Patatet e skuqura dhe çipat e negocimit

Një analizë e asaj që mund të negociohet me Serbinë.

Dardan Velija.



Viti 2019 po promovohet si nga akterët vendorë edhe ata ndërkombëtarë si vit i marrëveshjes me Serbinë. Gjatë tërë vitit që lamë pas diçka diskutohej dhe për diçka flitej në mungesë të plotë të transparencës. Parë nga perspektiva e një qytetari të Kosovës, shumë çështje të hapura me Serbinë ndikojnë direkt e indirekt në jetën tonë dhe arritja e një apo më shumë marrëveshjeve më këtë shtet direkt por edhe nëpërmjet mekanizmave të tretë, do të mund të sillte përfitime të menjëhershme, zhdëmtim nga e kaluara dhe përparësi strategjike afatgjata, kundrejt ndonjë kostoje të negociueshme.

Kur dy palë negocojnë interesat e tyre ato tentojnë të dakordohen nëpërmjet të «bargaining chips» që nënkupton një koncesion ose diçka e ngjashme që mund të përdoret në një negocim. Pra, është diçka që mund të vësh në tavolinë në negociata si kundërvlerë për të siguruar diçka tjetër të favorshme për ty nga pala kundërshtare. Përkthyesi në google për «bargaining chip» në shqip e jepte termin «patate të skuqura» që ironikisht karakterizon skepticizmin për qasjen dhe aftësinë negociuese të palës sonë në këto negociata. Pra, frika mos interesat tona do të trajtohen si patate të skuqura në këto negociata me mjaftë peshë. Problemi qenësor i negocimit me Serbinë është se personat që kanë negociuar këto vitet e fundit nuk e kanë kredibilitetin dhe e kanë legjitimitetin e kontestuar. Nuk kanë kredibilitet se në çdo negocim që e kanë bërë deri më tani në emër të interesit publik, rezultati ka qenë shumë i pafavorshëm për qytetarët (shih privatizimet, prokurimet e veprave madhore publike…) nëpërmjet së cilave supozohet që ata kanë nxjerrë përfitime për vete, shumë më shumë sesa për qytetarët.

Gjatë këtij viti përciptazi u përmendën shumë gjëra që mund të jenë në tavolinë për negocim, por tërë theksi u vu te këmbimi territorial. Mungesa e transparencës na ka lënë të hamendësojmë se çka po e do të negociohet. Është e vështirë të flitet me siguri, por në një vëzhgim të thjeshtë të një qytetari duket që Kosova ka dukshëm më shumë çipa sesa Serbia dhe një pozicion aktual dukshëm më të pafavorshëm se kjo e dyta. Kjo dmth. se gama e marrëveshjes potenciale është mjaft e madhe dhe me shumë rreziqe e mundësi. Një radhitje e rastësishme e çipave do të mund të ishte si në vijim:

