Panairi i Frankfurtit nuk i shpëton politikës

Prishtinë, 15 tetor - Edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Frankfurt po cilësohet si më politiku deri më tani. Ekspozita më e madhe e librit në botë të mërkurën hapi dyert për lexuesit dhe si rrallëherë më parë u shoqërua me kundërthënie ende pa ia nisur.




Krejt kjo, shkaku i thirrjes së Iranit që ta gjitha shtetet myslimane të bojkotojnë atë për shkak të pjesëmarrjes së autorit britaniko-indian, Salman Rushdie, si mysafir special. Për autoritetet iraniane ende vlen fatvaja e vitit 1988 me thirrjen për vrasjen e këtij shkrimtari pas «Vargjet Satanike», shkruan sot «Koha Ditore».

Organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt mbrojnë qasjen e tyre duke thënë se «liria e shprehjes» është tema kryesore këtë vit që po mbledh shkrimtarë dhe botues nga mbarë bota.

Media e njohur gjermane «Deutsche Welle» ka shkruar se çështjet aktuale, siç janë migrimi, liria e shprehjes dhe terrorizmi, do të adresohen gjatë ditëve të Panairit. Ndërsa qysh në titull të raportit këtë ngjarje e konsideron si edicionin «më politik si asnjëherë më parë».

«Një prej sallave më të mëdha, e cila quhet ‘Weltempfang’, do të sjellë një seri bisedash që në fokus kanë ‘Eksplorimin e kufijve’, me diskutime politike në temat siç është feminizmi apo edhe aktivizmi», shkruan «Deutsche Welle». Panairi çdo vit fokusohet në një shtet dhe këtë vit mysafir nderi është Indonezia. Botues nga shtete që janë në konflikt po ashtu janë ftuar që të marrin pjesë, në mesin e tyre edhe Siria.

Ndërsa për refugjatët Panairi i Librit në Frankfurt ka bërë një ofertë të veçantë. Hyrja për ta është pa para. Sipas një shkrimi të botuar në revistën amerikane «Newsweek», thuhet se në një ngjarje të paralajmëruar për të shtunën do të flitet për atë se «çka ndodh kur autorët kalojnë kufijtë, ndërtojnë ura apo bëhen banorë në vendet kufitare». Organizatorët e panairit kanë thënë se megjithëse këto tema janë përcaktuar shumë kohë para se kriza e refugjatëve të pushtojë Evropën, «vala e tyre në Gjermani pa dyshim se ka ndikim të madh në edicionin e sivjetmë».

Për të 15-n herë në ngjarjen e madhe botërore përfaqësohet edhe Kosova nëpërmjet Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Nënkryetari i ShBK-së, Besian Zeneli, nëpërmjet komunikimit elektronik nga Frankfurti frymën e sivjetmë të Panairit e ka cilësuar përplasje idesh.

«Edhe vitin e kaluar ka pasur disa protesta që janë organizuar në shenjë revolte tek hapësira e Iranit. Ndoshta rritja e tensioneve dhe rrjedha e ngjarjeve ka bërë që ky shtet ta shohë më të udhës tërheqjen apo mospjesëmarrjen», ka thënë Zeneli.

Po ashtu edhe në komunikatën që ShBK-ja ka dërguar të mërkurën pasdite, ndër të tjera përshkruhet edhe atmosfera atje.

«Me gjithë disa paradokse, festa më e madhe e librit në botë…pritet të vizitohet nga 300.000 vizitorë, një rekord shkuar rekordesh», shkruhet në komunikatë. Paradoksi lidhet me të ftuarin special të organizatorit Salman Rushdi, i cili e ka theksuar lirinë e patjetërsueshme të fjalës përderisa Irani është tërhequr nga pjesëmarrja e paralajmëruar. Për të qenë ironia më e madhe, mysafire nderi është shteti me popullsinë myslimane më të madhe në botë, Indonezia», ka shkruar SHBK-ja.