Papa pyet Melania Trumpin: «Çka po i jepni burrit për të ngrënë?»

Në audiencën private të Papa Françeskut për Donald Trumpin luajti rol edhe kuzhina sllovene. Takimi zgjati vetëm 29 minuta. Të dy burrat duket se nuk kanë çka i thonë njëri-tjetrit, sepse ndajnë mendime të ndryshme për temat e mëdha.

Papa dhe Zonja e Parë: muhabet për magjen.



Në Vatikan janë në fuqi edhe disa rregulla të pashkruara. Nëse takimi me Papën zgjat 40 minuta, atëherë vëzhguesit mund të jenë të sigurt: kreu i Kishës Katolike e çmon bashkëbiseduesin. Nëse takimi nuk zgjat më shumë se 20 minuta, atëherë mund të merret me mend se bashkëbiseduesve nuk u ka ecur aq muhabeti. Takimet me Papën zgjasin mes 20 deri 40 minuta. Pikëpjekja mes Papës dhe Trumpit të mërkurën paradite zgjati 29 minuta, përfshirë edhe kohën që e shfrytëzoi përkthyesi për t’ua bërë të mundshëm kuptimin dy burrave që kanë dëshmuar se nuk kuptohen aq mes vete.

Keqkuptimet ekzistojnë sidomos sa i përket çështjes së emigrantëve. Kur Papa vizitoi vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai, pa ia përmendur emrin, iu drejtua Trumpit me fjalët: «Kush ndërton mure, nuk është i krishterë». Trump u përgjigj se askush nuk ka të drejtë të gjykojë mbi fenë e tjetrit. Ky Papë ka dëshmuar disa herë se nuk i gjykon fetë e tjera, përkundrazi rrallë ka pasur në dekadat e fundit një Papë të tillë të interesuar për problemet tokësore, dialogun mes feve, për ambientin, për emigrantët, për paqen mes civilizimeve, madje ky Papë nga Argjentina thotë se nuk ia lejon vetes të gjykojë as ateistët, as homoseksualët. Trump gjykon për çdo çështje. Këtu qëndron dallimi me Papën, të cilin gazeta «New York Times» e kishte shpallur «Anti-Trump».

Më interesant, më zbavitës ishte muhabeti që Papa zhvilloi me Melania Trumpin se sa me burrin e saj. Papa dhe manekinia e dikurshme sllovene folën për kuzhinën. «Çka po i jepni Trumpit për të ngrënë?», pyeti Papa. Dhe shtoi: «Potica?» Melania menjëherë u përgjigj: «Potica!» Gazetarët e kuptuan këtë fjalë si «Pizza» (pica). Por, potica, këtë e di çdokush që sadopak interesohet për Slloveninë, është një ëmbëlsirë tradicionale e këtij vendi. Shtëpia e Bardhë e pa të nevojshme të dërgojë një sqarim për opinionin mbi përmbajtjen e bisedës.

Si është e mundur që Papa i Argjentinës të jetë i inofrmuar aq mirë për kuzhinën sllovene? Bota është e vogël dhe një zyrtar slloven i Vatikanit tregoi se burri i një mbese të Papës është me prejardhje sllovene. Kjo është arsyeja që Papa ka informata për desertin slloven, një tortë të gatuar, mes tjerash, edhe me arra. Është deserti më i referuar i Papës.

Dhe ka qenë dikur ëmbëlsira më e preferuar e Jovanka Brozit, gruas së Josip Broz Titos. Vitin e kaluar në një intervistë me «dialogplus» historiani slloven Jozhe Pirjevec, autor i biografisë më të plotë për liderin komunist jugosllav Josip Broz Tito, kishte rrëfyer: «Kam pasur kontakte të mira me sekretarin e Titos, Jozha Vilfan, dhe gruan e tij. Ajo më ka treguar se si Jovanka gjatë natës shkonte në kuzhinën e Kështjellës në Bërdo për të ngrenë potica, një ëmbëlsirë tradicionale sllovene».

Pyetja e Papës: «Çka po i jepni burrit për të ngrënë?» mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, madje edhe si kritikë ironike mbi rrëshqitjet e pandërprera jo vetëm gjuhësore të presidentit të SHBA-ve. Në kohëra si këto që po përjetojmë, muhabeti për magjen është një shpërqendrim i mirëseardhur.