Parajsë prej letre!

Racë e poshtër apo super racë? Ju të dyja ekstremet. Na lini të qetë të jemi vetëm kështu si jemi, as super-racë e as racë e poshtër. Jemi shqiptarë me të gjitha të mirat e këqijat që i kemi ashtu si të gjithë të tjerët.

Foto: Shutterstock

Ky nuk është muhabet ku paraqiten në terrin më të thellë të gjitha mangësitë e popullit shqiptar dhe tiparet prapanike të tij. Ky muhabet nuk është për qëndrimet ekstreme sikur të mos ketë tjetër përpos qëndrimeve të skajshme. Nuk flet për popullin racë e poshtër, popull budalla, popull që s’meriton as këtë pak që e ka, shqiptari-gomari, shqiptari-kosovari, patrioti, myslimani, serbofili, turkofili e grekofili e as për super-racën pellazgo-iliro-shqiptare. Të gjitha në skajshmëri. Të mos i rendis këtu të gjitha që kemi lexuar e dëgjuar qe sa kohë. Duket se të gjithë mendimtarët shqipfolës janë në garë se kush po zbulon mënyra të reja dhe kreative për ta ofenduar, përçmuar e përulur këtë popull.  Ku është qëllimi i kësaj dhe pse po ndodhë kjo?

Mjaft u cituan teori, autorë e shkencëtarë të ndryshëm mbi kombin dhe shtetin se çfarë është i pari e çfarë i dyti. Presione të llojllojshme që ne të tjerët ta pranojmë ose njërin ose tjetrin skaj. A mos i pyet kush shqiptarët se çka mendojnë apo çfarë dëshirojnë dhe si ndjehen ata vet? Ah, po! Më falni. Shqiptarët nuk i pyet kush për këtë, sepse janë me të gjitha etiketat e lartpërmendura nga vetë ata. I kisha ftuar të gjithë që sa herë t’ju vijë ta shajnë popullin e vet kaq vrazhdë, të shikojnë pasqyrën e ta shohin kënd po e përçmojnë. Vetëkritika është e nevojshme, sepse mëton të korrektojë rrugën dhe ta rrisë efikasitetin, por kjo nuk po ndodhë apo jo? Sepse kjo nuk është vetëkritikë, por është vetëgjymtim fatal. Kësaj orkestre tani ju kanë bashkangjitur edhe ambasadorë të vendeve mike me një zell shumë entuziast.

Fjalët më herët kishin peshë të madhe. Për një shkrim të botuar, të cilin duhej ta lexonim në mes rreshtash porosinë e fshehur, mblidheshin 100 mijë veta në rrugët e qytetit të nesërmen. Njerëzit e letrave ishin përfaqësues të fuqisë së fjalës dhe ndjenin përgjegjësi për edukimin e masës dhe masa i përcillte ata. Pra, ata ndanin njohurinë me të tjerët.  Ata respektoheshin, sepse përdorimi i fjalëve nga ta ishte pothuajse magji ndonjëherë. Tani fjalët s’kanë asnjë peshë,  por njerëzit janë të ngjitur për to si pas një droge. Fuqia e fjalës po përdoret ta shtypë vetë njeriun, t’ia shtyp mendjen e shpirtin dhe ta vendosë në konfuzion sa më të madh. E gjithë kjo për ta kontrolluar këtë masë konsumuese.   Na kapën shtetin e pushtetin, por na vodhën edhe fjalën e shpirtin. Për demokracinë e hyjnizuar s’dua të flas këtu.  Ajo ekziston vetëm në letër. Parajsë prej letre!

Këtu ju ftoj të ulemi e ta shikojmë këtë muhabet me synimin e thjeshtë e të çiltër të një inteligjence pak më tradicionale, por me informata të reja. Populli është si një trup i vetëm që vepron si i tillë në shumë funksione të ekzistencës së tij dhe të njëjtën rëndësi kanë po ashtu pjesëtarët e tij. Roli i popullit dhe roli i pjesëtarëve te atij populli është i barabartë. Nuk ka rëndësi më të madhe njeri apo tjetri. Si dy kokat e shqiponjës. Njëri pa tjetrin nuk mund të jetojnë.

