Pas referendumit: Erdoğani si Mbreti Aleksandër i Jugosllavisë

Ndryshimet kushtetutore në Turqi nuk e bëjnë sistemin e qeverisjes si në ShBA. Ato i japin kryetarit të republikës pushtet shumë më të gjerë se ç’ka kryetari i Shteteve të Bashkuara.

Ndryshimet kushtetutore në Turqi nuk e bëjnë atë shtet si ShBA-ja. Ato i japin pushtetit goxha të gjerë kreut të republikës. Fati i demokracisë atje tashmë nuk varet nga populli e as institucionet, sa varet nga vullneti i udhëheqësit të vendit. Foto: Shutterstock.



Një përshkrim përgjithësues thotë se Turqia po kalon prej sistemit parlamentar në sistemin presidencial. Deri tash, Mexhlisi turk e ka zgjedhë kabinetin (kryeministrin dhe ministrat) si organ ekzekutiv, dhe ka pasë të drejtë me e shkarku kurdo që e ka pa të arsyeshme. Tash e tutje, kreu i shtetit, i zgjedhur nga populli, ka me qenë edhe kryetar i qeverisë, ka me i emëru vetë ministrat, dhe ka me shërby për një mandat fiks.

Shembulli më i vjetër i sistemit presidencial është ShBA-ja. Përkrahësit e udhëheqësit Recep Tayyip Erdoğan thonë se këtë model po e zbatojnë në Turqi. Argumentin e pranojnë madje edhe disa komentues të pavarur që kritikojnë udhëheqjen dhe ideologjinë e presidentit turk, por i shpërfillin amendamentet.

ShBA-ja, megjithatë, na jep shembullin më jotipik të modelit presidencial. Kurse Turqia nuk po e përqafon asnjë tipar thelbësor që e veçon Juesejin nga vendet me presidentë të fuqishëm.

Ithtarët e demokracisë shpesh e qortojnë presidencializmin se përqendron pushtetin në duart e një njeriu. Vendet autoritare kanë rëndom këtë sistem, thonë kritikët. Dhe këtë shqetësim e ndajnë thuajse të gjithë ata që i kundërshtuan ndryshimet e kryeligjit turk.

Ndër 18 amendamentet e miratuara në referendumin e së dielës, shumica janë problematike. T’i zbërthejmë disa, duke i krahasu me sistemin amerikan:

Mexhlisit turk kanë me iu shtu 50 anëtarë, për me u bë krejt 600. Numri më i madh i deputetëve i shkon për shtat kreut të shtetit, që tani mund të jetë edhe udhëheqës partie. Meqë partia cakton listat e kandidatëve dhe listat janë të mbyllura, kryetari do të mund ta rrisë përkrahjen e vet në Mexhlis dhe ta tëhollojë opozitën. Për dallim nga Turqia, Shtetet e Bashkuara kanë një kongres me dy dhoma, kanë më pak kongresistë në tërësi, dhe nuk përdorin lista të mbyllura.

Turqit do të mund të zgjidhen deputetë sapo t’i mbushin 18 vjet. Por ata që kanë lidhje me ushtrinë nuk kanë me pasë të drejtë me u zgjedhë. Sado demokratike në dukje, kjo rregull i jep mundësi kryetarit me e përdorë rininë si mashë politike dhe me i qëru hesapet me ushtrinë, që tradicionalisht ka kundërshtu ideologjinë fetare të Erdoğanit. Në anën tjetër, ShBA-ja ku kufizime të prera në moshë: anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve është të paktën 25-vjeç, kurse senatori 30. Dhe përvoja ushtarake s’e pengon, por praktikisht e ndihmon, karrierën politike.

Mandati i deputetëve ka me zgjatë pesë vjet, jo katër siç është tani. Kësisoj, turqit do ta kenë më të vështirë të ndikojnë në qeverisje, për dallim nga amerikanët që votojnë çdo dy vjet për mbarë Dhomën e Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit. Edhe presidenti në Ak-Saraj do shërbejë për pesë vjet, kurse tjetri në Shtëpinë e Bardhë rrin vetëm katër vjet për një mandat.

Zgjedhjet për deputetë dhe për kryetar të republikës kanë me u mbajtë në të njëjtën ditë. Kështu, një parti politike në Turqi do ta ketë shumë të lehtë të kontrollojë të gjitha degët e pushtetit politik, duke e shfrytëzu popullaritetin ditor. Në ShBA, zgjedhjet bëhen copa-copa: amerikanët mund të votojnë përnjëherë vetëm për presidentin, Dhomën e Përfaqësuesve, dhe një të tretën e Senatit. Për ta kontrollu gjithë qeverinë, një parti amerikane duhet ta përsërisë suksesin zgjedhor votim mbas votimesh.

Kryetari i republikës ka me mujtë me qenë anëtar partie. Këtë s’e ndalon as kushtetuta amerikane. Por në Amerikë, organizimi i partive politike është më i shqendërsuar se në Turqi e në vende tjera evropiane.

Kryetari i republikës ka me qenë edhe kryetar i qeverisë. Ka me mujtë me lëshu dekrete që kanë fuqinë e ligjit, por u nënshtrohen akteve të Mexhlisit. Edhe presidenti amerikan lëshon urdhra ekzekutivë në këtë mënyrë. Në vetvete, ky ndryshim nuk përbën shqetësim, por në tërësinë e sistemit turk është goxha brengosës: presidenti emëron shumicën e gjyqtarëve që do t’ia shqyrtojnë kushtetutshmërinë e dekreteve.

