«Paniku shpejt mund të përfundojë në debakël moral»

Sociologu i famshëm Zygmunt Bauman flet për krizën aktuale të refugjatëve. Ai thotë se gjendja në botën perëndimore është pashërueshëm ambivalente. Paniku që po e përjetojmë tani lehtë përfundon në debakël moral – në mëkatin e inferioritetit ndaj tragjedive dhe thirrjeve për ndihmë të atyre që vuajnë. Sipas tij armët më të fuqishme të Perëndimit janë përfshirja dhe integrimi i njerëzve.

Zygmunt Bauman.

Zygmunt Bauman është mbase sociologu më i famshëm i gjallë. I lindur më 1925 në Poloni ai kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore iku nga gjermanët në Bashkimin Sovjetik – dhe u kthye si oficer politik. Pas studimeve ligjëroi sociologjinë në Universitetin e Varshavës. Më 1967 u largua nga Partia Komuniste, humbi postin e profesorit dhe emigroi në Izrael. Më 1971 pranoi ftesën e University of Leeds për t’u bërë profesor. Në veprat e tij «Etika postmoderne», «Jeta e hedhur», «Modernizmi në ikje e sipër» ai ka analizuar tërësinë e kushteve të punës pa mbrojtje sociale. Eseja e tij mbi migracionin dhe shkaktimin e panikut («Frika nga tjetri») sapo është botuar në gjermanisht. Në një intervistë për revistën DER SPIEGEL Bauman ka folur për krizën e refugjatëve. Detaje të kësaj interviste po sjellim më poshtë.

Në pyetjen se çfarë ndien si ish-refugjat kur i sheh titujt mbi krizën e migracionit, e cila ka përfshirë Europën, Bauman u përgjigj: «Frikësohem se gjendemi në fillim të një disbalance shumë të madhe. Rritja e shpejtë e numrit të migrantëve që po trokasin në portat e Europës, rezultat ky i numrit në rritje të shteteve që po dështojnë apo tashmë kanë dështuar, po nxit një frikë të thellë,  e cila po kërcënon mirëqenien dhe madje mbijetesën e shoqërisë. Ky panik po krijon një atmosferë politike shpërthyese, aq më tepër që politikanët po luhaten mes synimeve të papërputhshme: izolimit dhe integrimit». Bauman mendon se shkaqet e ikjes masive të njerëzve nga vatrat e krizës nuk do të zhduken, por fantazia në rritje e përpjekjeve për t’i penguar ata nuk do të ketë ndonjë sukses.

«Gjendja është pashërueshëm ambivalente. Paniku që po e përjetojmë tani lehtë përfundon në debakël moral – në mëkatin e inferioritetit ndaj tragjedive dhe thirrjeve për ndihmë të atyre që vuajnë. Ngjarjet tronditëse po shndërrohen në rutinë të normalitetit. Kriza po neutralizohet moralisht: migrantët dhe çfarë ndodh me ta apo çfarë bëhet me ta nuk shikohen më nga aspekti etik. Në atë çast që opinioni publik i sheh refugjatët si rrezik të sigurisë, ata gjenden përtej sektorit të përgjegjësisë morale. Ata dehumanizohen, objektivizohen, vendosen jashtë hapësirës në të cilën empatia dhe solidariteti shihen si të domosdoshme», deklaroi Bauman.

Sociologu i famshëm është i mendimit se frika, urrejtja, resentimentet dhe margjinalizimi aktivizojnë një profetizim që përmbush vetveten. «Përfshirja dhe integrimi janë armët më të fuqishme të Perëndimit. Nuk ka rrugëdalje tjetër nga kjo krizë, në të cilën gjendet njerëzimi, përveç solidaritetit. Tëhuajësimi, barriera mes nesh dhe të huajve, të etabluarve dhe atyre të lënë anash, duhet të tejkalohet. Hapi i parë në këtë drejtim është nisja e dialogut. Prej të huajve duhet të bëhen fqinj». Sipas Bauman problemi i shoqërive moderne nuk duhet të jetë eliminimi i të huajve, por si të jetohet me ta në fqinjësi. «Është një situatë krejtësisht e re: tëhuajësia e të huajve nuk është më irritim i përkohshëm. Të huajt qëndrojnë këtu dhe refuzojnë të kthehen, ndonëse fshehurazi shpresohet se në fund ata do të zhduken sërish. Ata s’janë mysafirë dhe nuk janë vizitorë, ata nuk janë armiq të zgjedhur, por as fqinj të njohur. Ata mbesin të huaj, sepse pjesërisht i shmangen rregullave vendore, mënyrës lokale të jetesës dhe këmbëngulin në veçoritë e tyre», tha Bauman.

