Pas sulmeve ndaj myslimanëve, shumëkush pyet: Ku është zemërimi i botës?

Michel Kilo, disident sirian i krishterë, po rrufiste zemërueshëm të martën kafenë në një kafene në Paris, duke u hamendur: Ku mbeti zemërimi botëror? Ku ishte ai zemërim i shprehur me pezm pasi grupet e njëjta terroriste tmerruan Brukselin e Parisin më parë? Në një botë që supozohet se është e globalizuar, a nuk bëhen hesapë si qenie jerëzore ata që s'janë të bardhë a perëndimorë?

Homazhe pas një sulmi vetëvrasës në janar 2015 në Stamboll. Foto: talipcubukcu / Shutterstock.com

Xhihadistët kanë vrarë ditëve të fundit 41 persona në aeroportin e ngarkuar e plot ndriçim të Stambollit; 22 të tjerë në një kafene në Bangladesh; dhe së paku 250 të tjerë teksa po festonin ditën e fundit të Ramazanit në Bagdad. Dhe pastaj «Shteti Islamik» sulmoi përsëri me bomba në tri qytete saudite.

Por Michel Kilo, disident sirian, po rrufiste zemërueshëm të martën kafenë në një kafene në Paris, duke u hamendur: Ku mbeti zemërimi botëror? Ku ishte ai zemërim i shprehur me pezm pasi grupet e njëjta terroriste tmerruan Brukselin e Parisin më parë? Në një botë që supozohet se është e globalizuar, a nuk bëhen hesapë si qenie jerëzore ata që s’janë të bardhë a perëndimorë?

«E gjithë kjo dhunë e krisur ka një qëllim», thekson zemërueshëm zoti Kilo, që është i krishterë: të krijojë përplasje kundër myslimanëve, të përçajë shoqëritë dhe «që t’i bëjë sunitët të ndihen se pavarësisht çfarë ndodh, atyre nuk u mbetet kurrfarë zgjidhjeje tjetër».

Kjo nuk është hera e fundit kur Perëndimi nuk është lodhur fort për masakrat që kanë ndodhur në shtetet e dominuara nga myslimanët. Por indiferenca relative pas gjithë atyre viktimave të të njëjtave grupe që tmerruan Perëndimin, është më shumë se lëndim i rëndomtë shpirtëror.

Një prej qëllimeve parësore të «Shtetit Islamik» dhe grupeve të tjera radikale islamike është që të krijohet hendek ndërmjet botës sunite myslimane dhe pjesës tjetër të botës që tëhuajësimi të shndërrohet në mjet rekrutimi. Dhe kur bota mbarë duket se po tregon më pak keqardhje për viktimat në shtetet myslimane, ku janë kryer masakrat më të mëdha të «Shtetit Islamik», atëherë ky është qëllimi që e synon kjo organizatë e madhe terroriste.

«Pse nuk ka trend ‹PrayForIraq›?», ka shkruar Razan Hasan nga Bagdadi në «Twitter». «Aha, po, askush nuk lodhet për ne».

Hira Saeed nga Otava ka pyetur në «Twitter» pse «Facebooku» nuk aktivizoi elemtin «Safety Check» pas sulmeve të fundit siç kishte vepruar pas sulmeve në Bruksel, Paris e Orlando, dhe pse mediat sociale nuk ishin mbushur ngjashëm me flamuj të Turqisë, Bangladeshit dhe Irakut. «Hipokrizia është se bota perëndimore është e fortë», ka shkruar ajo.

Dhe në nivel botëror u krijua përshtypja se përnjëherë u dëshmua një prapambetje e madhe, me rikthim të ndjenjave të identiteteve të ngushta kombëtare, politike a fisnore, me Britaninë që votoi për dalje nga Bashkimi Evropian dhe me shumë amerikanë që po e përkrahin kandidatin republikan Donald Trump për president, megjithëse ai nuk përkrah asgjë që nuk është amerikane.

Dhuna nxit sumëkënd në Perëndim që t’u frikësohet myslimanëve dhe arabëve, shumëfishuar edhe prej krizës politike lidhur me emigrantët, duke kulmuar kështu me jetësim të qëllimeve të terroristëve. Evropa po përballet me presion në rritje për t’ua mbyllur derën refugjatëve nga Siria e Iraku, që vetë po largohen prej dhunës së shkaktuar prej xhihadistëve dhe qeverive të tyre.

Në territorin e Sirisë e Irakut, «Shteti Islamik» ka shpallur të ashtuquajturin «kalifat», duke sunduar me grusht të hekurt popullsitë përgjithësisht myslimane me kërcënimin e përhershëm të dhunës. Grupi ka vrarë në këto shtete mijëra myslimanë.

Kur militantët e «shtetit Islamik» bënë kërdi nëpër kafenetë e Parisit në nëntor, njerëz anembanë botës shprehën keqardhje dhe faqet e tyre në «Facebook» u mbushën me flamurin francez – dhe kjo nuk po ndodhte vetëm në Evropë e Shtete të Bashkuara të Amerikës, por kjo keqardhje u vërejt edhe në Siri e Irak.

Por gjatë javës së kaluar, «Facebook» ka aktivizuar opsionin «Safety Check», që ua mundëson njerëzve që janë në rrethinën e një zone të rrezikshme të deklarojnë se janë të sigurt. Por kjo ka ndodhur vetëm pas sulmit në aeroportin e Stambollit.

