Pas tragjedisë së Suharekës, çfarë mësimesh do të nxjerrim?

Shuarja e një familjeje, e cila kishte ardhur të kalojë pushimet në atdhe, është tragjedi që nuk lë askënd indiferent. Mësimi që duhet të nxirret nga të gjithë – e sidomos nga diaspora – është ky: larg këmbën nga gazi. Policia e Kosovës duhet të mobilizohet dhe të jetë e pamëshirshme ndaj çdo shoferi që shkel rregullat e trafikut. Masat drakonike duhet të shkojnë deri te konfiskimi i veturave, pa dallim a janë shoferët vendorë apo nga diaspora që krekoset me vetura të shtrenjta dhe me targa të Zvicrës. Mjaft më!

Familja që humbi jetën në aksident në Suharekë. Foto: Facebook.



Janë fotografi që vështirë durohen. Nuk e kam fjalën për pamjet nga aksidenti i tmerrshëm në Suharekë, ku vdiq një familje kosovare me banim në Zvicër. Fotografitë e aksidenteve të tmerrshme duken të gjitha – të tmerrshme. Pamjet që nuk durohen nga dhimbja janë ato që farefisi e miqtë e familjes kanë shpërndarë në mediat sociale: aty shihet një familje e hareshme para Kullës së Eiffelit. Duket se nuk është në Paris, por para një imitimi në një qytet kosovar. Për çdo njeri një udhëtim në Paris është një ëndërr e përhershme, një ëndërr që ke dëshirë ta përsëritësh. Tani shohim fotografinë e familjes kosovare para Kullës së Eiffelit imagjinar dhe pas lajmit të tmerrshëm nga Kosova e dimë se ata do të varrosen, qindra njerëz do të marrin pjesë në ceremoninë mortore, Suhareka do të mbajë zi tri ditë. Politikanët do të shprehin ngushëllime, mileti i Facebookut do të diskutojë, do të tronditet, do të kërkojë që të ndërmerret diçka për t’iu dhënë fund këtyre tragjedive.

Pas tragjedisë, çfarë mësimi do të nxjerrim nga tragjedia e Suharekës? Shuarja e një familjeje, e cila kishte ardhur të kalojë pushimet në atdhe, është tragjedi që nuk lë askënd indiferent. Mësimi që duhet të nxirret nga të gjithë – e sidomos nga diaspora – është ky: larg këmbën nga gazi. Policia e Kosovës duhet të mobilizohet dhe të jetë e pamëshirshme ndaj çdo shoferi që shkel rregullat e trafikut. Masat drakonike duhet të shkojnë deri te konfiskimi i veturave, pa dallim a janë shoferët vendorë apo nga diaspora që krekoset me vetura të shtrenjta dhe me targa të Zvicrës. Mjaft më!

Të dielën, ndërsa një shofer shqiptar autobusi publik në Zvicër përpiqej të zhbllokonte dyert e bllokuara, vëmendjen e pasagjerëve tërhoqi një lajm që shfaqej në monitorin e autobusit: «Schweizer Familie stirbt bei Autounfall im Kosovo», vdes familja zvicerane në aksident trafiku në Kosovë. Pas pak në telefonin mobil shfaqet një lajm urgjent mbi këtë tragjedi nga televizioni N1, i cili emiton programe në disa shtete të Ballkanit.

Nuk i dimë detajet e aksidentit. Duhet të presim hetimet e policisë. Nuk duhet të paragjykojmë të prekurit nga kjo tragjedi. Por, diçka mund të themi: në viset tona shqiptare automjetet nuk drejtohen me aq kujdes. Për fat të keq kjo bën vaki edhe në Zvicër. «Balkanraser» – kjo fjalë përshkruan shoferin e papërgjegjshëm nga Ballkani, i cili përkundër kufizimit të shpejtësisë në 50 kilometra në orë brenda vendbanimit fluturon me 100 apo 120 kilometra në orë dhe mbyt dy apo tre fëmijë, pasi ka humbur kontrollin mbi makinë.

Shpesh gjatë verës në Kosovë e Maqedoni të bie të dëgjosh rrëfime rrahagjokësie mbi «ardhjen në shtëpi për 14 orë – nga Zürichu në Gjilan apo Ferizaj apo Prishtinë apo Tetovë». Njerëz, harroni këto lavdërime bajate, flini në hotele në Slloveni e Kroaci, pastaj do të jeni më të koncentruar gjatë rrugës. 100 franga a euro për një dhomë hoteli janë një cikërrimë në krahasim me jetën tuaj. A ju kujtohet ajo fushata e televizionit të Zvicrës: «Texten und laufen – geht nicht», me shkru e me ec – nuk shkon! E kuptoni? Siç nuk shkon ngasja e shpejtë e veturës, parakalimi aventurier, mungesa e kujdesit së pari ndaj familjeve tuaja, pastaj ndaj pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Aksidentet fatale në Kosovë tregojnë po ashtu se jo vetëm diaspora bart pjesën e saj të përgjegjësisë. Ndoshta më shumë se gjysma e veturave në Kosovë nuk i plotëson kushtet teknike për të dalë në komunikacion. Kontrolli teknik, i privatizuar, kalon shpesh shkel e shko. Një vend kapitalist si Zvicra kontrollin teknik nuk e ka privatizuar. Prej dekadash Kosova është bërë një deponi e veturave që në Europën perëndimore nuk kalojnë kontrollin teknik. Guximi i njerëzve që të dalin në rrugë pa drita, me goma që rrëshqasin si në sportin e patinazhit, me frerë që funksionojnë dobët – ky guxim duhet të ndërpritet me masa të rrepta të policisë. Ligji gjoja i ashpërsuar kohëve të fundit i trafikut ashiqare nuk po tregon efekte. Tani gjatë muajve të verës, kur dendësia e trafikut rritet, policia nuk duhet të jetë vetëm vëzhguese e situatës.