Para se të debatohet për islamin dhe shtetin shekullar…

...duhet të merremi vesh mbi disa çështje thelbësore rreth Kuranit dhe rreth Kosovës, rreth paragjykimeve dhe shfytyrimit të fesë nga hapësira shpirtërore në një ideologji që synon pushtet dhe rreth murtajës mendore të orientalizmit – domethënë: përbuzjes së çdo gjëje që vjen nga Lindja.

Debati i nisur nga Mehmet Kraja rreth asaj se çka duan të bëjnë me Kosovën myslimanët e saj, shkoi shumë përtej myslimanëve të Facebookut. Reagimet që pasuan në pjesën dërmuese ishin të vrazhda dhe një pjesë e mirë e tyre logjikisht dhe intelektualisht të paqëndrueshme. Nuk është hera e parë që tentativa për të diskutuar islamin si të tillë, islamin politik dhe të drejtat e komunitetit mysliman në Kosovë devijon përtej çdo parimi të debatit të shëndoshë. Kjo vlen si për kampin e ashtuquajtur shekullar ashtu edhe për atë fetar islam brenda dhe jashtë Facebookut. Të dyja kampet vazhdimisht manipulojnë me nocionet e të drejtës në sistemet demokratike, me argumente nacionaliste të shtet-ndërtimit për të avokuar për qëndrimet e tyre.
Në vazhdim janë dy çështje që duhet diskutuar brenda dhe jashtë secilit grupim, para se të fillojmë të diskutojmë se çka do të bëhet me Kosovën nga secili grup. Kjo gjithmonë nëse jemi të interesuar për debat të shëndoshë pa manipulim të ndërsjellë!

1. Uniformiteti, islami dhe sistemi demokratik
Çka është islami politik? Për çfarë po diskutojmë këtu? Islami politik që nënkupton garantimin e të drejtave politike dhe civile të komunitetit mysliman në një shtet demokratik e shekullar (siç është të paktën në Kushtetutë Kosova)? Islami politik për një shtet të bazuar në rendin islamik – atë që njihet si ligji i Sheriatit? Apo islami politik i ngjashëm me platformat konservatore, të cilat avokojnë për ruajtjen e familjes heteroseksuale, shtimin e popullsisë dhe praninë më të madhe të fesë në jetën politike dhe shoqërore? Ashtu si çdo komunitet tjetër edhe komuniteti islam në Kosovë është i fragmentuar dhe jouniform. Por, kur këto çështje adresohen në rrafshin politik të bashkëjetesës në një shtet të deklaruar si shekullar, është e rëndësishme të përcaktohet për çfarë komuniteti dhe për çfarë islami politik po flasim? Deri tani, nuk është krejtësisht e qartë cili është projekti i këtyre grupeve për Kosovën dhe çka është më e rëndësishmja, cili fragment flet politikisht në emër të komunitetit mysliman në Kosovë.
Në skenarin e parë po flasim për garantimin e të drejtave civile të grupeve fetare në një shtet demokratik e shekullar. Garantimin e të drejtës për edukim universitar për vajzat e mbuluara, garantimin e hapësirave për kryerjen e riteve fetare etj. Pse na qenka kjo kaq problematike për t’u zbatuar në plotëni? Perspektiva e islamit politik e akomoduar në një sistem shekullar kërkon imponimin e një uniformiteti. Tradita islame – interpretuesit e islamit – ngulmon se islami është një dhe uniform për të gjithë. Prej Kinës, në Keni e në Andaluzi. Si rrjedhojë, ai e ka një të vërtetë uniforme. Dhe këtu është kontradikta e parë e cila më shumë se sa problem i islamit në sisteme shekullare demokratike, është kontradiktë për vetë botën e fragmentuar islame. Për dallim prej krishterimit, interpretuesit e islamit ngulmojnë se islami është një dhe uniform për të gjithë, paçka se islami ka praktika shumëngjyrëshe, shpeshherë kontradiktore, në vende e sisteme të ndryshme. Si mund të pretendosh për uniformitet për islamin që manifestohet në traditën vahabiste, për islamin sunit në Turqi, për bektashizmin në Shqipëri për shembull? Cili është sistemi uniform i të drejtës të cilin kërkoni ta zbatoni në Kosovë?
