Pak shpresë për ditëlindje

REPORTAZH (Tages Anzeiger, Zürich) - Kosova shënon 10-vjetorin e pavarësisë. Takime me njerëz kreativë dhe të hapur ndaj botës, të cilët kanë mësuar shumë nga Zvicra.

«Secili fëmijë është gjeni, vetëm duhet të ketë shansin të pushtojë të ardhmen»: Vllaznim Xhiha në zyrat e projektit të tij «Bonevet». Foto: Arben Llapashtica



Ndoshta vajza e mrekullive do të vijë. Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës me siguri do të gëzohen, shpirtrat e tyre që tani po fluturojnë. Ata do të udhëtojnë nga të gjitha anët e vendit për të brohoritur e vallëzuar në dalldinë e lirisë në kryeqytetin e vendit, në Prishtinë, dhe ata për disa orë do t’i harrojnë hallet e përditshmërisë, kur Rita Ora do të ngjitet në skenë.

Ylli i muzikës pop është idhull i tinejxherëve kosovarë. «Çika jonë» – kështu e quajnë atë i madh e i vogël, sepse Rita Ora ka lindur në Prishtinë në vitin 1990, pastaj ka mërguar me familjen e saj në Londër për t’iu shmangur luftës dhe sot zëri i saj dëgjohet në të gjitha kontinentet, në çdo kasolle dhe në çdo bar. Ndoshta ajo me të vërtetë do të vijë për të festuar 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Për këtë bëhen shumë muhabete në Prishtinë aktualisht – krahas politikës, e cila në shtetin më të ri të Europës më shumë është sinonim për korrupsion, intriga dhe teori komploti.

Ky është një rrëfim mbi shpresat e zhgënjyera, luftëtarët e regjur sundimtarë, sukseset e mëdha dhe të vogla dhe mbi njerëzit kreativë dhe të hapur ndaj botës, të cilët në Prishtinë, në këtë qytet kaotik dhe të papërfunduar, i rezistojnë mjerimit.

Në këtë ditë dimri një puhi e lehtë dhe e këndshme fryn nëpër rrugët e kryeqytetit, por ajri përmban ende duhem e thartë të termocentraleve të vjetra, të cilat prodhojnë rrymë afër aeroportit. Diçka e tillë s’mund t’ia prish disponimin Vllaznim Xhihës. Në takim në zyrat e projektit të tij për përkrahjen e të rinjve «Bonevet» ai vjen saktë me minutë, tund duart e të gjithë punëtorëve dhe që në orët e hershme të mëngjesit përhap një optimizëm të pakufishëm.

Kozmopoliti dhe fëmijët

«Bonevet» domethënë «bëje vetë». Këtu fëmijët mund të shprehen lirshëm, të eksperimentojnë, të mësojnë duke lozur, të merren me punë artizanale, të vizatojnë, këtu ata fitojnë njohuri mbi robotët, softuerin CAD, printerët 3D, elektroteknikën. «Secili fëmijë është gjeni, vetëm duhet të ketë shansin të pushtojë të ardhmen», thotë Xhiha. Ai është një kozmopolit, një «Weltbürger», siç thuhet në gjermanisht. I ati i tij ishte ndër pak kosovarë që pati mundësi të bëjë karrierë në diplomacinë jugosllave. Xhiha ndoqi mësimet e shkollës fillore në Zelandë të Re, kreu maturën në Zürich dhe studioi në vitet ’70 elektroteknikën në ETH, Shkollën e Lartë Teknike të Zürichut, aty ku dikur kishte studiuar Albert Einsteini. Pak pas themelimit të Universitetit të Prishtinës ai u kthye në vendlindje, ku kishte shumë kërkesa për shkencëtarë të rinj.