Kreu i shtetit i miraton vetë ministrat dhe zyrtarë tjerë të lartë pa miratimin e ligjvënësve. Parlamenti mund t’u kërkojë llogari ministrave vetëm me shkrim, e jo më gojarisht si më parë. Në ShBA, presidentit i duhet pëlqimi i Senatit për emërimin e anëtarëve të kabinetit dhe zyrtarëve të lartë, kurse Kongresi ka fuqinë me kërku dëshmi prej sekretarëve.

Presidenti turk do t’i caktojë 12 nga 15 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kryetari amerikan emëron gjyqtarët federativë me pëlqimin e Senatit, që shpesh e kontrollon partia kundërshtare.

Mu Gjykata Kushtetuese do të vendosë për me shkarku presidentin, pasi ta padisin dy e treta e deputetëve. Por për me mbërri te padia, duhet me kalu nëpër një sërë hallkash penguese. Mexhlisi njëherë hap debatin për hetime me shumicë votash. Tek pas një muaj debati, tri të pestat e deputetëve ngarkojnë një komision hetimor prej 15 misesh. Pas hetimeve, Mexhlisi e miraton raportin e komisionit me dy të tretat, dhe ai raport i shkon gjykatës. Në Amerikë, padinë e ngrit Dhoma e Përfaqësuesve, ndërsa gjykon Senati nën kryesimin e kryetarit të Gjykatës së Lartë apo Supreme. (Nga këto, vetëm kryegjyqtarin e emëron presidenti me miratimin e Senatit, kurse organet e tjera i zgjedh populli. Kryetari turk e emëron gati krejt gjykatën vetë.)

Kryetari i republikës do ta propozojë buxhetin. Këtë tagër e kanë rëndom këshillat e ministrave në sistemet parlamentare, por nuk e ka kryetari i Juesejit. Projektligjet për shpenzime kanë të drejtë me i nisë vetëm anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Në Turqi, deputetët nuk do të kenë drejtë me paraqitë propozime buxhetore, dhe vetëm anëtarët e komisionit të buxhetit do lejohen me kërku ndryshime në projektin presidencial.

Zgjedhjet mund të mbahen para kohe. Presidenti turk do të mund ta shpërndajë parlamentin, dhe gjasshëm do ta bëjë këtë kur nuk merret vesh me deputetët. Kurse presidenti amerikan nuk ka çare pa bashkëpunu me Kongresin, pa marrë parasysh se cila parti e ka shumicën.

Kryetari mund të rrijë në pushtet me dekada. Tri të pestat e deputetëve mund ta shpërndajë parlamentin. Vendi pastaj mban tok zgjedhjet parlamentare e presidenciale, por presidenti mund të zgjedhet edhe për herë të tretë. Me këtë potez, Mexhlisi mund t’ia mundësojë Erdoğanit rizgjedhjen pafund, përkundër kufizimit prej dy afatesh. Kongresi amerikan, në anën tjetër, s’mund ta shpërndajë veten e as t’ia mundësojë kreut të shtetit me u zgjedhë së treti.

Me këto ndryshime kushtetuese, presidenti turk është dukshëm më i fuqishëm se kolegu i tij amerikan. As Mexhlisi e as populli votues nuk ka pozitën që kanë Kongresi e qytetarët amerikanë me ndiku në qeverisje. Gjykatat — ani pse me njërin nga amendamentet detyrohen me qenë «asnjanëse» — varen nga presidenti.

E vetmja pikë ku kryetari i ShBA-së ia kalon xhumhurbashkanit turk është vetoja, ani pse edhe këtë e kanë forcu ndryshimet e sivjetme. Të dy presidentët mund ta kthejnë mbrapsht një projektligj. Por Mexhlisi do të mund ta rimiratojë projektligjin me shumicën e të gjithë deputetëve. Për ta prishë veton presidenciale në Washington, kërkohen dy të tretat e të pranishmëve në secilën dhomë të Kongresit.

Por në tërësinë e sistemit dhe në rrethanat praktike, vetoja e butë nuk ia zbeh aspak fuqinë udhëheqësit të tashëm Tayyip Erdoğan. Ai ndodhet në pushtet që nga viti 2002, ndërkohë që ShBA-ja ka ndërru tre presidentë. Kontrolli i dy dhomave tej Atlantikut i ka kalu herë njërës e herë tjetrës parti, kurse Mexhlisin në Ankara e ka mbizotëru AKP-ja qe 15 vjet.

Ndonëse politologët e rendisin në radhën e modeleve presidenciale, ShBA-ja ka qeverisje të mirëfilltë pushtetndarë: degët ligjvënëse, përmbarimore dhe gjyqësore kanë role të qarta e të padelegueshme, ndërkohë që baraspeshojnë dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Në Turqi, presidenti do të qëndrojë mbi institucionet e tjera si një monark i dikurshëm europian — diçka si Aleksandri i Jugosllavisë. (Më 1929, krali sërb bëri puç për me marrë krejt pushtetin për vete. Kurse dy vjet më vonë, shpalli një kushtetutë që i jepte tagrin me e emëru vetë gjysmën e Senatin.)

Ndryshimet kushtetutore në Turqi nuk e bëjnë atë shtet si ShBA-ja. Ato i japin pushtetit goxha të gjerë kreut të republikës. Fati i demokracisë atje tashmë nuk varet nga populli e as institucionet, sa varet nga vullneti i udhëheqësit të vendit. Na mbetet me shpresu se do ta përdorë pushtetin ligjor me urti.

(Autori është avokat në Teksas, ShBA.)