Parlamenti Maqedonas haset me zvarritje prej taktikës së VMRO DPMNE-së

Për të dytën ditë radhazi, deputetët maqedonas diskutuan zgjedhjen e një kryetari të ri parlamenti, ndërsa partia VMRO DPMNE përpiqet të vonojë procedurat dhe të pengojë krijimin e një qeverie të re.

Parlamenti Maqedonas. Foto: MIA



Vëzhguesit thonë se taktikat e VMRO DPMNE-së për zvarritje të punëve, të cilat përfshijnë fjalimet e gjata të deputetëve të partisë dhe mbajtjen e diskutimeve mes tyre, që të parandalohet kështu votimi për kryetarin e ri të parlamentit për aq kohë sa të jetë e mundur, pritet të vazhdojnë të mërkurën – dhe mund të zvarrisin procesin për disa javë ose muaj.

Derisa të zgjidhet një kryetar i ri, qeveria e re nuk mund ta marrë detyrën dhe VMRO DPMNE-ja, partia që mbante më parë pushtetin, do të pengojë social demokratët – LSDM, të cilët kanë së bashku një shumicë parlamentare, nga ardhja në pushtet.

Të 51 deputetët e VMRO DPMNE-së janë listuar për të folur dhe gjatë debatit, që filloi të hënën ata kanë folur dhe mes tyre.

«Fatkeqësisht, kjo tregon se e gjithë përbërja e parlamentit të ri, që nënkupton përzgjedhjen e një kryetari të ri dhe funksionimin normal, do të përballen me pengesa të mëtejshme», tha ish-deputeti Naser Ziberi.

Pavarësisht se është e ndaluar nga rregullorja e parlamentit, kryetari provizor Trajko Veljanoski, i cili vjen nga radhët e VMRO DPMNE-së, i lejoi deputetët nga e njëjta parti t’i përgjigjen njëri-tjetrit gjatë debatit sepse ai tha se grupet parlamentare nuk janë formalizuar ende.

Seanca e shumëpritur parlamentare vjen pas një vonese tre-mujore dhe mes krizës së thellë politike që përqendrohet te refuzimi i VMRO DPMNE-së për të lejuar formimin e një qeverie të re të drejtuar nga LSDM-ja.

Shumica e re parlamentare kryesuar nga LSDM-ja shpresoi ta mbaronte seancën sa më shpejt të ishte e mundur, gjë që do t’i hapte rrugën zgjedhjes së qeverisë së re.

Në një përpjekje për të përshpejtuar gjërat, LSDM-ja këtë javë kërkoi zgjedhjen e Talat Xhaferit, një deputet nga partnerët e koalicionit të ri, Bashkimit Demokratik për Integrim, si kryetar i ri parlamenti, duke këmbëngulur në votimin direkt pa diskutime të gjata.

«Diskutimi mes tyre është shkelje e rregullores… shumica parlamentare ka detyrimin të parandalojë bllokimin e mëtejshëm të proceseve demokratike», tha deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

Por deputeti i VMRO DPMNE-së Ilija Dimovski këmbënguli të martën se «debati është baza e parimit demokratik» dhe se partia nuk po e zvarriste me qëllim seancën.

Maqedonia nuk ka arritur të formojë një qeveri të re që prej zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor të vitit të kaluar.  Zgjedhjet u mbajtën me shpresën se do të zgjidhnin një krizë politike dy-vjeçare.

Kriza mori një kthesë për keq më 1 mars, kur presidenti Gjorge Ivanov, i cili ishte kandidati i VMRO DPMNE-së, refuzoi t’i japë liderit të LSDM, Zoran Zaev, mandatin për të formuar një qeveri, pavarësisht sigurimit të shumicës parlamentare.

Rifillimi i punës së parlamentit vjen mes protestave të vazhdueshme të mbajtura nga mbështetësit e VMRO-DPMNE-së kundër qeverisë së lajmëruar të udhëhequr nga opozita.

Opozita megjithatë shpreson se me t’u zgjedhur kryeparlamentari i ri, presidenti Ivanov nuk do të mund të refuzojë dhënien e mandatit.

SDSM-ja e sheh zvarritjen e transferimit të pushtetit, si një pasqyrim të frikës nga përballjet me drejtësinë nga ana e VMRO-DPMNE-së. Udhëheqësit e saj aktualisht janë në hetime penale dhe të akuzuar nga Prokuroria Speciale, gjë që sipas tyre është e motivuar politikisht.

(https://www.reporter.al/parlamenti-maqedonas-haset-me-zvarritje-prej-taktikes-se-vmro-dpmne/)