Pasaporta zvicerane dhe komisioni i pyetjeve absurde

Kush dëshiron të marrë shtetësinë në Zvicër, duhet të bind një komision komunal. Shpesh marrja në pyetje e kandidatëve nga komisionet përkatëse është një torturë, siç tregon një shembull nga provinca zvicerane.




Demokracia e drejtpërdrejtë, siç praktikohet në Zvicër, i ka disa të mira. Qytetarët vendosin vetë në referendum mbi taksat komunale, kantonale apo federale. Po ashtu qytetarët vendosin nëse Zvicra duhet të kufizojë numrin e punëtorëve nga vendet e BE-së. Para disa vitesh një grup qytetarësh mblodhi numrin e duhur të nënshkrimeve dhe imponoi një referendum mbi ndalimin e minareve. Pas një fushate të ashpër një shumicë e votuesve zviceranë vendosën për ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër. Para shumë vitesh banorët me të drejtë vote të një qyteze në Zvicrën qendrore hodhën poshtë në referendum të gjitha kërkesat e qytetarëve nga ish-Jugosllavia për marrje të shtetësisë. Kush e kishte mbiemrin me «viq», refuzohej – pa asnjë arsyetim. Kjo sjellje arbitrare ndikoi që Gjykata Federale e Zvicrës të ndalojë referendumet sa i përket dhënies së shtetësisë për shkak se qytetarët më shumë vendosnin në bazë të paragjykimeve se sa të fakteve. Viktima të arbitraritetit kanë qenë edhe shqiptarët.

Tani gati tërë Zvicra është duke folur për rastin e Funda Yilmaz, një turke 25-vjeçare, e lindur dhe e rritur në Zvicër. Yilmaz është teknike e ndërtimtarisë, i dashuri i saj është zviceran, ajo flet dialektin lokal të gjermanishtes së Zvicrës, ka një qen, i ka paguar tatimet me rregull dhe nuk ka kryer kurrë asnjë delikt. Meqë Yilmaz mendon të jetojë në Zvicër, të cilën e ndien si atdhe të saj, ajo vendosi të parashtrojë kërkesë për marrjen e shtetësisë. Në fillim të këtij viti ajo mori një ftesë nga komuna e saj Buchs në kantonin Aargau për të zhvilluar një intervistë me komisionin e shqyrtimit të kërkesave për shtetësi.

Ndoshta Funda Yilmaz e kishte menduar këtë bisedë si një shëtitje deri te ndërtesa e komunës. Por, intervista doli, siç thuhet, dardhë me bisht. Anëtarët e komisionit e bombarduan atë me një sërë pyetjesh absurde. «A merreni me bjeshkatari»? – ishte njëra nga pyetjet. Yilmaz tha se nuk i interesonte ky aktivitet pothuaj nacional zviceran. Dhe kjo është e drejtë e saj, sepse ka plot zviceranë që nuk dalin në bjeshkë për të ecur, ndonëse një shumicë e konsiderueshme e pëlqen këtë aktivitet fizik. Pyetja e radhës e komisionit për kandidaten turke ishte kjo: ku blini artikuj ushqimorë? Ajo tha se këtë e bënte në Migros, rrjetin zviceran të dyqaneve, dhe në Aldi, një rrjet tjetër gjerman i shtrirë edhe në Zvicër viteve të fundit. Kjo përgjigje duket se i zemëroi anëtarët e komisionit, sepse Yilmaz nuk e kishte përmendur dyqanin e fshatit. Në pyetjen se ku duhej ta hidhte vajin e vjetër, ajo u përgjigj se këtë nuk e dinte, por do të kërkonte në Google dhe do të gjente adresën.

Pas kësaj interviste komisioni propozoi që në asamblenë komunale, në të cilën mund të marrin pjesë të gjithë banorët e komunës, kërkesa e Funda Yilmaz të hidhej poshtë me arsyetimin se ajo nuk e ka të qartë ku duhet hedhur mbeturinat dhe nuk i njeh traditat zvicerane. Kështu kërkesa u hodh poshtë dhe mediat liberale zvicerane filluan një fushatë kritike kundër mendësisë provinciale të zyrtarëve komunalë zviceranë. Mes tjerash anëtarët e komisionit e pyetën Funda Yilmazin nëse prindërit e saj pajtohen me faktin se i dashuri i saj është zviceran. Në një letër të shkruar nga dëshpërimi ajo u përpoq të rrëzojë paragjykime e anëtarëve të komisionit duke shkruar: «Nuk kam qenë kurrë në xhami, por disa herë në kishë».

Gazeta e Zürichut «Tages Anzeiger» e quajti sjelljen e komisionit të komunës së Buchsit arbitrare dhe jozvicerane. Fundja, Zvicra shpesh krenohet me traditën e saj humanitare. Funda Yilmaz nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Ajo ka dorëzuar ankesë dhe ka filluar të mbledhë nënshkrime.