  1. Qasja e Kosovës në Liqenin e Ujmanit ka rëndësi jetike e strategjike për Kosovën. Është thënë që Kosova ka sasinë më të vogël të ujërave sipërfaqësore për kilometër katrorë në Europë. Ujmani përdoret për pije, ujitje, energji dhe industri. Heqja dorë nga ky resurs do të mund të kishte pasoja jo vetëm në dekadat po mbase edhe shekujt e ardhshëm dhe do të mund të ishte një dëmtim i gjeneratave të ardhshme në kohën e ngrohjes globale. Serbia, në anën tjetër, ka sasi enorme të ujërave dhe qasja në këto ujëra nuk do t’i përbënte ndonjë interes jetik, pos dëmtimit të Kosovës.
  2. Minierat e Trepçës kanë vlerë dhe rëndësi të madhe për ekonominë në të ardhmen e vendit.
  3. Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës ka rëndësi për funksionimin e qytetit të Mitrovicës dhe ka peshë ekonomike e emocionale për shumë banorë të asaj pjese të cilët pronat i kanë të uzurpuara aty.
  4. Një pjesë e territorit të shtetit në veri duket që është bërë në çip negocimi dhe është folur për katër komuna atje apo një pjesë e tyre, sidoqoftë, ai është territor i vendit dhe e ka peshë si i tillë. Në atë territor gjinden edhe disa pika të larta strategjike për të cilat Serbia duket se ka interes.
  5. 40 për qind e serbëve të Kosovës janë në veri të vendit. Ajo nuk është popullsia më lojale kundrejt shtetit.
  6. Fshatra shqiptare në veri të vendit.
  7. Të drejtat dhe privilegjet e serbëve të tjerë në Kosovë. Sot serbët e Kosovës kanë të drejtë bllokuese në sistemin politik të Kosovës dhe pjesëmarrje të garantuar. Një marrëveshje për organizim mes komunave serbe është negociuar më parë në Bruksel dhe në një marrëveshje me Serbinë do të mund të rinegocioheshin të dyja. Ky mund të jetë çip me kahe të ndryshme për Kosovën po edhe për Serbinë.
  8. Përfitimet personale të negociuesve në negociata janë potencialisht rreziku më i madh në këtë pazar. Kjo mund të hamendësohet duke marrë parasysh nivelin e dëshmuar të korrupsionit, pra përfitimeve individuale në procese të negocimit të interesit publik.
  9. Reparacionet për dëmet e shkaktuara nga Serbia janë një interes vital ekonomik dhe emocional për vendin. Ekonomia e Kosovës është zhbërë gjatë të nëntëdhjetave nga Serbia. Si pjesë e një fushate kriminale të orkestruar nga shteti serb, ekonomia e Kosovës dhe prona private është shkallmuar gjatë luftës. Si krim lufte, Serbia ka djegur e shkatërruar rreth 120 mijë shtëpi private në Kosovë dhe pjesën dërrmuese të industrisë.
  10. Amnistia për krimet serbe është përmendur si mundësi negocimi. Dihet që amnistia e krimeve të luftës do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe do të mund të kontestohej legalisht në instanca ndërkombëtare nga viktimat. Mbi 360 masakra individuale e mbi 13 mijë persona janë vrarë, shumica absolute prej tyre civilë në raste të pastra të krimeve të luftës presin drejtësi.
  11. Të zhdukurit kanë qenë një pasojë e tmerrshme e luftës e pazgjidhur për dy dekada. Serbia nuk ka bashkëpunuar as për së afërmi sa duhet në gjetjen e rreth 1600 të munguarve nga lufta e fundit. Dhënia e informatave të plota për vendndodhjen e të munguarve do të ishte një lehtësim për familjarët dhe për krejt shoqërinë kosovare.
  12. Pensionet e punëtorëve nga koha e ish-Jugosllavisë kanë mijëra pensionistë në pritje.
  13. Zhdëmtimi i grave të përdhunuara si krim lufte, numri i të cilave vlerësohet të jetë rreth 20 mijë. Tani Kosova ka në proces të bëjë financimin e një skeme për këtë kategori nga fondet publike. Kjo skemë do të duhej të financohej nga shteti që e ka orkestruar atë fushatë dhunimesh, si krim lufte. Pos zhdëmtimit nevojitet edhe gjykim i kriminelëve.
  14. Statusi i disa kishave ortodokse në Kosovë dhe statusi i Kishës ortodokse serbe këtu është përmendur nga dy palët si temë për negocim.
  15. Qasja e kompanive serbe në tregun kosovar mund të bëhet teme pas lansimit të politikës së re tregtare të Kosovës kundrejt Serbisë. Në anën tjetër, Serbia nuk ka shumë për të vënë në tavolinë pos pengesave për Kosovën. Sidoqoftë, pozitën negociuese aktuale e ka më të mirë.

Ato çfarë Serbia mund të vë në tavolinën negociuese mund të jenë:

  1. Njohja e pavarësisë së Kosovës, në mungesë të së cilës Kosova ka më shumë sfida në kyçjen në sistemin ndërkombëtar. është përmendur edhe diçka më pak se njohja e pavarësisë, psh. njohja de fakto ose njohja e shtetësisë por jo e pavarësisë.
  2. Lugina e Preshevës (një pjesë e saj) dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
  3. Mospengimi apo në të kundërtën mbështetja e Kosovës në inkuadrimin në organizata ndërkombëtare.
  4. Amnistia për kosovarët e dënuar atje në mungesë nga lufta.
  5. Heqja e pengesave jo-tarifore në qarkullimin e njerëzve dhe prodhimeve Kosovare në Serbi dhe tranzit.
  6. Kthimi i dokumentacionit kosovar të rrëmbyer më 1999.
  7. Kërkimfalja për krimet e vazhdueshme gjatë shekullit të fundit.

Për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje, bashkësia ndërkombëtare do të mund të ndërhynte me çipat e vet e ata do të mund të ishin:

  1. Njohja nga 5 shtetet e BE-së, Rusia dhe Kina si dhe shtetet e tjera.
  2. Përshpejtimi i integrimit evropian për Kosovën e Serbinë.
  3. Ndonjë pako me mbështetje ekonomike për rimëkëmbjen e munguar ekonomike të Kosovës.
  4. Heqje e vizave për Kosovën nga zona Schengen por edhe ndonjë shtet tjetër (psh. SHBA ose Britani e Madhe).
  5. Garantimi ndërkombëtar i marrëveshjes, pa të cilin funksionimi i saj do të ishte shumë i paimagjinueshëm.

Me gjithë këta ingredientë, që nuk janë të shteruar, çorba do të mund të dalë nga më të ndryshmet. Në këtë situatë, opozita i ka dy rrugë: ose të përfshihet në proces negociator dhe ta intensifikojë angazhimin e palës sonë negociuese që patatet e skuqura të qartësohen në interesa të negociueshme transparente dhe vija të kuqe, ose të mbetet jashtë procesit dhe të synojë të sigurojë një marrëveshje më të favorshme nepërmjet presionit politik e publik mbi negocuesit tanë. Siç u qartësua gjatë pjesë së dytë të vitit, rrethanat ndërkombëtare po çojnë drejtë një momentumi për një marrëveshje e ajo marrëveshje do t’i preki intersat tona të tanishme dhe të ardhshme. Injorimi i këtij procesi nuk është i mundshëm.