Pas 37 delikteve: Zvicra e dëbon shoferin e papërgjegjshëm kosovar

Një kosovar refuzoi të mbushet mend. Dhe pas dy vërejtjeve dhe dhjetëra dënimeve ai u dëbua nga Zvicra.




Mes viteve 1993 dhe 2016 një kosovar u dënua në Zvicër 37 herë për shkak të delikteve të ndryshme. Shumica e delikteve kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit të komunikacionit: tejkalim masiv i shpejtësisë (për çka atij i ishte konfiskuar edhe patentë-shoferi), tetë herë kishte telefonuar gjatë ngasjes së veturës, ishte parkuar kundërligjshëm, nuk i kishte dorëzuar me kohë targat ose lejen e qarkullimit pasi ishte dënuar.

Kosovari, baba i 4 fëmijëve dhe ish-pronar i një ndërmarrjeje ndërtimore, kishte shkelur edhe ligjin për të huajt dhe kishte refuzuar urdhërat e Zyrës së Përmbarimit. Për të gjitha këto prapësi kosovari jo vetëm që ishte dënuar, por edhe i ishte tërhequr vërejtja që urgjentisht të përmirësohet në mënyrë që të mos rrezikojë të drejtën e qëndrimit në Zvicër.

Me gjasë të gjitha apelet e autoriteteve zvicerane nuk bënë punë. Pasi Enti i Migrimit i kantonit Schwyz i kishte anuluar lejeqëndrimin në Zvicër, kosovari u ankua në Gjykatën Administrative të kantonit dhe në Gjykatën Federale, por të dyja këto instanca mbështetën vendimin e Entit të Migrimit për dëbimin e kosovarit nga Zvicra.

Përveç stilit aventurier të ngasjes së veturës kosovari kishte edhe 80 raste në Zyrën e Përmbarimit në vlerë prej 357 mijë franga – domethënë borxhe e obligime që s’i kishte paguar. Gjykata Federale nënvizoi se përkundër faktit se disa delikte nuk janë të rënda, ato mjaftojnë për ta dëbuar kosovarin nga Zvicra, sepse vendimtare janë shpeshtësia e delikteve dhe refuzimi i kosovarit për t’u përmirësuar. (dp/-lli)