Partitë politike arrijnë konsensusin për Reformën në Drejtësi

Pas një dite negociatash të ethshme, partitë politike arritën të enjten në mbrëmje dakordësinë e shumëpritur për paketën e ndryshimeve kushtetuese pjesë të Reformës në Drejtësi.

Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Foto nga : LSA

Konsensusi për reformën në drejtësi erdhi pas negociatave intensive midis ambasadorit të SHBA-së Donald Lu, kreut të delegacionit të BE-së Romana Vlahutin, kreut të Parlamentit Ilir Meta dhe liderit të Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha.

«Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët», vlerësoi Meta pas arritjes së marrëveshjes.

Kryeministri Edi Rama u mjaftuan me një koment pa fjalë por me flamujt e BE-së, Shqipërisë dhe SHBA-së në rrjetin social Twitter.

Ndërkohë ish kryeministri Sali Berisha e akuzoi Ramën se kishte tentuar të vinte nën kontrollin e tij dhe të PS-së institucionet e reja të drejtësisë.

«Edi Rama e shifte veten se si do jetë kryegjykatës, kryehetues, kryeprokuror, ndërsa Xhafa i drogës e shifte veten se si duhet të ishte superministër, anëtar i tribunalit disiplinor, anëtar i KLGJ, anëtar i KKP, anëtar i të gjitha forumeve saqë ai ishte bërë si klloçka që i fuste nën sqetull të gjitha institucionet e drejtësisë përveç Edi Ramës», tha Berisha pas arritjes së dakordësisë.

Ndryshimet kushtetuese e miratuara janë një produkt i një vit e gjysmë pune të një komisioni të posaçëm parlamentar, i asistuar nga një grup ekspertësh të nivelit të lartë, si dhe misionet ndërkombëtare të EURALIUS dhe OPDAT.

Produkti i Komisionit i është nënshtruar opinionit të Komisionit të Venecias si dhe negociatave intensive të partive politike dhe komuniteti ndërkombëtar – të cilët janë përplasur deri në minutën e fundit për detajet e draftit që i miratua në parlament.

Pikat e fundit për të cilat palët u dakordësuan gjatë javës së fundit lidhen me procesin e filtrimit profesional ose vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, dhe Këshillit e Lartë të Prokurorisë, KLP.

Një pikë shumë e debatuar nga palët ka qenë dhe formati i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka rolin e përzgjedhjes së ekspertëve shqiptarë të cilët do të ndërmarrin operacionin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zgjidhja e kësaj nyje gordiane për palët erdhi pas propozimeve të ndihmës/sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland dhe komisionerit të BE-së për Zgjerim Johannes Hahn.

Sipas propozimit hibrid të prezantuar në Tiranë më 10 korrik nga Nuland, ndërkombëtarët do të kishin një rol kyç në filtrimin e kandidatëve për 21 pozicionet e vetingut.

Partia Demokratike këmbënguli gjatë javës së fundit që ndërkombëtarët të mos kishin kompetenca kushtetuese por vetëm rol rekomandues, ndërsa pas ndërhyrjes në negociata të zyrtarëve të lartë të Brukselit, u detyrua të pranonte marrëveshjen me plotësimin e njërës prej kërkesave të saj.

Përmes një letre të dërguar në adresë të drejtuesve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn zbardh variantin përfundimtar të pranuar nga palët.

Sipas kësaj letre, ngritja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të kenë bazë solide në Kushtetutën e re të Shqipërisë, ndërkohë që ky mision do të ketë rol rekomandues për kandidaturat që do t’i kalojnë më pas komisionit ad hoc.

Të mërkurën në drekë zgjidhja e dhënë nga komisionari Hahn, i çoji palët të shpallnin arritjen e marrëveshjes për reformën. Megjithatë, kjo marrëveshje u vu në diskutim të mërkurën në mbrëmje kur Partia Demokratike avancoi kërkesa të reja mbi zgjedhjen e anëtarëve të KLP-së dhe KLGJ-së.

Përbërja e këtyre dy institucioneve u bë përsëri objekt negociatash të enjten, dhe nën presionin e BE-së dhe SHBA-se palët dhanë dakordësinë për një formulë të re.

Formula e re për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së parashikon përfshirjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në vetingun e anëtareve.

Sipas draftit 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej pesë anëtarësh në Parlament, tri nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short pas raundit të dytë.

Edhe pse është shoqëruar me debate të shumta dhe akuza politike, kalimi i Reformës në Drejtësi në parlament është një hap kyç për të mbajtur të hapur perspektiven e integrimit Europian të Shqipërisë.

Megjithatë, avancimi i vendit drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE do të varet nga implementimi i Reformës dhe një luftë më efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/partite-politike-arrijne-konsensusin-per-reformen-ne-drejtesi/)