Parlamenti maqedonas vazhdon punimet nën atmosferë kërcënuese

Parlamenti i Maqedonisë do të vazhdojë seancat të hënën mes thirrjeve të militantëve të VMRO DPMNE për t’u mobilizuar ndaj idesë së një qeverie të udhëhequr nga LSDM.

Vazhdojnë protestat nacionaliste në Maqedoni. Foto: MIA



Teksa shumica e re e drejtuar nga opozita në parlamentin maqedonas vazhdon të ushtrojë presion për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe të një qeverie, mediet dhe organizatat afër me ish-partinë qeverisëse VMRO DPMNE kanë vazhduar fushatat alarmante dhe kërcënuese, duke u bërë thirrje mbështetësve të mobilizohen.

Portali i lajmeve Republika lajmëroi të premten se të ashtuquajturat  «shoqata patriotike», të cilat janë shtuar në numër në dy muajt e fundit, kanë filluar «të mobilizohen» për të mbrojtur Maqedoninë kundër idesë së një qeverie të udhëhequr nga Social Demokratët.

Një artikull me titull «Shoqatat Patriotike të Maqedonisë në këmbë: Nuk ka kthim prapa! Askush tjetër nuk do ta mbrojë vendin përveç nesh!» ka cituar burime të paidentifikuara nga këto shoqata, që kanë thënë se po i grumbullonin anëtarët e tyre për të mbrojtur vendin.

«Shoqatat patriotike maqedonase po mobilizojnë anëtarët e tyre në disa qytete për mbrojtjen e shtetit në rastin e SDSM-së që po përpiqet të vërë me forcë një kryetar parlamenti dhe të formojë një qeveri për të realizuar Platformën e Tiranës», shkroi Republika.

«Lidhjet nga ana e tyre po organizojnë grupe të vendosura të mbrojnë demokracinë me çdo çmim  dhe të parandalojnë skenarët e shkatërrimit të Maqedonisë», shtoi i njëjti grup.

«Platforma e Tiranës» sipas tyre janë kërkesat e përbashkëta të rëna dakord nga partitë etnike shqiptare të Maqedonisë, të dakorduara në një takim në Tiranë.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë dhe po kërkojnë përdorim më të madh zyrtar të shqipes, si dhe një shpërndarje më të drejtë të burimeve kombëtare në rajone.

Kuvendi pritet të mbajë të hënën seancën e dhjetë pasardhëse, ndërsa punët për zgjedhjen e kryetarit të ri apo qeverisë kanë mbetur në vend.

Që nga fundi i marsit, VMRO DPMNE ka zvarritur punimet duke ndaluar punën e parlamentit me fjalime të gjata dhe përgjigjet e dhëna mes deputetëve.

Opozita të enjten dhe të premten e shkuar ngriti një mocion duke kërkuar zgjedhjen direkte të kryetarit të ri, por kjo u refuzua nga kryetari aktual Trajko Veljanovski, i cili është nga radhët e VMRO DPMNE-së.

Lëvizja «Për një Maqedoni të Bashkuar», e cila ka organizuar protesta të përditshme kundër formimit të qeverisë së re, ka bërë të ditur se protestat do të shtohen duke filluar të hënën. Ajo ka bërë thirrje gjithashtu që protestuesit  të jenë në gatishmëri.

Në një «shpallje emergjente», lëshuar të enjten, lëvizja i bëri thirrje protestuesve që «të qëndrojnë të gatshëm për një fitore përfundimtare» dhe kërcënoi deputetët e opozitës, duke thënë se: «Populli ju jep postin dhe populli ua merr».

Maqedonia nuk ka arritur të formojë një qeveri të re që prej zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor të vitit të kaluar. Zgjedhjet nuk shpallën fitues të qartë dhe kriza dy-vjeçare politike nuk u zgjidh.

(https://www.reporter.al/parlamenti-maqedonas-vazhdon-punimet-nen-atmosfere-kercenuese/)