Pakicat fetare në Ballkan ndihen ende të përjashtuara, thotë raporti i DASH-it

Pakicat fetare në Ballkan vazhdojnë të përballen me një lloj diskriminimi dhe me një mungesë të bashkëpunimit nga qeveria për rikthimin e pronave të konfiskuara në regjimin komunist, thotë një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Foto: Shutterstock



Pavarësisht progresit në legjislacionin që mbron të drejtat e barabarta të të gjitha pakicave fetare, shumica e shteteve të Ballkanit ende i diskriminojnë disa grupe dhe janë prapa me kthimin e pronave të konfiskuara nga regjimet komuniste, tha Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vitit 2016 mbi lirinë fetare, të publikuar të martën.

Raporti thotë se disa pakica fetare, si grupet protestante dhe ato myslimane, raportojnë ngacmime dhe vështirësi në marrjen e lejes për të ndërtuar kisha, xhami apo varreza të reja. Në disa vende të Ballkanit, rivaliteti midis kishave të ndryshme ortodokse sjell gjithashtu incidente.

Në Shqipëri, raporti u kërkon zyrtarëve të përshpejtojnë trajtimin e kërkesave afatgjatë të pronësisë fetare dhe kthimin e ndërtesave, tokës dhe pasurive të tjera të konfiskuara gjatë periudhës komuniste.

Në Bosnje, raporti thekson një rënie të numrit të sulmeve ndaj zyrtarëve dhe vendeve fetare gjatë vitit krahasuar me dy vitet e mëparshme. Raporti thekson gjithashtu se pakicat fetare kanë mbetur jashtë poste në qeveri dhe parlament.

Në Bullgari, raporti thekson se grupet e pakicave fetare, përfshirë Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Mëvonshëm (Mormonët) dhe myslimanët raportuan incidente të ngacmimit dhe të retorikës armiqësore nga anëtarët e disa partive politike. Ata gjithashtu thanë se qeveria nuk procedoi penalisht sulme të motivuara nga feja kundër anëtarëve të tyre.

Në Kroaci, Kisha Ortodokse Serbe, bashkësia e dytë më e madhe e besimit fetar në vendin kryesisht katolik pati 20 incidente të vandalizmit të pasurisë së saj gjatë vitit.

Raporti thotë se SHBA-ja vazhdon të inkurajojë qeverinë për kthimin e pronës së konfiskuar gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht nga komuniteti hebre dhe të miratohet një proces për kërkesat e viktimave.

Në Kosovë, Departamenti i Shtetit vë theksin se grupet fetare pretendojnë se janë në konkurrencë me autoritetet komunale, të cilat shpesh kanë të drejta dhe përfitime të barabarta me ta, veçanërisht në lidhje me pronat fetare dhe varrezat.

Dokumenti gjithashtu thekson ngacmimin e Kishës Ortodokse Serbe, grupit të dytë më të madh të besimit në vendin kryesisht mysliman. Protestuesit hodhën gurë dhe kokteje molotovi ndaj pjesëmarrësve në disa evente të pelegrinazhit ortodoks serb. Në një incident, protestuesit e Kosovës hodhën gurë dhe penguan pelegrinët ortodoksë serbë të festonin në Mushtisht. Në disa raste, vandalët dëmtuan pronat fetare të Kishës Ortodokse Serbe, pavarësisht mbrojtjes nga qeveria.

Në Maqedoni, bashkësia myslimane akuzon qeverinë për mohimin e lejeve të ndërtimit ose rindërtimit të xhamive. Trupi kryesor mysliman i vendit, Bashkësia Fetare Islamike në Maqedoni, ICM, thotë se qeveria vazhdoi të përgjonte në mënyrë të paligjshme liderët e saj, shkruan Departamenti i Shtetit.

Në Malin e Zi, grupet fetare, sidomos Kisha Ortodokse Serbe, vazhduan të ankoheshin se ligji që rregullonte statusin e tyre ligjor ishte i papërshtatshëm, ndërsa qeveria po rishqyrton një projektligj të ri për lirinë e fesë pas komenteve nga grupet fetare.

Në Rumani, grupet e pakicave fetare ankohen për mungesën e bashkëpunimit me autoritetet vendore për të krijuar varrezat e ndara dhe për refuzimin e Kishës Ortodokse Rumune – grupi më i madh besimtar në vend – për t’i lejuar ata të përdorin varrezat ekzistuese.

Qeveria rrëzoi më shumë se një mijë kërkesa për kthimin e pronave fetare të konfiskuara dhe miratoi vetëm 28 prej tyre.

Në Serbi, raporti thekson se disa grupe të pakicave fetare vazhduan të pretendojnë se kishin vështirësi në regjistrim dhe se zbatimi i ligjit për regjistrimin e grupeve fetare ishte i njëanshëm.

(https://www.reporter.al/pakicat-fetare-ne-ballkan-ndihen-ende-te-perjashtuara-thote-raporti-i-dash/)