Pas parlamentit në çadër – qeveria në hije

Opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar janë të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Opozita është në të drejtën e vet të lëvizë çdo gur për këtë kauzë. Por, ajo duhet t’u provojë shqiptarëve se e ka një vizion modern për të ardhmen e vendit.

Pamje nga protesta e tetorit 2016 në Tiranë. Foto: Alla Simacheva / Shutterstock.



Partia më e madhe opozitare në Shqipëri është ngujuar në një çadër përballë Kryeministrisë dhe i bën karshillëk Qeverisë duke kërkuar qeveri teknike, e cila do të siguronte zgjedhje të lira. Më pak se katër muaj para zgjedhjeve! Kjo çadër në njëfarë mënyre është prushi që lanë mijëra protestues, të cilët iu përgjigjën Partisë Demokratike për ta demonstruar njëmendësinë e saj për kauzën që afirmon. Vatra ku ngrohen politikanë të opozitës përditë.

Ajo që nuk kontestohet në debatin që po zhvillohet në Shqipëri lidhur me situatën e re është mu masiviteti i demonstratës së Partisë Demokratike, solidariteti popullor me kauzën e saj. Kjo është ajo që i detyron të përmbahen në kualifikimet e tyre edhe kritikët më të mëdhenj të kësaj partie. Edhe kryeministrin shqiptar, më i spikaturi për ironinë e tij ndaj opozitës. Ngadalë po shfaqen edhe një mori analistësh që i pranojnë shkaqet e kësaj situate dhe e ndajnë frikën nga manipulimi i zgjedhjeve.

Ka një konsensus për rrezikimin e zgjedhjeve të lira nga përhapja galopante e drogës. Për më keq, edhe për akuzat e implikimit të policisë në këtë biznes… Mu këto ditë, kreu i antimafies italiane jep alarmin në Shqipëri për shumëfishimin e trafikut të drogës me vendin e tij. Një ditë më parë, shefi i OSBE-së në Shqipëri deklaroi se po qarkullojnë dy miliardë euro, të cilat mund të përdoren për blerjen e votave. (Ç’është e vërteta, një ditë më pas ajo e përgënjeshtroi këtë deklaratë, siç e relativoi raportin për pasurinë e kryeministrit). Disa ditë më herët ishte ambasadori amerikan në Tiranë ai i cili paralajmëroi për manipulimin e zgjedhjeve.

Kjo lidhet edhe me partneritetin e Qeverisë me krimin. Ky, në fakt, është pranuar nga vetë Qeveria me miratimin e Ligjit të dekriminalizimit. Paçka se e ka të pamundur të shkëputet nga ata aktorë, siç tregon rasti i Kavajës. Këto ditë, njëri nga të përjashtuarit nga Parlamenti, i denoncuar në një raport të Departamentit të Shtetit, u bë protagonist i një sherri kundrejt një ish-deputeti të Partisë Socialiste! Ajo madje akuzohet se është e angazhuar t’i nxjerrë nga burgu kampionët e kriminalitetit në Shqipëri.

Ajo që u mungon vëzhguesve në këtë protestë të Partisë Demokratike, sidomos në logun e saj të çadrës, është solidariteti i forcave të tjera politike rreth kësaj vatre të opozitës. Sidomos ai i Ilir Metës dhe Ben Blushit. Kjo, sipas tyre, është një dështim i kësaj partie. Kjo, sipas tyre, pavarësisht masivitetit të protestës së të shtunës së kaluar, e nxjerr Partinë Demokratike paksa të vetmuar.

Vërejtja mund edhe të qëndrojë. Por, kjo padëgjueshmëri qytetare prezantohet si një ndërmarrje e një aleance opozitare prej 25 partish (hajde numëroji të gjitha!), e prirë nga Partia Demokratike. Blushi e ka refuzuar strehimin e tij në çadrën e kësaj partie. Kështu do vepronte çdo njeri i zgjuar në vend të tij. E kundërta do të ishte një vetëvrasje, ajo do t’i sillte atij mallkimin si lojtar i Sali Berishës. Kurse Meta është njëri ndër të akuzuarit për këtë katandisje të Shqipërisë – a i sjell ai kapital politik protestës?

Opinioni publik ka megjithatë të drejtë të insistojë në dyshimet e tij. Pyetja është se si mund t’i besojë ai një partie, e cila nuk është çliruar nga kusuret e veta, e cila nuk është përshëndetur me traditën e keqe? Çfarë garancish jep Partia Demokratike se nuk do të bjerë në të njëjtat mëkate si mazhoranca e sotme, se nuk do t’i kthehet avazit të saj të vjetër, i cili ndryshon vetëm në ndonjë dimension nga qeverisja e sotme?

Kaq thjesht e kam dëgjuar nga një publicist shqiptar: Demokracinë e përcakton ekzistimi i opozitës, jo ai i pushtetit. Sepse, pushtet kanë të gjitha regjimet, kurse opozitë jo. Dhe, asaj nuk mund t’i mohohet që ta thotë të vërtetën, edhe nëse, mjerisht, vetë nuk ka një jetëshkrim të kulluar. Ky, megjithatë, është një shërbim që ajo ua bën qytetarëve. Dhe, një opozitë e ka gjithë të drejtën e Zotit që të angazhohet në rrugë demokratike, edhe në kuptimin e saj të mirëfilltë, për zgjedhje të lira.

Por, me këtë ligjërim nuk është shuar prushi i dyshimeve të opinionit publik. Partia Demokratike, të enjten, ditën e seancave të Parlamentit shqiptar, çadrën e saj e shpalli parlament alternativ, të vërtetë. Nëse ajo do ta bindë opinionin se është reformuar, se e ka një vizion tjetër, të panjohur, për qeverisjen e Shqipërisë, atëherë Lulzim Basha t’i sfidojë të gjithë me një qeveri në hije. Ta prezantojë edhe kabinetin e tij të ardhshëm, ta dëshmojë njëmendësinë e tij demokratike dhe mendësinë e tij të re.