Panik ndër refugjatët e Lindjes në Maqedoni

Me instalimin e gardhit në Hungari, për refugjatët mbyllet një derë për në Europë. Paniku ndër refugjatë shihet që në Maqedoni, vërenë «20 Minuten»




Skena kaotike luhen në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë: Një refugjat ngjeshet ne zor në dritaren e trenit, një tjetër ngjitet nën një vagon. Ata vetë ka rrezik të shkëputen. Situata eskalon vazhdimisht: shpërthen panika, fëmijët qajnë, burrat zihen, gjuajnë me gur. Edhe në sheshin e stacionit të trenit nuk është më mirë: Nëna të sfilitura me fëmijë në krahë qëndrojnë rreth rrugës, një i ri po hospitalizohet, sepse e ka zënë rryma nëpër kabllot që gjinden vërdallë. Ushqim pothuajse nuk ka, vetëm kur shpërndajnë diçka organizatat ndërkombëtare. Policia e maqedonisë është dorëzuar, njerëzit kanë ngelur në dorë të vet.

«Koha nuk pret»

Gjevgjelia është shndërruar në një kanal për në Europën perëndimore, sikurse ishulli grek Kos, qyteti francez Calais apo ishulli italian Lampedusa. Nga 2’000 njerëz në ditë futen nga Greqia në qytetin kufitar maqedonas. Kjo domethënë dyfish më shumë se para dy javësh. Aty refugjatët përpiqen të zënë një vend në njërin prej tre trenave, të cilët kalojnë për çdo ditë nëpër vendkalimin kufitar me Serbinë në Tabanoc. Nga aty pastaj vazhdojnë për në Hungari dhe UE. «Por koha nuk pret», thotë raporti. Deri në fund të muajit, Hungaria do ta ketë ngritur gardhin me gjëmba prej 175 kilometra të gjatë. Atëherë për emigrantët do të bëhet edhe më vështirë për ta kaluar kufirin. Edhe në Maqedoni po bëhet më keq: Prefekti i Gjevgjelisë dëshiron të grejë një gardh të vetin në kufi me Greqinë. Kjo për emigrantët është tmerr.

«Etapa më e lehtë në rrugën e Ballkanit»

As 12 orë nuk qëndrojnë refugjatët në Maqedoni, e citon media themeluesin e një organizate humanitare, Jasmin Rexhepi. Dhe Maqedonia për refugjatët është etapa më e lehtë në udhëtimin e tyre ballkanik, pohon ai. Kjo ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për azilin në qershor, me të cilin Maqedonia praktikisht i hapi kufinjtë, thotë artikulli. Kështu refugjatët mund të regjistrohen në polici, dhe nga ai monent kanë 72 orë për ta kaluar vendin. Me një vizë tranzitore treditore, refugjatët mund ta shfrytëzojnë trafikun urban dhe trenin, në vend që si më parë t’i kalonin 180 kilometra të vendit në këmbë ose me bicikletë.

«Trafikantët kanë ngelur pa biznes»

Ligji i ri, mendohet, kalimin nëpër Mqedoni e ka bërë më të kollajshëm. Ndërsa përpara refugjatët sulmoheshin, reketoheshin, vidheshin ose ktheheshin mbrapsht nga policia, trafikantët dhe hajdutët – udhëtimi me tren është më i sigurtë. Në dy muajt e fundit nuk ka ndodhur asnjë incident, dhe denoncimet për trafikim me njerëz praktikisht janë zero, thotë gjithsesi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Koteski. «Trafikantët kanë ngelur pa biznes», pohon me krekosje si për për të gjitha gjërat e tjera zëdhënësi. Megjithatë po rritet droja se Maqedonia mund të shndërrohet në një qendër grumbullimi për të gjithë refugjatët nga Siria ose nga vende të tjera lufte, citohet «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Pas gardhit hungarez, edhe Serbia mund ta mbyllë kufirin me Maqedoninë. ks

Foto: Georgi Licovski