Të kuptohemi drejtë, të gjitha fetë, sidomos ato abrahamike, janë në kundërshti konceptuale me shtetin shekullar e demokratik. Uniformiteti dhe njëanshmëria e doktrinave fetare bie ndesh me parimet pluraliste demokratike. Krishterimi, për shembull, e bëri një gjë të tillë gjatë Mesjetës dhe «e humbi këtë betejë» duke u tjetërsuar thjeshtë si kulturë dhe deri diku parim moral (familja, tradita, riprodhimi) në sistemet demokratike shekullare. Këtu vijmë te kontradikta e dytë në diskursin e islamit politik, e cila në vazhdimësi ka shërbyer edhe si manipulimi më sublim politik. Në njërën anë, kemi një islam që ngulmon se ai është uniform dhe i patjetërsueshëm në sisteme diktatoriale, kleptokratike e demokratike, e në anën tjetër thirret në të drejtat demokratike për të avokuar qëllimet e tij. Në njërën anë duke u thirrur në parimet demokratike për të garantuar të drejtat fetare, të drejtën e mbulesës, dhe në të njëjtën kohë duke u thirrur në disa parime islame për të linçuar komunitetet pakicë të orientimit seksual. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë! Të qartësohemi se shumica e këtyre problemeve nuk janë vetëm të realitetit kosovar, por edhe të komunitetit islam në përgjithësi.
Një tjetër aspekt për të cilin protestohet virtualisht e verbalisht është ai i ruajtjes së të drejtave të grave myslimane dhe asaj që në filozofi njihet si «agjenci», pra të drejtës dhe fuqisë për të vepruar. Sistemi politik demokratik mund ta garantojë këtë gjë, së paku në aspektin e infrastrukturës ligjore. Por duket se edhe më urgjente është ta diskutoni këtë së pari brenda premisave morale dhe juridike islame. Cila është «agjencia» që islami ju jep juve si gra? Dhe ju përgjërohem, mos artikuloni klishe të tipit «në islam gruaja është e shenjtë». Libri i Shenjtë, pra Kurani, (po guxoj dhe po thjeshtëzoj si jobesimtare) nuk i garanton të njëjtën të drejtë në pronë një gruaje dhe një burri. Në Librin e Shenjtë dëshmia e një burri është e barabartë me dëshminë e dy grave së bashku. Gruaja në Kuran mund të jetë e shenjtë, por jo e barabartë! Sa prej grave myslimane në Kosovë e marrin mehr-in, shumën e garantuar nga Libri i Shenjtë? Sa prej grave myslimane kanë të drejtë prone që garantohet me islam? Sa prej juve jeni pjesë e statistikave të komunitetit islam në Kosovë? Këto pyetje nuk kanë për qëllim të thonë nëse islami është i mirë apo jo i mirë, por për të treguar disa nga kundërthëniet që dalin kur ato artikulohen si të drejta në demokracitë shekullare.
Shumë intelektualë të zotë brenda komunitetit islam që kam pasur fatin t’i njoh dhe t’i përcjell janë në dijeni të këtyre problemeve. Shumë prej tyre me keqardhje nuk artikulojnë qartë problemet që ka vetë komuniteti dhe ato që pasojnë me sistemin kushtetues dhe politik në Kosovë. Por këto debate mbeten kilometra larg xhemateve tuaja, të cilat faktorizojnë hoxhallarë dhe imamë mizogjinistë e shovinistë, prej të cilëve secili besimtar me mendje pak të shëndoshë do të duhej të distancohej. Si për shumë njerëz të tjerë, laikë, jolaikë, besimtarë e ateistë, unë ende nuk e di kush flet në emër të komunitetit islam në Kosovë? Bashkësia Islame, showmen-ët në youtube, propaganduesit e islamit në Universitet?

