Parashikime ogurzeza për Kosovën të profesorit të Harvardit

Shoh rrezik nga ekstremizmi në Kosovë dhe do të befasohesha shumë nëse nuk realizohet shkrimi i New York Times rreth asaj se si Kosova po shndërrohet në Molebek të ri.

Ky është vlerësimi i profesorit të Universitetit amerikan Harvard, Niall Ferguson, në një intervistë, dhënë të përditshmes së Beogradit «Politika», transmeton Koha.net.

Në një intervistë për këtë gazetë, Ferguson citohet të ketë thënë se ekstremizmi është një lëvizje globale që synon madje edhe komunitetet sekulare dhe t’i shndërrojë në ithtarë të versionit ekstrem të islamit. Siç e citon atë «Politika», ai ka thënë «kemi krijuar shtet jostabil dhe të rrezikshëm».

Gazeta thotë se ndonëse ai e vlerëson të suksesshme ndërhyrjen në Kosovë, Ferguson thekson se gabimi u bë më vonë, kur u njoh pavarësia e Kosovës.

I pyetur nëse anëtarësimi i Serbisë në BE është i pamundur për shkak të Kosovës, Ferguson është përgjigjur se Perëndimi sërish për këtë duhet të mendojë mirë.

«Nëse duam paqen e stabilitetin në Ballkan, atëherë nuk ka kuptim që një Kosovë e vogël të jetë pengesë për integrimin e Serbisë në BE. Serbia po ashtu duhet ta kuptojë se Kosova kurrë nuk do të jetë më pjesë e Serbisë», ka thënë historiani britanik, që jeton e punon në SHBA.

«Domethënë, ka nevojë për një term dykuptimësh, të shmanget qartësia dhe përcaktimi rreth kësaj çështjeje, dhe të mos kërkohet që Serbia të njohë pa mëdyshje Kosovën», ka thënë Ferguso, të cilin magazina «Times» e rreshton ndër 100 personalitetet më me ndikim të planetit.