Profesori Bauman apeloi që të merret parasysh gjendja e refugjatit: «Duke ikur nga mjerimi dhe dhuna ai humb atdheun e tij, por nuk gjen atdhe të ri, sepse ai nuk është emigrant. Refugjatët qëndrojnë të varur në një hapësirë të zbrazët, ata në fakt nuk janë as të ngulitur në një vend, as nuk janë nomadë. Ata duken tepër të përshtatshëm për t’i stigmatizuar, për rolin e një kukulle, e cila digjet në emër të fuqive globale të së keqes».

Duke cituar poezinë «Treva e ekzilit» të Bertolt Brechtit Bauman tha se refugjati është një mesagjer i fatkeqësisë. «Ai i sjell para derës sonë lajmet e këqija, konfliktet dhe stuhitë nga larg. Ai na tregon se ka forca globale, të cilat s’mund të përfytyrohen lehtë, të cilat ndikojnë diku larg, por janë aq të fuqishme, saqë pengojnë jetën tonë».

«Politika sot operon në kushte të një pasigurie endemike. Mundësia e saj për veprim është lokale, ndërsa problemet para të cilave qëndron janë globale. Në kalim e sipër nga faza e ngurtë në fazën likuide, të arratisur të modernizmit po përjetojmë gjithnjë e më shumë shkëputjen e politikës dhe pushtetit. Forcat e çliruara të modernizmit po i shmangen kontrollit nacional dhe shtetëror. Institucionet politike po tregohen gjithnjë e më të papërshtatshme për përballimin e sfidave të reja. Shoqëria e fragmentuar nuk po përbën më një bashkësi, sovraniteti territorial i shtetit kombëtar po shembet. Shteti kombëtar po e humb kompetencën për të zgjidhur problemet dhe rrjedhimisht po e humb funksionin mbrojtës», tha Bauman.

Sipas tij nacionalizmi dhe përbetimi në unitet etnik janë zëvendësim për faktorët e munguar integrues në një shoqëri të dezintegruar: «Shteti kombëtar nuk do të arrijë ta kthejë pushtetin e vet. Janë qytetet e mëdha të botës që ngaherë janë shndërruar në laboratorë të shoqërive të përziera. Brenda tyre zhvillohen konfliktet mes miksofilisë dhe miksofobisë në pluralizmin e kulturave. Izolimi është një joshje mashtruese. Portat janë hapur, ato s’mund të mbyllen më. Legjitimiteti i shtetit kombëtar bazohej në tri shtylla: siguri ushtarake ndaj botës së jashtme, mirëqenie në brendi, gjuha dhe kultura e përbashkët. Ky stativ është rrëzuar».

Sipas Bauman shtetet në zhvillim gjendet para portave të Perëndimit dhe do të gjejnë mënyra për të hyrë. Duke iu referuar sociologut të madh gjerman Ulrich Beck ai thotë se ne – na pëlqeu apo jo – jetojmë qëmoti në një situatë kozmopolite me kufij të pambyllur dhe në varësi të dyanshme universale. Por, çfarë na mungon është vetëdija kozmopolite. Baumann apelon që të zhvillohet vetëdija kozmopolite.

Ai e quajti vendimin e kryeministrit britanik David Cameron për të organizuar referendum për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian një budallallëk kapital politik. «Eksperti i famshëm dhe famëkeq i të drejtës kushtetuese Carl Schmitt e ka definuar sovranitetin si të drejtë për të emëruar armikun. Identiteti është vëllai binjak i armiqësisë: ne jemi ata që jemi, sepse kemi një armik të përbashkët. Kështu funksiononin njerëzit në hordhitë e lashta të gjahtarëve dhe koleksionarëve deri në themelimin e shteteve kombëtare në shekullin e ’19 dhe në gjysmën e parë të shekullit të ’20. Në historinë e njerëzimit integrimi dhe segregacioni përherë kanë ecur bashkë: ne dhe ata. Integrohu ose do të përjashtohesh. Ka marrë fund, sepse <ata> janë në mesin tonë, ku është armiku? Duhet ta mësojmë nga fillimi artin e integrimit, duke hequr dorë nga qëndrimi ose-ose, nëse duam të gjejmë përgjigje për gjendjen tonë».

Gjendjen aktuale të botës Bauman e shpjegoi me parabolën «Nisja» të Franz Kafkës. Aty shërbëtori pyet: «Nga po kalëron zotëria?» Ai përgjigjet: «Nuk e di, por dua vetëm të largohem nga këtu, vetëm të largohem nga këtu. Përherë larg nga këtu … ky është caku im». Kështu, thotë Bauman, Kafka e përshkruan fatalitetin me dy fjali. «Në këtë gjendje gjendemi sot».

Bauman apeloi që të hiqet dorë nga stereotipizimi i ardhacakut ilegal, i refugjatit. Ai, sipas tij, duhet të personalizohet, jo të steretipizohet, nëse duam që armiqësia të zbutet. «Ai, refugjati, ka të drejtë të shikohet si individ, jo si përfaqësues i një kategorie, race apo feje. Dhe rruga e vetme atje shpie përmes kuptimit, domethënë dialogut». (-lli)