2. Orientalizmi, kompleksi i inferioritetit dhe shekullarët
Të njëjtat probleme dhe kontradikta pak a shumë shfaqen edhe në kampin shekullar. Para së gjithash, do të ishte mirë të artikulojmë qartë çka është ky «islami tradicional» si dhe pse forma të tjera të islamit e kërcënojnë atë? Artikulimi padyshim se duhet bërë përtej klisheve të përdorimit të rakisë apo ahengjeve të përziera me burra e gra.
Në grupin e parë të shekullarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë janë ata që e shohin botën si hapësirë shekullare, e padogmatizuar nga fetë dhe ideologjitë e caktuara. Në këtë këndvështrim idealet e humanizmit dhe renesansës që varrosën dogmën fetare dhe i dhanë fuqi të drejtave civile e njerëzore janë trajektorja e domosdoshme, të cilën duhet ta ndjekim. Ky përcaktim është kontradiktor në vete pikërisht për faktin se si nuk na qenka edhe shekullarizmi një ideologji në vete e sidomos kur ai përkthehet në projekt politik që duhet materializuar me çdo kusht? Tutje, një pozicionim i tillë e sheh botën dhe zhvillimin e njerëzimit në një vijë vertikale lineare në skajet e së cilës janë Mesjeta dhe primitivizmi në njërën anë dhe projekti i modernizmit me humanizmin dhe renesansën në anën tjetër. Ashtu siç argumenton gjeografia feministe Doreen Massey të shikuarit e botës dhe zhvillimit të njerëzimit në këtë koncept kohor linear na jep përshtypjen që të gjitha realitetet politike e sociale janë në radhë për të arritur pikën e njëjtë të modernizimit dhe të «progresit» që ka arritur Perëndimi. Në këtë mënyrë gjykohen, orientalizohen dhe denigrohen ata që në këtë model duket se kanë ngelur prapa në kohë dhe duket së nuk kanë fuqi sociale dhe kulturore për të arritur modernitetin.
Në grupin e dytë, i cili fatkeqësisht është më i faktorizuari dhe më i zëshmi në Kosovë, është kampi i shekullaristëve orientalistë. Përtej shekullarizmit si virtyt apo si sistem, ky grup ka komplekse religjioze, kulturore, historike e kombëtare karshi islamit, të kaluarës otomane dhe Turqisë së sotme. Orientalizmi, të cilin mendimtari palestinezo-amerikan Edward Said e kodifikoi si degë studimore në librin e tij «Orientalizmi» në vitin 1978, shpjegon se i ashtuquajturi «Perëndim» i bën «Lindjes» përfaqësim patronizues dhe denigrues, duke e parë atë si politikisht dhe kulturalisht inferior dhe të pareformueshëm. Orientalizëm të ngjashëm «Perëndimi» i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë Ballkanit edhe sot e kësaj dite. Ngjashëm me orientalizmin e Said-it është historiania bullgare Maria Todorova ajo që në librin e saj monumental «Duke imagjinuar Ballkanin» shpjegon se ajo që Perëndimi në vazhdimësi e ka artikuluar për Ballkanin është se «banorët e tij nuk janë të përputhshëm me standardet e botës së civilizuar», duke aluduar në natyrën barbare të ballkanasve. Me fjalë të tjera, orientalizmi vazhdon të përdoret si mjet për të përulur, denigruar dhe poshtëruar të tjerët – qoftë në kuptimin kombëtar, kulturor apo fetar. Edhe në këtë rast, bota, zhvillimi dhe progresi shihen në një linjë horizontale në pikat fundore të së cilës gjenden Lindja dhe Perëndimi. Sa më afër Lindjes aq më barbar, më primitiv dhe më i pacivilizuar.
