Paradoks dhe poezi – Sislej Xhafa në Berlin

«shadow of curls» (11 nëntor-23 dhjetor 2017) ekspozita e parë vetjake e Sislej Xhafës në Berlin ka 15 vepra, shumica syresh «ready mades» në stilin e Duchamp-it dhe i fton vizitorët të marrin pjesë me përsiatjet e tyre.

Sislej Xhafa: Medusa Archive, 2014.



Jona është katër vjeç dhe e ka zakon të ndalet në çdo pemë e ta ledhatojë. Me ullirin e Sislej Xhafës, vendosur pas dere në një qoshe të ekspozitës i duhet të bëjë përjashtim. Te trungu i pemës është një copë letër me mbishkrimin: «don’t touch me» – mos më prek. Pema i ka rrënjët në një pirg dheu të hedhur mbi dyshemenë e fortë: për Sislej Xhafën ajo simbolizon bukurinë, tokën, «diçka që nuk është prona jonë, por që prapë është pjesë e jetës sonë», siç thotë ai në intervistë me Craig Burnett-in, drejtorin e programit të galerisë South Blain në Berlin, ku janë ekspozuar veprat.

«shadow of curls» e ka titulluar Sislej Xhafa ekspozitën e tij të parë personale në Berlin, një titull që artisti vetë nuk preferon ta përkthejë. Sepse edhe titulli vetë është pjesë e performansës. Janë 15 objekte të së përditshmes, të ashtuquajtura «ready mades», të cilat ai i ka mbledhur në Berlin dhe që të vendosura në ekspozitë, ofrojnë hapësira reflektimi. Sikurse në instalimin e Bienales së Venecias 2017, «lost and found», prezantimi zyrtar i Kosovës, Xhafa vijon traditën e artit konceptual të stilit të Marcel Duchamp-it, duke e ftuar vëzhguesin për pjesëmarrje me përsiatjet e veta.

Unë bëj një sprovë: pema mesdhetare, e cila ka aftësinë të ruajë freskinë e saj për qindra shekuj me radhë – ulliri më i vjetër i Kretës thuhet të jetë katërmijë vjeçar – ofrohet për komunikim, por kërkon të respektohet. Dhe ndoshta me të drejtë: se ajo e ka zbuluar prej shumë kohësh sekretin e rinisë së përhershme, ëndrrën tonë më të paarritshme. Ullirin në qoshe e shoh si simbol të prejardhjes sime që më ka dhuruar mjedisin e ngrohtë dhe familjar, vendlindjen e braktisur për një ëndërr, të quajtur liri. Këtë nocion e ndesh te tri tablotë e mëdha të varura në murin e majtë të hollit, të titulluara «raw breeze»: tri piktura, në pamje të parë vetëm të bardha. Kërkohet një vështrim më i vëmendshëm për të shquar mes asaj bardhësie disa hije të lehta që marrin trajtën e telave me gjemba. «Për mendimin tim, liria nuk është nocion teorik, por përvojë», thotë Xhafa në të njëjtën intervistë. «Jemi ne vetë që vendosim se si dhe kur na merret liria».

Në sprovën time unë e përjetoj «raw breeze» si një ballafaqim me paradoksin e lidhur me premtimin e lirisë dhe përvojën me të: liria e brendshme mund të jetë një zgjedhje, akt çlirimi individual, ngadhënjim mbi identitetin e imponuar, por edhe ajo mbetet «burg». Dhe pyes: a mos është liria iluzion?

Ekspozita përmban 15 instalime të shpërndara në dy kate dhe pothuaj të gjitha shprehin një gjendje paradoksale. Një dyshek me kaktuse (stinging pocket), një skelet çadre prej betoni (dry shade), një frigorifer me një vrimë (desert in hole), objekte që më kujtojnë diçka të parealizueshme, por reale. Më ndërmendin rendjen pas dëshirave, ëndrrave, ndoshta pas ideve fikse, pa e vënë në pikëpyetje vlerën e tyre.

Dhe syri më zë një torbë plastike të hedhur në dysheme. Brenda saj një shandan. Këto dy «ready-mades» janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Në «still life on left lane» (natyrë e qetë në korsinë e majtë) trasta duket sikur i ka rënë dikujt në ikje e sipër. Xhafa vetë thotë në një intervistë për revistën «monopol»: «Gjithkush ëndërron të parakalojë nga e majta. Çfarë marrim me vete në udhëtimin tonë? Me cilat objekte jemi të lidhur? Cilat vlera mbartim?»

Trasta me shandan më kujton ekzistencën e një emigranti pas një jete materialisht më të mirë, ose të një refugjati që ka humbur sofrën dhe endet në perëndim në kërkim të një sofre të re. «Nuk dua të tregoj vuajtje dhe dhimbje», thotë artisti. «Ato i shohim me bollëk kur ndezim televizorin».

Sislej Xhafa u lind në Pejë në vitin 1970 dhe është rritur në Prishtinë në një ambient të lidhur me artin bashkëkohor, por, si shqiptar në Kosovën e fundshekullit XX, as atij nuk i është kursyer përvoja e shtypjes kolektive, ku nocione si liria, identiteti, vendlindja, atdheu kërkojnë një ripërkufizim.

Tani ai banon prej kohësh në New York dhe ekspozon në rang ndërkombëtar. Shumë vepra të tij kanë sfond biografik dhe mund të interpretohen si prononcime politike. Por ky nuk është qëllimi i Sislej Xhafës. Më thotë se për të ka më shumë rëndësi të ngjallë te shikuesi asociacione, emocione që në komunikim me objektin e vendosur në galeri krijojnë një atmosferë magjike. «Çdo vepër e ka një histori të vetën, një histori të cilën e dërgojmë dhe e ndajmë, por më e rëndësishmja është që ndaj veprës të krijohet ajo formë magjike».

Dhe e parë nga kjo perspektivë, mua më duket se ekspozita e parë e Sislej Xhafës, e cila qëndron e hapur deri më 27 dhjetor në degën berlineze të galerisë Blain Southern mund të merret edhe si një poezi, ku çdo diçiturë është një varg më vete që kërkon reflektim individual. Para se të dal prej ekspozitës, shoh dhe njëherë pemën e ullirit që më kundron nga cepi dhe mendoj se është objekti më i lëndueshëm dhe më modest i ekspozitës. Dy veti që imponojnë respekt.