Parlamenti dhe perversët

Kush po shihet, kush po blihet: si po degradohet demokracia në Kosovë?

Ilustrimi: Shutterstock



«I kemi numrat. Do ta krijojmë qeverinë në afat rekord. Po zhvillojmë takime. Kemi kontakte. Njerëzore. Personale. Deputetët i përgjigjen vetëm zgjedhësve të tyre. Kabineti do të fillojë punës së shpejti». Kështu flasin krerët e koalicionit të mesnatës, të njohur në opinion si PAN. Dërgojnë letra, kërcënojnë, shpifin, i bien ne gjunjë Listës Srpska, telefonojnë Aleksandër Vuçiqin, merren me intriga nëpër kancelaritë diplomatike. Në këtë drejtim panistët kanë përvojë të gjatë: një post, një votë, një terminal doganor, një votë. Krejt kjo është shoqëruar me vokabular vulgar (shih aferën Pronto).

E vërteta është se këta nuk i kanë numrat. Numrat duan t’i blejnë. Sepse si numra i shohin deputetët. Sa është çmimi i një vote? Gjysmë milioni apo një milion euro? Sa terminale doganore janë pjesë e pazareve politike? Sa poste politike apo diplomatike janë vendosur në tezgën e shitjes në shkëmbim të votës? Deri ku shkon perversiteti politik? Tani më shumë se kurrë fillon faza e kontrabandës së deputetëve. Fjalori i Gjuhës Shqipe e shpjegon kështu kontrabandën: «1. Futja a nxjerrja fshehurazi e mallrave të ndaluara, e sendeve me vlerë etj. nëpër kufirin shtetëror duke përdorur mënyra të jashtëligjshme për t’i shpëtuar kontrollit doganor». Pothuaj të gjithë liderët e PAN-it kanë përvojë me këtë veprimtari. A nuk dyshohen këta për kontrabandë me naftë? A nuk kanë kontrolluar këta naftësjellës nga Mali i Zi në Kosovë? A nuk kanë futur cisterna me derivate të naftës në pikat kufitare të Kosovës?

Më tutje, nën pikën 2, Fjalori shpjegon se kontrabandë domethënë: «Që është futur fshehurazi nëpër kufirin shtetëror, pa kaluar nëpër doganë, duke përdorur mënyra të jashtëligjshme; që shitet e blihet fshehurazi për t’i shpëtuar kontrollit shtetëror. Mall kontrabandë». Nëse ka kampionë të veprimeve të paligjshme në Kosovë, atëherë të tillët janë panistët. Pika 3 e Fjalorit vazhdon: «Tregti me mall që futet fshehurazi nëpër kufirin shtetëror ose që shitet e blihet fshehurazi kontrollit të shtetit. Bënte kontrabandë. Merrej me kontrabandë». Se përse derivatet e naftës janë më të shtrenjta në Kosovë se në Maqedoni, është shkruar dhe sqaruar disa herë. Këta që kontrollojnë këtë kontrabandë që nga qershori i vitit 1999, nuk ngurrojnë të merren edhe me tregti të trupave njerëzore. Pika 4 jep shpjegimin përfundimtar: «Në mënyrë të fshehtë e të jashtë ligjshme. U fut (hyri) kontrabandë. Mori (bleu, shiti) kontrabandë». Këta nuk janë futur në politikë, këta politikën e kanë mjet të kontrabandës.

Deri dje e kanë akuzuar njëri-tjetrin për vjedhje të milionave, ndërsa sot të gjithë janë bashkë – në dasma dhe dredhi, sepse parimi i vetëm i tyre është varrosja e çdo parimi. Si mbeti tani puna e vilave në Monte Carlo dhe në Dubai? Po «shtëpia disamilionëshe në Prishtinë, banesa dykatëshe në Prishtinë, banesa në Prizren, banesa në Tiranë, banesa në Durrës, vilat në Durrës, në Brezovicë, pronat disamilionëshe në Dukagjin, tokat në Miradi, kullat disamilionëshe në Glloxhan»? E si mbeti puna e uzurpimeve në Pejë, Prizren, çështja me truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan, pompat e benzinës dhe shumë të tjera.

Autor i këtyre akuzave të rënda kundër Ramush Haradinajt është Adem Grabovci, atëbotë shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. A ishin të gjitha këto gënjeshtra? Apo janë të vërteta që tani duhet të harrohen vetëm për të siguruar pushtetin me çdo kusht, me çdo mjet, me çdo arkë të zezë që e mirëmbani në nëntokë, me çdo intrigë? Kështu në Kosovë degradohet demokracia dhe parlamenti shndërrohet në një arenë perversiteti.

Këtij perversiteti mund t’i japin fund 62 deputetë shqiptarë – të LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy grupe politike përfaqësojnë popullin shumicë. Dhe janë garancia më e mirë që pakicat të mos shndërrohen në mall kontrabande, për çmimin e të cilit negociohet me Beogradin, siç synojnë panistët. Kosova nuk mund të jetë më peng e intrigantëve që gjithçka çfarë dinë për qeverisjen e shtetit është çmimi i naftës së kontrabanduar dhe i deputetëve të kontrabanduar.

Një gjë që tani është e qartë: pa marrë parasysh kush shitet, në histori nuk do të jetë më shumë se një kërmë, një cofëtinë politike pa asnjë perspektivë. Sepse zgjedhjet e 11 qershorit kanë treguar një gjë: shumica e shqiptarëve të Kosovës, pra rreth 400 mijë votues, janë të gatshëm të shkatërrojnë ata që po e shkatërrojnë Kosovën. Ky disponim qytetar vetëm se do të forcohet. Njerëzit nuk janë të gatshëm të durojnë më që në krijimin e qeverisë së Kosovës të ketë më shumë ndikim Aleksandër Vuçiqi dhe «komandantët e tij» në Prishtinë se 400 mijë votues shqiptarë.