Partitë e vogla e gjejnë veten jashtë pushtetit nga kompromisi PS-PD

Pas tetë vjetësh gjatë të të cilave, partitë e vogla si LSI apo PDIU manovruan mes dy partive të mëdha duke përfituar pushtet disproporcional, marrëveshja mes Ramës dhe Bashës krijoi efektivisht një koalicion të gjerë duke nxjerrë jashtë loje të vegjlit.

Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha



Në vitin 2008, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër dhe Edi Rama, kryetar i ri i Partisë Socialiste, shtrënguan duart në një marrëveshje që synoi të fuqizonte rolin e tyre si udhëheqës në partitë respektive dhe të pakësonte pushtetin potencial të partive të vogla. Marrëveshja e vitit 2008 u interpretua gjerësisht në atë kohë si një marrëveshje anti-LSI, por pasoja më e madhe e saj qe sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, në të cilin, kryetarët e partive efektivisht përcaktojnë se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë deputet me liri të plotë për të zgjedhur sipas interesit të vet. Për rrjedhojë, në zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato të vitit 2013, u tha se shqiptarët efektivisht votuan se kë do të kishin kryeministër, por jo se kë do të kishin deputet përfaqësues.

Marrëveshja për të përjashtuar LSI-në duket se dështoi në vitin 2009, kur Partia Demokratike arriti të fitojë bashkë me aleatët e vet vetë, 70 deputetë, një më pak se sa minimumi i mundshëm për krijimin e një maxhorance. Përgjatë tetë viteve që pasuan, LSI dhe PDIU u bënë parti të rëndësishme në pushtet, me një rrjet të gjerë drejtorësh dhe punësimesh në administratën publike si dhe përfitimesh të tjera nga pushteti.

Pas zgjedhjeve për pushtetin vendor 2015, u diskutua gjerësisht në opinionin publik ideja e një kompromisi të ri mes PS-së dhe PD-së, kompromis që efektivisht duhej t’i jepte maxhorancë solide parlamentare njërës prej këtyre partive duke e çliruar qeverisjen e vendit nga maxhorancat e paqëndrueshme apo nga partitë klienteliste. Një nga opsionet e diskutuara qe ndërtimi i një sistemi zgjedhor me prim, i ngjashëm me sistemin grek, në të cilin, partia që arrin të marrë shumicën e votës popullore merr një numër deputetësh shtesë mbi pjesën proporcionale me synimin për të krijuar një maxhorancë qeverisëse në kushtet kur asnjë parti nuk është në gjendje të mbledhë më shumë se 50 për qind të votave. Një opsion i dytë qe krijimi i një koalicioni me bazë të gjerë PS-PD me synimin e kryerjes së një reforme zgjedhore.

Mesnatën e 17 majit 2017, krerët e dy partive, Edi Rama për PS dhe Lulzim Basha për PD, biseduan për orë të tëra jashtë vëmendjes së publikut për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Kur marrëveshja u publikua mesditën e 18 majit, u bë e qartë se PS dhe PD kanë vendosur të krijojnë një qeveri të përbashkët me Edi Ramën kryeministër dhe me një zëvendëskryeministër e gjashtë ministra nga PD. Në pazar u luajtën edhe disa nga drejtoritë më të rëndësishme të shtetit, të cilat teorikisht duhet të jenë poste profesionistësh ndërkohë që në fakt janë poste partiake.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka luajtur rolin e forcës së tretë përcaktuese përgjatë tetë viteve të fundit, pa se në pazarin e dy të mëdhenjve, kryetari i saj i ri Petrit Vasili u shkarkua nga posti i Ministrit të Drejtësisë. Shumë nga drejtorët e LSI e panë veten viktima rastësore të një urdhri të dhënë nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë për «pezullimin nga detyra» ose shkarkimin e atyre zyrtarëve të administratës publike që janë nominalisht edhe kandidatë për deputetë. LSI nuk dha koment për marrëveshjen Rama-Basha. Kryetari i saj u përpoq të bëjë një ironi e cila nuk është se ngjiti shumë.

Nga ana tjetër Mesila Doda, ish-deputetja demokrate që tashmë gjendet në Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, komentoi në Facebook se marrëveshja PS-PD synon të shkatërrojë partitë e vogla. Ajo i tha dy partive të mëdha «ta ndanin kanabisin bashkë».