Me gjithë respektin, një pjesë e madhe e elitës intelektuale kosovare, posaçërisht ajo e formuar gjatë Jugosllavisë komuniste, por jo vetëm, lëngon kronikisht nga orientalizmi. Në radhët e saj ka një stoicizëm për të mos thyer mitet, keqkuptimet dhe injorancën që janë ndërtuar ndaj Lindjes, islamit dhe Turqisë. Refuzim dhe stoicizëm për të mos pranuar që Perandoria Osmane, e cila pushtoi botën e shkapërderdhur nëpër tri kontinente, nuk ishte vetëm ajo çfarë shqiptarët e kanë përjetuar, kujtuar dhe ndërtuar në narrativin e tyre historik e mitik. Refuzim dhe stoicizëm për të mos pranuar që Turqia nuk është një monolit i prapambetur islam e primitiv, por që elita e saj intelektuale dhe shekullare ka qenë e vazhdon të mbetet konkurruese në të gjithë botën. Dyshoj se shumë nga këto koka të ndritura të kombit e kanë lexuar nobelistin turk Orhan Pamuk apo filozofen turke Meyda Yegenoglu e cila po bën namin në botë me rishikimin e teorive postkoloniale. Dhe këtë mosnjohje e bëjnë ndoshta edhe qëllimisht për të mos ndryshuar paragjykimet statike që kanë për «Lindjen barbare». Elitat akademike në Turqi, Jordani, Palestinë e Egjipt vazhdojnë të kontribuojnë në mendimin dhe shkencën botërore, duke qenë se janë të pranishëm në qarqet globale intelektuale, akademike e kulturore botërore, e nuk janë ngujuar nëpër godina të Akademive të Shkencave për të riprodhuar dhe për t’u vetëkënaqur me mite dhe frika. Prandaj, duke qenë se artikulon nga izolimi provincial, as shkrimi i akademik Mehmet Krajës nuk i shpëtoi këtyre orientalizmave dhe denigrimeve për nallet, dimitë dhe Tetovën si arkaizëm i shoqërive islamiste mesjetare. (Argumentet e tij për manipulim politik dhe shfytyrimin e fesë nga hapësira shpirtërore në një ideologji që synon pushtet duhet pranuar si shumë të vlefshme).
Të qartësohemi: jo detyrimisht ky orientalizëm është rezultat i akademikëve që, fatkeqësisht, nuk janë të përfshirë në komunitetin botëror akademik, që nuk publikojnë përtej Prishtinës, Tiranës a Shkupit, apo që nuk dinë gjuhë të tjera përpos serbokroatishtes dhe me gjasë njohjes pasive të frëngjishtes, siç aludohet në website-in e Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe në atë të Institutit të Historisë. Gjatë përvojës sime të parëndësishme dhe sigurisht të pavërejtshme kundruall akademikëve kosovarë, kam parë se si intelektualë e akademikë përforcojnë paragjykimet dhe orientalizmat e tyre sidomos kur konfrontohen me universitete tradicionale perëndimore. Pra, të rastis të shohësh shkollarë të të drejtave të njeriut që gëzohen kur në vende të caktuara ndalohet përdorimi i shamisë; shkollarë të sundimit të ligjit, të cilët artikulojnë se Sami Lushtaku e ka pasur mirë kur i paska bërë për spital punonjësit e pastrimit në Skenderaj për shkak se këta të fundit nuk i kanë kryer punët me kohë. Shumë akademikë jashtë e brenda Kosovës lexojnë, kuptojnë dhe artikulojnë ato që duan dhe ato që ua përkëdhelin sedrën nacionaliste, fetare, kulturore. E kjo përpos që është joproduktive dhe nuk i shërben debatit, është po ashtu intelektualisht e paqëndrueshme. Nuk është rastësi që ide të tilla që artikulohen në Kosovë nuk gjejnë debat nëpër revista shkencore serioze nëpër botë, por mbesin të përtypura nëpër Facebook dhe maskarada intelektuale provinciale. Prandaj edhe për kampin shekullar është mirë të definohet kush flet në emër te shekullaritetit. Ata që kanë frikë dhe paragjykime të papërmirësueshme për Lindjen, islamin dhe Perandorinë Osmane apo ata që janë të interesuar për debat të sinqertë dhe të hapur.
Pa mënjanuar paragjykimet dhe frikën në të dyja kampet, debati do të mbetet në suaza të agresivitetit virtual. Pa mënjanuar paragjykimet dhe frikën e ndërsjellë, nuk do të arrijmë të dëgjojmë asnjërën palë dhe rrjedhimisht nuk do të arrijmë të krijojmë një mendim të qartë. Mbi të gjitha këtë nuk do ta arrijmë pa lexuar dhe menduar me mendje të hapur!