Pasaportat më të pushtetshme në botë: Zvicra e gjashta

Qytetarët e cilave vende gëzojnë lirinë më të madhe të lëvizjes në botë?

Foto: Arnaldo Jr / Shutterstock



Gjermanët në këtë pikë qëndrojnë më mirë nga të gjithë. Kështu thotë indeksi i restriksioneve të vizave të firmës konsulore Henley & Partners. Pasaporta gjermane këtë status e ruan prej tre vitesh. Me këtë pasaportë mund të udhëtosh pa vizë në 176 shtete të botës. Në vend të dytë renditet Suedia me 175 shtete, pastaj vijnë Danimarka, Finlanda, Italia, Spanja dhe SHBA-të, të gjitha në pozitën e tretë me 174 vend-udhëtime pa viza.

Zviceranët, të cilët mund të udhëtojnë në 171 vende pa viza, e zënë vendin e gjashtë në botë si qytetarë me lëvizje të lirë. Ndërkohë që pritet që zviceranët të kalojnë një vend më sipër, sepse në vizitën e fundit të presidentit të Senegalit në Bern, ai ka premtuar heqjen e vizave për qytetarët zviceranë nga maji i këtij viti, transmeton «20 Minuten».

Në fund të listës së restriksioneve të vizave qëndron Siria, Pakistani, Iraku dhe Afganistani. Ata mund të udhëtojnë pa viza në më pak se 30 vende të botës. Ndërkohë që Peruja ka shënuar një përmirësim të dukshëm në statusin e saj të lëvizjes së lirë me 15 vende të reja për të cilat qytetarëve të saj nuk iu duhen më viza. Britania e Madhe, e cila më 2015 i printe listës me Gjermaninë, ka kaluar në vendin e katërt.

Ja kush është top-dhjetëshi i vendeve me liri më të madhe lëvizjeje:

  1. Gjermania:176 vende
  2. Suedia: 175 vende
  3. Danimarka, Finlanda, Italia, Spanja, SHBA-të: 174 vende
  4. Austria, Belgjika, Franca, Luxemburgu, Holanda, Norvegjia, Singapori, Britania e Madhe: 174 vende
  5. Irlanda, Japonia, Zelanda e Re: 172 vende
  6. Zvicra, Kanadaja, Greqia, Portugalia: 171 vende
  7. Australia, Koreja e Jugut: 170 vende
  8. Islanda: 169 vende
  9. Çekia: 168 vende
  10. Hungaria, Malta: 167 vende. ks