Papërgjegjësi dhe injorancë në diskursin publik

Në vorbullën e informacionit të pakontrolluar është e rëndësishme të ruajmë jo vetëm shëndetin tonë mendor si lexues, por edhe të ruajmë minimumin e njerëzillëkut kur përdorim dhe shpërdorim «fjalën e lirë». Në arenën publike «kafja» është institucioni suprem ku krijohet debati politik, elitar dhe intelektual në Kosovë. Në «kafe» analizohet, komentohet, gjykohet, dënohet, nxirren ekspertiza mjeko-ligjore.

Sasi e pakontrolluar e informacionit, inflacion i portaleve informative dhe atyre me agjenda të stisjes së çfarëdo debati, përshkallëzim i burimeve dhe rrjeteve sociale prej ku kumtohet fjala e lirë. Në gjithë këtë demokratizim të informacionit, duket se ajo që më së shumti mungon është përgjegjësia për fjalën e lirë. Në rastin më të mirë, kjo rezulton vetëm me debate intelektualisht dhe logjikisht të paqëndrueshme – si në rastin e «debatit» për identitetet shqiptare e kosovare. Në rastin më të keq, kjo dëshmon një mungesë totale të etikës profesionale e njerëzore – si në rastin e humbjes së jetës së një qytetari.

Është kohë turbullirash në diskursin politik dhe atë medial në Kosovë. Zhurmohet për debate identitetesh pa historianë, sociologë e profesionistë të tjerë. Debatohet për krijimin e platformave të reja politike si domosdoshmëri për të dalur nga rrethi vicioz i stagnimit pa iu referuar një statistike, një studimi të vetëm, qoftë për përvojat e nismave qytetare në vende të ngjashme, qoftë për votuesin e ri që mësynë kutinë e votimit. Debatohet për «tema sociale» dhe rolin e telenovelave pa përmendur njëherë të vetme sa është shikueshmëria e tyre, sa telenovela blihen në vit nga televizionet shqiptare…

Janë dy elemente parësore të cilat duhet të merren paraysh kur gjendemi në vorbullën e informacionit dhe hapësirave dezinformative mediatike në Kosovë. Kjo jo vetëm për të filtruar konfliktet dhe interesat të cilat e prodhojnë një informacion të caktuar, por shpeshherë edhe për të shpëtuar me mend në kokë nga papërgjegjësia për informacionin dhe diskursin thellësisht konfliktuoz.

Së pari, është e qenësishme të dihet limiti i të vertetave të mëdha e të cunguara kur «fjala e lirë» thjeshtësohet vetëm në opinion të bjerrakohësve të kafehaneve të Prishtinës e Tiranës, apo të atyre lloj gazetarëve që informacionin si të tillë nuk arrijnë dot ta lidhin me forma tjera të krijimit të dijes publike.

Të dhënat preliminare të një studimi strukturor për shoqërinë civile dhe median në Kosovë nga Universiteti i Vjenës që pritet të dal në fillim të vitit 2017, tregojnë se në Kosovë studimi universitar dhe analizat studimore të shoqërisë civile nuk përkthehen në debat shoqëror dhe nuk zënë vend në hapësirën televizive. Me fjalë të tjera ajo që shpesh shtjellohet si debat publik në Kosovë, në pjesën dërmuese nuk ka bazë studimore. Në konferencën vjetore për «Qeverisje të Mirë në Ballkanin Perëndimor» në vitin 2013 në Zagreb, kreu i Fondit Ballkanik pyeti me ironi: «Nuk e di çfarë mekanizmi të punës ka shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor, kur 70 përqind e ditës së punës kalohet nga njëra kafe në tjetrën». Ndonësë e nxjerrë nga konteksti, siç po bëj këtu për t’i lënë hapësirë argumentit, kjo fjali tingëllon patronizuese nga «donatorë perëndimorë» të shoqërisë civile, por ka një të vërtetë të madhe në të.

«Kafja» është institucioni suprem ku krijohet debati politik, elitar dhe intelektual në Kosovë. Në «kafe» analizohet, komentohet, gjykohet, dënohet, nxirren ekspertiza mjeko-ligjore. I njëjti debat, pa kontrolluar shumë të dhënat, hamendësimet apo teoritë e mundshme, bartet nëpër studio televizive. Ndoshta i vetmi element që mbetet në «kafe» e nuk bartet në studio televizive është sharja vulgare.

Kjo nuk duhet të merret si tentim për të denigruar «kafen» po themi si «institucion» prej ku prodhohet diskursi dhe dija publike, e as për t’i dhënë primatin dijes dhe të «vërtetave» që krijohen në institucione zyrtare të arsimit dhe krijimit të dijes. Gjatë viteve të ’90 në mungesë të hapësirave universitare dhe akademike në Kosovë, «kafja» ishte formësuar si arenë prej ku artikulohej rezistenca politike dhe ajo intelektuale. Por në situatën e tanishme, kur kjo dije publike dhe ky diskurs mbetet vetëm muhabet kafesh, i palidhur me një përpjekje sado të vogël intelektuale, atëherë ka një problem se kë përfaqëson ky diskurs dhe për më tepër kujt i adresohet.

Së dyti, themelimi i Gjykatës Speciale e ka rivendosur edhe njëherë politikisht Kosovën në një periudhë «përkohëshmërie». Me naivitet pritet që Gjykata Spciale të largojë si me fshesë të gjitha figurat e korruptuara moralisht dhe politikisht nga skena politike dhe t’i lëshohet vendi një klase të re politike që pritet të katapultohet sërish nga spektri i gjerë i shoqërisë civile dhe opinionbërësve.

Kjo gjendje e përkohëshmërisë ka krijuar një momentum të përshtatshëm për të faktorizuar opinionbërës të cilët debatin logjik, të hapur e intelektual nuk e kanë në rend të parë, apo thënë më mirë nuk e kanë fare në rend. Më shumë se sa për informacionin si të tillë dhe interesin publik, opinionbërësit dhe ata që prodhojnë informacion bëjnë strategji nëse do t’ju shërbej ose jo një qëndrim a një mendim i caktuar, pasi Gjykata Speciale të ketë lënë thatë një mori institucionesh, bordesh dhe ambasadash bosh. Pra, flitet sot duke llogaritur interesat të cilat pas tri ose katër vitesh do t’i gjejnë nëpër poste ministrore apo diplomatike.

Në këtë situatë përkohëshmërie, pakkush e ka në hall nivelin intelektual të debatit publik, detyrimin minimal për të lexuar para se të lëshohemi nëpër aventura ligjëruese në televizion apo në rrjete sociale. Është kohë kur pritet të faktorizohet klasa e re politike – pas maskaradës gati dy dekadëshe të heronjëve të luftës e të paqes. Ata që nuk «bërtasin» sa duhet, nuk do të arrijnë të hipin në trenin e ardhshëm.

Në këtë situatë pritjeje e përkohëshmërie, ajo që përbën diskurs publik në Kosovë është më shumë strategjizim dhe pozicionim për kontekstin politik pas Gjykatës Speciale, se sa informim dhe mbrojtje e interest publik. Edhe në rastet kur humbet një jetë njeriu, qoftë si humbje e jetës si ekzistencë, atë që Giorgio Agamben e quan «bare life», qoftë si pushteti i jetës së njeriut me të drejtat dhe kushtëzimet në sistemin shtetëror, atë që Michel Foucault e ka quajtur «biopolitics». (Në mungesë së një adaptimi të duhur në shqip, të dyja konceptet po i përdor në anglisht).