Papa Françesku fillon vizitën historike në SHBA

Papa Françesku mbërriti në Shtetet e Bashkuara, pas një vizite në ishullin komunist të Kubës.




Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Barack Obama, Zonja e Parë Michelle, së bashku me nënpresidentin Biden dhe gruan e tij Jill dolën për ta pritur Papën në Bazën amerikane Andrews pranë Uashingtonit.

Të pranishmit që ndodheshin për të pritur Papën, shpërthyen në brohoritje, sapo u ndal avioni me Papën dhe më pas duartrokitjet dhe thirrjet «Mirë se vjen në Shtetet e Bashkuara», e shoqëruan zbritjen e Atit të Shenjtë nga avioni, transmeton VOA.

Në Uashington, Papës do t’i rezervohet një pritje si ajo e kryetarëve të shteteve – atë do ta presë Presidenti, si dhe do të mbajë një fjalim para Kongresit.

Në New York, Papa do të mbajë një meshë në Memorialin e 11 shtatorit, tek Qendra Botërore e Tregtisë, ndërsa në Filadelfia ai do të vizitojë një qendër korrektimi.

Vizita e Papës është një gëzim i madh për rreth 69 milionë katolikët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.