A nuk është me individin e njëjta gjë? Është një trup i vetëm i përbërë nga shumë qeliza të cilat kryejnë funksionet jetësore të nevojshme për ta mbajtur trupin gjallë. Mendja e njeriut nuk i kontrollon funksionet e trupit. Atë e bënë inteligjenca e trupit. Frymëmarrja, qarkullimi i gjakut dhe shumë funksione tjera nuk kontrollohen nga vetë mendja e njeriut, ato i kryen inteligjenca e trupit. Po sikur qelizat të fillojnë dhe ta mohojnë trupin e vet, çka ndodhë atëherë?   Një ditë do të përjetojnë degjenerim dhe do shndërrohen në qeliza kancerogjene të cilat shumohen pa kontroll dhe kështu pa vetëdije shkatërrojnë trupin ku sigurohet ekzistenca e tyre. Në fund shpejt vdesin së bashku me trupin të cilin e kanë shkatërruar.

Do ta shtjellojmë edhe një analogji tjetër që shpjegon mekanizmin e funksionit të natyrës së mendimeve me shembullin e softuerëve kompjuterikë. Mendimi në këtë shembull është ekuivalent me softuerin e kompjuterit. Mendimi jepet që eventualisht të gjejë mbështetje dhe të shpërndahet tek të tjerët. Mendimi synon të instalohet në mendjen e personit që e dëgjon atë mendim. Nëse ideja e caktuar arrin të shpërndahet (të instalohet) tek një numër kritik i individëve atëherë ai mendim merr formën e përgjithshme. Ka softuerë që i shërbejnë sistemit të kompjuterit dhe ka të tillë që instalohen për ta grabitur funksionin e kompjuterit. Për këtë arsye regjistrojmë antivirus në kompjuterët tanë. Njëjtë është me mendimet e njeriut.

Në të njëjtën analogji, njeriu ka sistemin e vet kontrollues të mendimeve të liga të cilat synojnë të funksionojnë njëjtë si malware (softuer që kapë funksionet e kompjuterit). Të gjitha mendimet e idetë së bashku me arsyetimet se pse ajo ide duhet të përkrahet, duhet të kalojnë nëpër filtrat e esencës njerëzore tek individi. Ato duhet skanuar dhe shoshitur mirë para se të pranohen apo të hidhen. Tek njeriu kjo bëhet duke dëgjuar apo lexuar atë mendim të caktuar jo vetëm me vesh, sy dhe mendje, por edhe me zemër. Nëse ai mendim ta përshkon zemrën dhe e ndjenë që ka sinkronizim tek qenësia jote, atëherë ai mendim është i sinqertë, në të kundërtën duhet të hidhet si i padobishëm.

Përse kjo analogji e shpjegon qartë këtë mekanizëm të funksionimit? Sepse është nga fakti që raca njerëzore së pari ka kuptuar se si funksionon natyra dhe tani është avancuar për ta kopjuar natyrën dhe të krijojë për vete nevojat materiale dhe kureshtjet tjera argëtuese që kanë për funksion të njëjtën skematikë.

Edhe në këtë rast ashtu siç do të jetë gjithmonë, nëna natyrë na dha përgjigjen. Kush mund ta kontestoj nenën natyrë e konteston vetë ekzistencën personale. Si do mund të krijonte tërë këtë mrekulli nëna natyrë pa pasur inteligjencë të pakufishme. Ajo çka na shpalos nëna natyrë, është realiteti që na rrethon. Realitet ky përmes dhe përtej pesë shqisave tona të perceptimit. A nuk na dha nëna natyrë tani përgjigjen?

Secila fjalë, secili shkrim, secila ide, duke përfshirë edhe këtë bisedë që e bëmë këtu së bashku duhet të kalojë nëpër filtrat dhe mekanizmat e propozuar më lartë. Ata të cilët e kuptojnë këtë mekanizëm, shikojnë jo vetëm me sy, dëgjojnë jo vetëm me vesh, mendojnë jo vetëm me mend, por edhe me zemër. Zemra nuk di të gënjejë. Është naive dhe kjo është arsyeja pse nuk gënjen. Të mos lejojmë të na flet vetëm mendja, ta dëgjojmë edhe zemrën. Këto dyja së bashku bëjnë mrekulli. Kjo na bënë imun ndaj akulturimit, ndaj shpëlarjes së trurit dhe ndaj kërcënimit serioz për zhdukje!

Racë e poshtër apo super racë? Ju të dyja ekstremet. Na lini të qetë të jemi vetëm kështu si jemi, as super-racë e as racë e poshtër. Jemi shqiptarë me të gjitha të mirat e këqijat që i kemi ashtu si të gjithë të tjerët.

[Shkëlzen Dhomi, i lindur në Prishtinë, në vitet ‘90 ka studiuar pikturën në Akademinë e Arteve. Në vitet ‘2010 ka studiuar juridikun. Jeton në Kanada. Dikur samuraj i asfaltit të Prishtinës. Kërkues dhe dashamir i dijes].