Pantelleria kërkon ndihmë: na duhet një mjek!

Një ishull italian, i cili më afër e ka Tunezinë se Sicilinë, kërkon një mjek. Rroga vjetore: 90 mijë euro. Afati i konkurrimit: deri më 10 tetor.

Ilustrimi: Shutterstock



Keni dëgjuar ndonjëherë për Pantelleria? Ja një prezantim i shkurtër: ishull italian, diku thellë nën çizmen e Italisë, përtej Sicilisë, afër Tunezisë, një ishull që natën mund të shohë dritat e botës arabe. Nje ishull i gjatë 13,7 kilometra, i gjerë 8,4 kilometra, kodra më e lartë Montagna Grande (836 metra lartësi mbidetare), rreth 8000 banorë, territori: 83 kilometra katrorë, 92 banorë për kilometër katrorë, pazhe gjithandej. Toponimi Pantelleria rrjedh nga fjalët arabe Bint ar-riah dhe domethënë: «E bija e erërave». Në det të hapur fryn era në të gjitha drejtimet, këtë e kanë ditur edhe arabët e lashtë.

Pantelleria, shkruan sot gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung», ka një hall: doktoresha Mariella Guzzo sapo është pensionuar dhe ishulli tani po kërkon një mjek. Autoritetet e ishullit kanë kërkuar një doktor të fëmijëve, një pediatër, me shpallje në gazeta dhe media digjitale të Italisë, por askush nuk ka shprehur interesim. Tani autoritetet e ishullit kanë publikuar një shpallje ndërkombëtare. Ishulli kërkon një mjek në tërë Europën. Rroga vjetore: 90 mijë euro. Afati i konkurrimit: deri më 10 tetor. Vitin e kaluar në Pantelleria u lindën 80 fëmijë. Pra, mjekun e ardhshëm nuk e pret ndonjë punë e mundimshme. Nëse Pantelleria nuk gjen mjek, atëherë ambulanca e lindjeve mund të mbyllet dhe nënat duhet të shkojnë në Sicili për të lindur – me helikopter. Udhëtimi me anije zgjat gati 6 orë.

Çka ofron Pantelleria? Një klimë të mirë, limonë dhe ullinj, portokaj, rrush, prej të cilit prodhohet vera «Zibibbo», një verë e bardhë dhe e embël, siç njofton gazeta gjermane. Tradita e prodhimit të verës është mbi 1000 vjeçare. Dhe këtë traditë UNESCO e ka futur në listën e trashëgimisë botërore. Duke qenë larg diku në det, Pantelleria i ka shpëtuar hordhive të turistëve që pushtojnë Italinë çdo vit. Një ishull i ëndrrave kërkon një mjek. (dp)