Pas importimit të Kodit Penal nga Gjermania gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës marrin emra gjermanë

Me qëllim të sundimit të ligjit dhe vetëm ligjit Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që gjykatësit dhe prokurorët të heqin dorë nga emrat orientalë, otomanë dhe shqiptarë dhe tani e tutje të marrin emra gjermanë.

Ilustrimi: Shutterstock



«Për ministrinë e punëve të brendshme e të mbikëqyrjes së drejtësisë paguhen një milion e njëqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e shtatë guldena. Për to ju siguroni një lëmsheli ligjesh, të grumbulluara nga urdhëresat arbitrare të të gjithë shekujve, të shkruara më së shumti në gjuhë të huaj. Aty është trashëguar për ju marrëzia e gjithë brezave të mëparshëm, shtypja që rëndonte mbi ta është kaluar mbi ju. Kjo drejtësi është vetëm një mjet për t’ju mbajtur ju nën rend, në mënyrë që t’jua pinë gjakun më kollaj; ajo flet nëpërmjet ligjesh të cilat ju nuk i kuptoni, nëpërmjet parimesh të cilat ju nuk i dini, nëpërmjet vendimesh të cilat ju nuk i kapni. (…) Shumica e gjykatësve i janë shitur qeverisë nga maja e flokut te maja e thonjve».
Georg Büchner: Mesagjeri i landit i Hessenit, 1834. 

Në të ardhmen kush – «biiiiiiiiiiip» – presidentin, kryeministrin apo kryetarin e parlamentit të Republikës së Kosovës do të dënohet ose gjobitet sipas standardeve më të larta juridike, sipas standardeve gjermane. Standarde më të larta nuk ka. Gjermani edhe standardin e ka zbuluar! Kësisoj, duke aplikuar nenet përkatëse të Kodit Penal gjerman, Kosova do t’ua vë prangat atyre që shajnë shkëlqesitë në krye të shtetit dhe njëkohësisht do të plotësojë kushtet e fundit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian më 1 korrik 2017, tamam në 10 vjetorin e heqjes së vizave për vendet e Schengenit. Kësaj qasjeje i thonë: një udhë e dy punë.

Nenet për dënimin e atyre që cenojnë personalitetin dhe veprën e presidentit, kryeministrit apo kryetarit të parlamentit të Republikës së Kosovës janë marrë nga Kodi Penal i Gjermanisë, njoftoi Ministria e Drejtësisë. Kopjimi – kjo shkencë më vete e botës shqiptare. Kur George Clooney ia kopjon «flizurën» Hashim Thaçit, përse të mos kopjojmë edhe ne ndonjë copë ligji në Gjermani. Ata kanë boll ligje, ne kemi boll kohë të kopjojmë.

Me qëllim të sundimit të ligjit dhe vetëm ligjit Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që gjykatësit dhe prokurorët të heqin dorë nga emrat orientalë, otomanë dhe shqiptarë dhe tani e tutje të marrin emra e mbiemra gjermanë. Kështu garantohet zbatimi i ligjit, kështu do të kemi shtet funksional, kështu do të na hapen dyert e Bashkimit Europian, kështu marshin tonë drejt ardhmërisë së ndritshme s’ka kush e ndalë. Këshilli Gjyqësor ka vendosur po ashtu t’i kthejë menjëherë në punë të gjithë prokurorët dhe gjykatësit që viteve të fundit janë dënuar padrejtësisht për vepra tërësisht bamirëse, siç është falsifikimi i dokumenteve për shitblerje patundshmërish, lëshimi i vendimeve të paligjshme gjyqësore, shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit, shpëlarja e parave dhe mashtrimi.

Gazetarët zhbirues e kanë zbuluar listën me emrat e rinj gjermanë të gjykatësve dhe prokurorëve kosovarë. Sali Mekaj do të quhet Rainer Zufall, Kolë Puka do të quhet Hans Wurst, Nazmi Mustafi do të quhet Ernst Haft, Bajram Hamitaga, i cili është korruptuar me një kosë, një çadër dhe 5 mijë euro, do të bart me krenari emrin gjerman – Paul Hengst, ndërsa Nuhi Uka me short e ka tërhequr emrin Kai von Kotze. Gjyqtari Fazli Haxha, i dënuar për shkak se ia vodhi fqinjit 600 metra tel bakri, mori emrin e ri Siegfried Kotenbeutel. Në ditët në vijim do të shpërndahen për gjykatëset dhe prokuroret e Kosovës këta emra: Klara Himmel, Jana Türlich, Anna Nass, Klara Fall, Petra Grabsch, Heidi Unterbusch, Gisela Gurke, Adalberta Kiffer.

Me këto reforma rrënjësore Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, qeveria dhe zyra e presidentit të Republikës së Kosovës janë bërë shembull në rajon dhe përtej rajonit për përkushtim në punë dhe kreativitet në zbatimin e ligjit.