Flamujt e Irakut, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Bangladeshit nuk janë projektuar si opsione që mund të prshtateshin në fotografitë e profilit. (Nëpër media sociale është parë një fotografi ku ishte vendosur flamuri turk në urën e Mostarit, qytet i një prej dy shteteve evropiane me shumicë myslimane. Mostari ishte skenë e luftimeve e masakrave të tmerrshme në vitet nëntëdhjetë.) Shumëkush ka pyetur se mos kjo nuk ka ndodhur shkaku i simboleve a sloganeve islamike që kanë flamujt e këtyre shteteve.

«Më shumë të vrarë në Irak në javën e kaluar se në Paris dhe Orlando së bashku, por askush nuk po ndryshon fotografitë e profileve, nuk po i ndërron ngjyrat, e të tjera», ka shkruar Kareem Rahaman në «Twitter».

Ka disa arsye të kuptueshme për reagimet e ndryshme. Është e natyrshme që njerëzit identifkiohen më fort me vendet e kulturat e afërta që janë më familjare për ta. Në rastin e Irakut është puna se njerëzit janë mësuar të presin bombardime dhe është më pak befasuese kur ndodhin sulme se në Evropë.

Sulmet vdekjeprurëse janë të përhershme në Irak për vite me radhë pas pushtimit amerikan, pasuar prej luftës sektare ku militantët sunitë e shiitë masakrojnë anëtarët e sektit tjetër. Megjithatë, derisa sulmet terroriste në Evropë mund të duken më befasuese për Perëndimin – megjithëse edhe ato janë bërë të zakonshme tashmë – kjo nuk shpjegon indiferencën relative ndaj sulmeve në Stamboll, Arabi Saudite a Bangaldesh.

«Ja çfarë ndodh në Irak», thekson Sajad Jiyad, hulumtues në Irak që kishte dalë menjëherë në skenën e krimit në Bagdad pas sulmeve me bomba dhe kishte marrë vesh se në mesin e viktimave ishte edhe një shok i tij. «Të vrarët shndërrohen thjesht në statistika, dhe shpeshtia e sulmeve nënkupton se tmerri nuk vërehet tjetërkund, ose ju thjesht nuk keni as kohën e mjaftueshme për t’u mërzitur e vuajtur», ka shkruar në blogun e tij.

Në botën myslimane ka ndikim edhe natyra e fortë e lidhjes sektare dhe shpeshherë nuk shprehet keqardhje e madhe për viktimat e sektit tjetër. Në Irak, «Shteti Islamik» i ka rrënjët në kryengritjen kundër qeverisë së prirë prej shiitëve, dhe milicitë shiite janë akuzuar gjithashtu për brutalitet në luftimet e tyre. Në Siri ka shumë sirianë që janë vrarë prej sulmeve qeveritare në zona të kontrolluara prej kryengritësve sunitë, përfshirë edhe grupet rebele që kundërshtonin «Shtetin Islamik».

Zoti Jiyad ka shtuar se «Shteti Islamik» shpreson «të nxitë reagime dhe spirale të dhunës së pafundme» dhe që irakianët të bien në kurthin që të mos ndjejnë keqardhje për viktimat e sektit tjetër.

Megjithatë në Perëndim ka tendencë që në disa qarqe, të legjitimuara prej disa politikanëve, që të lidhin militantët ekstremistë islamikë me shoqëritë myslimane që edhe vetë janë shpesh viktimat e para, ose t’i cilësojnë shtetet myslimane si vende që nuk mund të heqin asnjëhere qafe dhunën.

«Ose gjaku irakuan është shumë i lirë ose vrasja është normalizuar», ka deklaruar Sayed Saleh Qazwini, dijetar islamik në Michigan.

Në Paris është varur një flamur i ylbertë në «Hotel de Ville», në shenjë përkujtimi për 49 personat e vrarë në një klub homoseksualësh në Orlando muajin e kaluar. Por në një dyqan në një shoqe të lagjes, shitësja nuk ndjente aspak keqardhje për çfarë po ndodhte në Lindje të Mesme. Kur më pyeti se ku jetoja dhe pasi i thashë se isha nga Bejruti, nisi të fliste për dhunën në rajon. Por kur e pashë se e kisha të zorshme t’ia shpjegoja se çfarë në të vërtetë po ndodhte atje, ia thashë shkurt: «Po, ka shumë probleme, çfarë të bëjmë?»

«Exterminer les islamistes», ma priti. Shfarosje: fjalë e fuqishme. Islamikë: kategori e gjerë njerëzish.

Zoti Kilo, që kishte kaluar disa vite në burg me urdhër të qeverisë siriane që kundërshton regjimin, por edhe «Shtetin Islamik», ka thënë se ka ndryshuar jeta e tij në Paris prej nëntorit. Ai thotë se këqyresh me sy të keq po fole arabisht në kryeqytetin francez. Sheh frikë në sytë e francezëve kur kalojnë pranë sirianëve.

«Edhe po frikësohem shumë», thekson ai. «Ndokush mund ta hedhë veten në erë në çdo moment». Ai ka shkruar një shkrim që do të publikohet në gazetën «Al Araby Al Jadeed», me titullin «Mallkimi i Sirisë».

Dështimi për të shprehur keqardhje nuk është i lidhur vetëm me «Shtetin Islamik», ka theksuar ai; lidhet edhe më gjerësisht me indiferencën ose paaftësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur masakrat në luftën civile siriane, që nisi me protesta për ndryshim politik.

«Nëse nuk mbetet asnjë dromcë njerëzi», thekson zoti Kilo, «nëse lejoni masakrimin e një populli të tërë për pesë vjet e gjysëm pas gjithë atyre deklaratave të bashkësisë ndërkombëtare se populli sirian ka të drejtë të çohej në kryengritje kundër qeverisë së tij, atëherë prisni të kemi ‹Shtetin Islamik› – dhe shumë ‹Shtete Islamike› në forma të tjera».

(«New York Times»)