Pakënaqësitë e veteranëve me pensionet e Qeverisë

Po vazhdojnë pakënaqësitë e veteranëve të luftës së UÇK-së. Pensioni prej 170 eurosh sa do të marrin ish-ushtarët e pajisur me certifikatën e veteranit të UÇK-së, duket se do t’i shtyjë ata të protestojnë sërish.




Kritika ndaj Qeverisë kanë shfaqur edhe ish-ushtarët e brigadës 134 “Bedri Shala”, të cilët morën certifikatat të shtunën, raporton KTV.

Komandanti i kësaj brigade, Skënder Misiri, u shpreh i lumtur që tashmë po shpërndahen certifikata për të sakrificën dhe punën e ushtarëve gjatë kohës së luftës.

Ai kritikoi vendimet e Qeverisë për të ndarë 170 euro në muaj për veteranët, që sipas tij, kjo shumë është e vogël për punën që kanë bërë ata. Kurse, vëllai i dëshmorit Bedri Shala, Ilmiu, deklaroi se Qeveria po i përbuz veteranët.

Ndërsa, Agush Krasniqi, i cili u shpall ushtari më i vjetër i kësaj brigade, pohoi se qeveritarët duhet të ofrojnë kushte më të mira.

Pakënaqësi për shumën e caktuar të pensionit për veteranë ka pasur gjithandej vendit. Ata kërkojnë që pensioni i tyre të jetë më shumë se 200 euro.