Para hovit të ri të mashtruesve të vjetër

«Fillimi i ri» me PDK-në në qeveri do të jetë vazhdim i agonisë së Kosovës. Të gjithë liderët e tjerë politikë duhet të mobilizohen, të tejkalojnë egot e tyre, të gjykojnë në mënyrë racionale dhe me një koalicion të arsyes ta shpëtojnë Kosovën nga kthetrat e falangave të PDK-së.

Foto: Shutterstock



A gënjeu sot apo jo deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, kur nga foltorja e Kuvendit dhe para syve të qytetarëve tha se dikush nga LDK i paskësh thënë se Anton Quni dhe Adem Salihaj na qenkan dëshmitarë të Gjykatës Speciale? Të dy të apostrofuarit në mënyrë aq të ulët e përgënjeshtruan politikanen e PDK-së, ndërsa shpresa se ajo do ta sqarojë paraqitjen e saj skandaloze nuk duhet të jetë e madhe. Vokabulari i ndyrë përtërihet sidomos në kohëra të krizave parlamentare dhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Por, pyetja e deputetes së PDK-së zbuloi diçka jo edhe aq të panjohur: frikën dhe panikun brenda PDK-së nga aktakuzat e Gjykatës Speciale dhe përpjekjen për të frikësuar dëshmitarët. Duke ua përmendur emrat Anton Qunit dhe Adem Salihajt u dërgohej mesazh dëshmitarëve të mundshëm. Një parti që kërcënon pothuaj hapur dëshmitarët dhe njëkohësisht premton sundim të ligjit – si shkojnë këto të dyja bashkë? Natyrisht që nuk shkojnë.

Edhe më i qartë me tone kërcënuese ishte deputeti i PDK-së, Shaip Muja. Ai tha: «Ne mund ta paralizojmë Gjykatën Speciale». Në sabotimin e drejtësisë PDK ka përvojë të jashtëzakonshme, andaj këtë duhet ta ketë parasysh çdokush që në zgjedhjet e ardhshme e ka ndërmend t’ia falë besimin kësaj partie. Të tillët nuk kanë të drejtë të ankohen nëse fati i tyre personal nuk ndryshon për të mirë dhe vendi mbetet një gropë e zezë e Europës. Nuk është turp të jesh dëshmitar për çdo krim. Turp është të jesh i akuzuar dhe të dënohesh për krime. Si Muja ashtu edhe Musliu do të duhej ta dinin se kërcënimi i dëshmitarëve është jo më pak se vepër penale.

Në paraqitjen e tij të dytë në foltore, pasi nga disa deputetë të LDK-së u ngritën akuza të rënda në adresë të krerëve të PDK-së, foli me nervozizëm Zenun Pajaziti. Ai tha se LDK nuk ka të drejtë të ankohet, fundja e ka drejtuar ministrinë e Brendshme. Meqë Zenun Pajaziti vullnetarisht merr mbi vete barra të rënda politike, shumë njerëz mund ta pyesin: kur keni qenë ju ministër i Brendshëm çfarë keni bërë për zbulimin e krimeve? Fundja, Zenun Pajaziti ka qenë anëtar udhëheqës i LDK-së dhe koleg partiak me Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Sabri Hamitin dhe shumë funksionarë të tjerë të kësaj partie. A ndjen ai së paku një trazim shpirtëror që këta njerëz janë vrarë apo plagosur në rrethana që kanë mbetur misterioze deri më sot dhe për zbulimin e fajtorëve ka pasur përgjegjësi edhe Pajaziti si ministër i Brendshëm? Mund të ketë pyetje edhe më të vështira për Zenun Pajazitin: çfarë ka bërë ai për zbulimin e vrasësve të Selim Broshës, njërit prej udbashëve kryesorë të Kosovës, i cili ka pasur për detyrë t’ia zbulojë vendbanimin Kadri Zekës në Zvicër dhe vëllezërve Gërvalla në Gjermani dhe kësisoj t’ua hap rrugën vrasësve? Ose: a ka kundërshtuar Pajaziti krijimin e aleancave të PDK-së me figura politike që me emër e mbiemër përmenden në dosjen e vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla? Nuk mund të varroset çdo parim vetëm për të mbetur në pushtet, siç ka vepruar PDK. Andaj Zenun Pajaziti sot më mirë të heshtte. Sepse partia e tij nuk ka me çfarë të krenohet sa i përket qeverisjes.