Një nga pikat e marrëveshjes qe që partitë të mos bëjnë koalicione. Në mungesë të koalicioneve, partive të vogla u duhen efektivisht dy herë më shumë vota për të prodhuar një deputet nga sa u duhej brenda një koalicioni. LSI dhe PDIU pritet të penalizohen nga kjo skemë krahas partive të tjera si Libra apo Sfida.

Ben Blushi, kryetar i Libra, qe më i prerë kur komentoi paktin si një pazar për të ndarë paratë e korrupsionit nga ajo pjesë e administratës publike që do t’i kalojnë opozitës. “Kjo marrëveshje do të mbahet mend si marrëveshja që ndau burgjet, paratë e energjisë, hipotekat dhe legalizimet mes Rilindjes dhe Partisë Demokratike», komentoi ai.

Fuqizim i mëtejshëm i kryetarëve

Në thelb, koalicioni i madh PS-PD do të qeverisë bashkarisht për deri shtatorin e ardhshëm, kur parlamenti aktual të zëvendësohet me parlamentin e ri. Lulzim Basha mund t’i humbasë zgjedhjet e 25 qershorit, por në mungesë të koalicioneve parazgjedhore dhe me LSI e PDIU efektivisht në opozitë, kjo humbje mund të jetë krahasimisht më e lehtë për Partinë Demokratike, e cila rrezikonte të zhdukej në presionin e dy partive të vogla për të siguruar me çdo çmim sa më shumë vota për veten. Por marrëveshja mes Ramës dhe Bashës duket se shërben njëkohësisht për fuqizimin e mëtejshëm të këtyre të dyve në partitë përkatëse.

Listat e kandidatëve për deputetë zakonisht quhen «listat e partive», por praktikisht janë «listat e kryetarëve». Është e njohur nga të gjithë që as në PS dhe as në PD, strukturat partiake nuk kryejnë kurrfarë procedure përzgjedhëse apo votim të brendshëm për hartimin e këtyre listave.

Listat e kandidatëve të Partisë Demokratike pritet të shpallen pas një jave ndërsa listat e Partisë Socialiste janë tashmë publike. Rama ka përcaktuar në listë disa nga krerët e partisë së vet jo në fillim, siç duhet të jetë teorikisht një listë që supozohet se përfaqëson partinë, por në mes të saj. Gramoz Ruçi është i renditur i nënti në qarkun Fier. Mandati i tij është pothuajse i sigurt gjithsesi sepse PS më 2013 ka marrë 9 deputetë në këtë qark krahas dy deputetëve të marra nga LSI.

Dhe meqë ra fjala te LSI, në listën e PS për qarkun Tiranë së paku tre kandidatë të saj janë njëkohësisht militantë të LSI-së. Deri dje, kur zgjedhjet po shkonin pa pjesëmarrjen e opozitës, që të tre pritej të ishin deputetë të zgjedhur. Tashmë, me pjesëmarrjen e opozitës, pozicioni i tyre në numrat 19,23 dhe 24 në listën me 34 deputetë të Tiranës sugjeron se së paku dy prej tyre kanë pak gjasa të zgjidhen. Partia Socialiste dhe aleatët e saj në zgjedhjet e vitit 2013 në Tiranë fituan 19 nga 32 deputetë.

Më në përgjithësi, dy partitë e mëdha pritet ta diskutojnë sistemin zgjedhor në bashkëpunim me njëra-tjetrën në shtatorin e ardhshëm. Që të dyja duken të lumtura me sistemin aktual të listave të mbyllura të caktuara nga kryetarët. Kjo vështirë se mund të përbëjë një lajm të mirë për shqiptarët, të cilët kanë parë se si cilësia e «përfaqësimit» të tyre në parlament ka degraduar nga zgjedhja në zgjedhje, ku kryetarët kanë parapëlqyer të përcaktojnë në pozicionet fituese plot të paaftë, ose kriminelë, ose besnikë, në përgjithësi që të gjithë njerëz të parrezikshëm për pushtetin e tyre.

Dhe në fund fare, tashmë që PS dhe PD do të qeverisin bashkë, është e qartë që vendit i nevojitet një opozitë.

(https://www.reporter.al/partite-e-vogla-e-gjejne-veten-jashte-pushtetit-nga-kompromisi-ps-pd/)