i ekipit në Hagë për të raportuar për një ngjarje absurde nuk është as skandali i parë, as i fundit i televizionit publik të Kosovës. Megjithëkëtë, opinioni publik, politikanët që bëhen merak për fatet e këtij vendi, shoqëria civile duhet të protestojnë kundër këtij lloji të gazetarisë që është i barabartë me nivelin e Radio Milevës. A do të jap ndokush përgjigje apo përgjegjësi nga bordi i RTK-së për këtë skandal? Çfarë do të thotë menaxhmenti? Si do ta arsyetojnë këtë marrëzi kryeredaktorët e shumtë të RTK-së? Me gjasë askush nuk do të jap përgjegjësi, sepse RTK qëmoti është shndërruar vetëm në një servis të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në një qendër për shumëfishimin e lajmeve të rrejshme me të cilat përpiqet të përmirësojë imazhin e krerëve të PDK-së të dyshuar për krime e korrupsion. A ka, megjithatë, në PDK politikanë që do të marrin guximin të kërkojnë profesionalizëm në RTK? Ndoshta PDK në aspektin afatshkurtër ka përfituar dhe do të përfitojë duke e përdorur RTK-në si megafon rrenash, por në fund nga ky dëm do të pësojë edhe vetë PDK, sepse thjesht nuk është e mundshme të dezinformohen vazhdimisht dy milionë qytetarë.

RTK ka disa ditë që i bën jehonë aktiviteteve të personit që prezantohet në opinion si Festim Lato, por profesionale do të ishte të merrej mendimi i përfaqësuesve të komunitetit çam në Shqipëri, të kontaktohet ministria e Jashtme e Shqipërisë, njohësit e problemit çam. Pasi falë vëmendjes së pamerituar mediale cirku i quajtur «shpallje e pavarësisë së Çamërisë» u bë temë publike, përfaqësues të komunitetit çam në Tiranë reaguan duke thënë se aventura të tilla i bëjnë dëm jo vetëm çamëve, por edhe vetë Kosovës.

Është detyrë e RTK-së, por edhe me mediave të tjera që këtë t’ia shpjegojnë publikut. Disa axhaminj politikë sot do të mblidhen në një restorant në Komoran për të shënuar «ditën historike». Ata kanë paralajmëruar se do të vizitojnë varret e Adem Jasharit dhe të Ibrahim Rugovës. Edhe këtë mund ta bëjnë, të ndjerët nuk mund të çohen nga varri dhe t’i përzënë. Personat e tillë më kujtojnë disa trima që pas luftës së Kosovës kërkuan një takim me gazetarë zviceranë dhe gjermanë në një restorant në stacionin e trenit në Zürich për të shpjeguar planet për një luftë për çlirimin e Çamërisë. Rrallë kam parë karikatura të tilla prej njeriu. Përpiqeshin të bëheshin të rëndësishëm dhe dilnin qesharak. Silleshin me kujdes teatral për të krijuar përshtypjen se mund të jenë të vëzhguar nga agjentët grekë, maqedonas apo serbë, por fjalët e pakuptimta që i thoshin i bënin joseriozë. Çlirimtarët e Çamërisë u larguan me shpresën se të nesërmen do të gjenden në faqet e para të gazetave gjermane dhe zvicerane. Nuk gjetën vend as në këndin e humorit të asnjë gazete serioze. Të dëshpëruar ata u zhdukën nga faqja e dheut.

Ndërsa po i vë pikën këtij teksti po shoh në rrjetet sociale njerëz nga Kosova që e kanë takuar Festim Laton dhe po bëjnë apel që ky person të injorohet, sepse bëhet fjalë për një manipulues. Ndërkohë presim kronikat e RTK-së nga Haga, sepse sot, siç ka nënvizuar RTK, është një datë historike për shqiptarët. Data kur RTK cicëron lajme si Radio Mileva! Çështja çame është tepër serioze për t’ia lënë në duar personave si Festim Lato dhe mediave si RTK. Ky skandal të kujton atë anekdotën me plakun, të cilin e pyetën: «Mixhë, prej kur asht ba kaq keq?» Dhe mixha u përgjigj: «Prej se asht ba tërshana ma e shtrenjtë se gruni». Në rastin konkret mund te themi që mediat nuk merren seriozisht kur bërllokun e bëjnë lajm!