PDK sot e tillë siç është më shumë i ngjan VMRO-së së Maqedonisë, pra është larg për të qenë një parti normale që merr pjesë në garë politike, por me kushte të barabarta për partitë e tjera. Qëllimi i partive si PDK apo VMRO është kontrolli i tërësishëm i të gjitha resurseve, infiltrimi i çdo institucioni me agjentë partiakë, të cilët detyrë qenësore kanë mbulimin e gjurmëve të keqpërdorimeve. Është e tepërt që këtu të përsëritet lista e gjatë e skandaleve të PDK-së prej se ka ardhur në pushtet. Çdo qytetar i vëmendshëm i di detajet e aferave të panumërta. Dihet edhe kodi i komunikimit i këtyre njerëzve, për të cilët sistemi legal shtetëror mbetet diçka e huaj.

Në këto rrethana Kadri Veseli, i katapultuar në krye të partisë pa guxuar askush të shtrojë edhe një pyetje të vetme kritike, po premton «një fillim të ri». Po përpiqet ta bind opinionin se tani e tutje fillon qeverisja e vërtetë me duar të pastra, sepse për gjithçka çfarë ka ndodhur deri më tani Veseli qenkësh i pafajshëm. Ky është një mashtrim i madh, sepse shtyllë dhe themelues i këtij sistemi të kalbur ka qenë edhe vetë Veseli – ndonëse nën sipërfaqe si shef i armatës private dhe sekrete të PDK-së për kontrollin e pothuaj të gjitha resurseve shtetërore.

Këtë zanat, këtë sjellje joinstitucionale Veseli e ka bartur kudo nëpër institucione. PDK asnjëherë nuk ka pasur interes që kjo qeveri të ketë sukses. Qëllimi ka qenë nga fillimi që të diskreditohet dhe të pamundësohet çdo punë e partnerit të koalicionit, LDK-së, e cila edhe njëherë dhe me meritë ra pre e lakmisë për pushtet me çdo kusht, duke pranuar këtë martesë politike me PDK-në.

Andaj kur Veseli flet për mungesë të vendimmarrjes duhet kujtuar atij se si kryetar parlamenti nuk ka qenë në gjendje të garantojë as sigurinë fizike të deputetëve. Si bëri vaki që partitë opozitare të fusin pothuaj kamionë me gaz lotsjellës në Kuvend dhe përherë të dështojë komplet sistemi i kontrollit? Kaosi i konvenonte PDK-së për ta poshtëruar LDK-në. Këtu nuk e kemi hallin e LDK-së, por nesër PDK këtë standard do ta përdorë kundër çdo partneri që e josh për bashkëqeverisje.

Është shumë e qartë se «Fillimi i ri» me PDK-në në qeveri do të jetë vazhdim i agonisë së Kosovës. Kjo parti pretendon t’i fitojë zgjedhjet me Veselin si kandidat për kryeministër. Në historinë më të re të saj Kosova nuk ka pasur kurrë kandidat me më shumë hipoteka nga e kaluara se Veseli. Një pasqyrë të përafërt të biografisë së tij politike e ofrojnë raportet e qeverive perëndimore, të cilat janë cituar gjerësisht në raportin e Këshillit të Europës mbi krimet e luftës në Kosovë që supozohet të jenë kryer nga disa krerë të UÇK-së.

Andaj, të gjithë liderët e tjerë politikë duhet të mobilizohen, të tejkalojnë egot e tyre, të gjykojnë në mënyrë racionale dhe me një koalicion të arsyes ta shpëtojnë Kosovën nga kthetrat e falangave të PDK-së. Kosova ka nevojë për një gjeneratë tjetër të politikanëve. Kosova ka nevojë për një qeveri me anëtarë që kanë biografi të pastra dhe nuk mund të shantazhohen nga askush. Kosova ka nevojë për një qeveri që zhvillon ekonominë, përparon sistemin arsimor, ruan dhe zhvillon në mënyrë cilësore marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe sjell investitorë në vend. Një qeveri e tillë me PDK-në nuk është e mundshme. Kjo parti nuk ka çka i ofron Kosovës, përveç bujës njëditore që shkakton me aderimin e shpirtrave të shitur për pesë qindarka.