Pasaporta zvicerane përshpejton integrimin e të huajve

Të huajt që arrijnë të marrin shtetësinë e Zvicrës integrohen më mirë dhe më shpejtë në shoqëri. Kështu thotë një studim i Fondit Nacional të Zvicrës për Shkencë.

Foto: Shutterstock.com



Pasaporta zvicerane shërben si katalizator për integrimin e qytetarëve të huaj. Në këtë përfundim ka arritur një studim i kryer nga Universitetet e Zürichut, Stanfordit dhe Mannheimit, ka njoftuar të hënën Fondi Nacional i Zvicrës për Shkencë, i cili kishte përkrahur këtë hulumtim. Ata të huaj që arrijnë të marrin shtetësinë e Zvicrës integrohen më shpejtë, pa marrë parasysh nëse janë mirë apo mesatarisht të arsimuar. Nga natyralizimi përfitojnë veçanërisht njerëzit nga ish-Jugosllavia dhe Turqia, të cilët i përkasin grupeve të margjinalizuara të emigrantëve.

Bazë e studimit, siç raporton agjencia e lajmeve SDA, janë të dhënat nga votimet anonime për kërkesat për marrje të shtetësisë në komunat e Zvicrës gjermane nga viti 1970 deri më 2003. Prej parashtruesve të kërkesave shkencëtarët kanë zgjedhur 768 persona, kërkesat e të cilëve ose janë pranuar me pak vota ose janë refuzuar me pak vota. Këta parashtrues kërkesash pothuaj nuk dallojnë në moshë, gjini, prejardhje, njohje gjuhe apo qëndrim në Zvicër.

Shkencëtarët kanë pyetur përmes telefonit 700 persona mbi dijen e tyre për politikën zvicerane dhe participimin politik. Anketa tregoi se ata që kanë marrë shtetësinë para më shumë se 15 vitesh janë integruar shumë më mirë në aspektin social dhe politik se ata, të cilëve u është refuzuar kërkesa për shtetësi.

Të huajt që kanë marrë shtetësinë e Zvicrës kanë njohuri për sistemin politik, të cilat janë të krahasueshme me njohuritë e zviceranëve të lindur. Atyre që u është refuzuar shtetësia, ndërkaq, mbesin politikisht të margjinalizuar. Në zgjedhjet e fundit nacionale pjesëmarrja e personave që kanë marrë shtetësinë dhe ishin pjesë e studimit ishte 58 për qind – ndërsa pjesëmarrja e zviceranëve, të cilët kanë pasaportë nga lindja, ishte 52 për qind. Sipas studimit efektet e marrjes së shtetësisë janë më të mëdha sa më herët që natyralizohet një person.

Për të aplikuar për shtetësi një i huaj duhet të ketë qëndruar në Zvicër 12 vjet. Në krahasim me vendet e tjera europiane kjo kohë është e gjatë, theksojnë shkencëtarët. Ata kërkojnë shkurtimin e kësaj kohe. Rezultatet e studimit u publikuan në revistat shkencore «Proceedings of the National Academy of Sciences» dhe «SSRN Working Paper Series». -lli