Parabolë

Foto: Shutterstock



Së fundi një plak takova
dhe një këngë ia këndova.
Por, çehrja e tij më tregonte
se plaku asgjë nuk dëgjonte.
I shurdhër qenka plaku, mendova këtë herë
dhe kënga ime iku bashkë me erë.
Andaj me gojë gjë nuk i shpjegova
por, këtë e atë me gjeste ia qartësova.
Dhe pasi bëra këtë, vërejta se ç’kishte
për fat të keq, ai edhe i verbër ishte.
Si një bretkosë në moçal e fundosur
më shikonte plogët dhe si i mpirë pasosur.
Asgjë nuk e prishte qetësinë e tij,
madje as gjuha e gishtërinjve të mi.
Unë bërtita: ky punët i paska keq
por, prapë një shans merituaka veç.
Nga burimi i jetës së dëlirë
shpejt i dhurova një trëndafil të mirë,
që kisha këputur për vashën time.
Por, as kjo nuk solli ndryshime.
Erën e këndshme nuk e nuhaste dot
dhe rrinte si një Perëndi kopshti prej guri kot.
Tani e humba edhe unë durimin tim
dhe mirësinë e vashës sime kujtova me nxitim.
Që turpshëm iku e shkoi,
sepse trëndafili në duart e saj nuk përfundoi.
Siç isha shpejt e shpejt i zemëruar
u hodha me gjemb të mprehtë për ta sulmuar.
Por, edhe lëkurën kur ia shpova dhembje nuk i shkaktoi
fare nuk u dridh, mbase tashmë kishte vdekur, mbaroi.

(Përktheu: Enver Robelli)