Parkimi i veturës në Zürich me çmim të ri: për 3 orë gati 10 franga

Qytetarët e Zürichut me të drejtë vote kanë vendosur në referendum që çmimi për parkimin e veturës në qendër të qytetit të shtrenjtohet për 50 për qind.

Zürich. Foto: Shutterstock

Të dielën votuesit e qytetit të Zürichut kanë vendosur me një shumicë të ngushtë për shtrenjtimin e tarifës për parkimin e veturave. 52 për qind e pjesëmarrësve në referendum kanë votuar për shtrenjtim, 48 ishin kundër. Autoritetet e qytetit po ashtu ishin angazhuar për shtrenjtim.

Në zonat e tarifës së lartë në të ardhmen një orë parkim do të kushtojë 3 franga (deri më tani 2). Dy orë parkim do të kushtojnë 7.50 franga, tri orë 9.50 në vend të 8 frangave si deri më tani. Me këtë shtrenjtim qyteti do të arkëtojë deri në dy milionë franga shtesë. Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi në prill të vitit të ardhshëm.

Fushata për apo kundër rritjes së çmimeve për parkim është zhvilluar me tone emocionale. Partitë e qendrës dhe të djathta, të cilat janë të afërta me lobin e automobilistëve, kanë kundërshtuar shtrenjtimin. Ato theksuan se janë të shqetësuara se shtrenjtimi do të dëmtojë zejtarinë dhe dyqanet e Zürichut, sepse njerëzit nuk do t’i parkojnë veturat në qendër të qytetit për shkak të çmimeve të shtrenjta. Komiteti që përkrahu shtrenjtimin e çmimeve njoftoi se ishte shumë i gëzuar me këtë vendim të qytetarëve. Ky komitet shpreson se në të ardhmen do të reduktohet numri i veturave që do të shqetësojnë kalimtarët dhe banorët duke kërkuar vende për parkim në qendër të qytetit. (-lli)