Pas Shaqirit, Xhakës dhe Behramit Zvicrën pritet ta pushtojë uji i Drinit të Bardhë

Një firmë zvicerane do të lansojë këto ditë një prodhim nga Kosova: ujin e Drinit të Bardhë. Sipas ekspertëve që e kanë testuar, uji nga Kosova është ndër më të mirët në botë dhe matet me marka shumë të njohura si Evian, Perrier dhe San Pellgrino.

Drini i Bardhë.

Në shumë lokale në Kosovë dhe Shqipëri mysafirët shërbehen me ujë nga Italia, me San Pellegrino (me gaz dhe pa gaz). Ujrat lokale kanë filluar të depërtojnë dalëngadalë në tregun vendor, por tani pritet që uji i Drinit të Bardhë nga rrethina e Pejës të pushtojë tryezat në Zvicër. Ndërmarrja Spirit of Drini me seli afër Zürichut gjatë këtij muaji do të lansojë në tregun zviceran ujin nga Kosova. Kjo është një risi botërore, shkruan ndërmarrja në një njoftim për mediume. Uji nga Kosova mund të porositet përmes webfaqes (www.spirit-of-drini.ch) ose përmes profilit përkatës në Facebook. Transporti në shtëpi apo në ndërmarrje do të kryhet nga firma që e ka lansuar ujin e Drinit të Bardhë.

«Kosova në të vërtetë është e njohur si vend i prejardhjes së shumë yjeve të suksesshëm të futbollit zviceran si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka si dhe i këngëtares me famë botërore Rita Ora apo i Nënë Terezës, por deri më tani Kosova ka qenë pak e njohur si vend me burime malore të ujit në natyrën e paprekur. Kjo së shpejti do të ndryshojë», shkruan Spirit of Drini në komunikatë.

Në fund të vitit 2015 uji natyral mineral Spirit of Drini është testuar nga Fine Water Society, një juri e famshme ndërkombëtare në SHBA, e cila për çdo vit vlerëson cilësinë e ujrave nga mbarë bota. Juria e ka vlerësuar ujin e Drinit të Bardhë si ndër më të mirët në botë – në një ligë me Evian, Perrier dhe San Pellgrino. Burimi i ujit të Drinit të Bardhë gjendet në lartësi mbidetare prej 2240 metra në Alpet Dinarike të Mesdheut në territorin e Kosovës. Ky ujë zyrtarisht ka marrë vlerësimin si «i përshtatshëm për përgatitjen e ushqimit të fëmijëve». Një vlerësim të tillë e marrin vetëm pak marka të ujit mineral. (-lli)