Por së shpejti atë e tërhoqi përsëri Zvicra. Në kantonin e Tiçinos ai më 1992 themeloi një ndërmarrje të elektroteknikës, të cilën më 2011 ia shiti kompanisë ABB për 170 milionë franga. Si multimilioner Xhiha do të mund të tërhiqej në një vilë të bukur pranë Liqenit të Zürichut dhe të shijonte jetën. Por ai vendosi të kthehet për herë të dytë në vendlindje. Me fondacionin e tij ky filantrop mbështet themelimin e ndërmarrjeve, përkrah artistë të rinj dhe me «Bonevet» ai u ofron të rinjve një hapësirë për ide kreative.

Ai ka filluar në Gjakovë, një qytet në perëndim të Kosovës, ku gjatë luftës në fund të viteve ’90 qindra burra u masakruan nga forcat serbe të sigurisë. Tani ai për laboratorin e tij të ardhmërisë ka marrë me qira një hapësirë edhe në Prishtinë. Ambasadat perëndimore janë të bindura mbi rëndësinë e këtij projekti. Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe organizatat e ngjashme gjermane dhe amerikane po ashtu e përkrahin Xhihën. «Bonevet» është një përgjigje ndaj sistemit arsimor të Kosovës të ngarkuar me shumë teori dhe ndaj rezultateve të studimit të fundit të PISA-s, të cilat për republikën e re rezultuan turpshëm dobët. «Nuk duhet të vajtojmë, por të ecim përpara me shembuj të mirë», thotë Xhiha në fund të bisedës. Ai ka mjaft punë. Aktualisht ai po tenton të kontaktojë pjesëtarë të komunitetit serb. Së shpejti «Bonevet» mund të hapë një «Makerspace» edhe në një komunë me shumicë serbe. Edhe atje Xhiha do të kujdeset që gjysma e pjesëmarrësve të kurseve të jenë vajza.

Republika e re është atdhe i popullsisë më të re të Europës. Kosova ka afër 1,8 milionë banorë, gati gjysma janë nën moshën 25-vjeçare. Kjo bie në sy gjithkund në Prishtinë: në Bulevardin Nëna Terezë, në lokalet e njohura si Soma Book Station dhe në restorante si Papirun, ku mund të shijoni ndoshta sanduçin më të mirë mes Zürichut dhe Stambollit. Në këtë vend prodhohet pak, impiantet industriale ndryshken, papunësia kalon mbi 30 për qind, gati gjysma e të rinjve kërkojnë punë, dhe një bandë kleptokratësh, të cilët pas vitit 1999 morën pushtetit me aurën e çlirimtarëve, bëhet sikur qeverisë.

Hudhra nga Kina

«Ne importojmë madje edhe hudhra dhe rrëmojsa dhëmbësh nga Kina», thotë Agron Demi nga instituti i hulumtimeve GAP. Pa paratë e dërguara nga diaspora Kosova do të pësonte kolaps. Nganjëherë njeriu e ka përshtypjen se Prishtina është një lagje zvicerane e lënë pas dore: autobusë të vjetër të postës zvicerane, flamuj të kuqe me kryq të bardhë, vetura me shkronjat dalluese të Zvicrës «CH», dialekte të llojllojshme të Zvicrës gjermane. Vetëm gjatë festave të fundvitit në aeroportin e vogël të kryeqytetit të Kosovës aterruan mbi 200 avionë nga Zürichu, Baseli dhe Gjeneva. Në tri vitet e kaluara, sipas Demit, 111 mijë kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Europës perëndimore. Bëhet fjalë pothuaj tërësisht për refugjatë ekonomikë, të cilët shpejt dëbohen prej nga kanë ardhur. Për të zbutur mjerimin social Gjermania ka filluar të rekrutojë fuqi punonjëse në Ballkan. Brenda më pak se dy vitesh gati 40 mijë punëtorë kosovarë të ndërtimtarisë, kamerierë, inxhinierë, infermiere dhe mjekë kanë gjetur një vend pune në Gjermani.

Para se t’ia kthejnë shpinën atdheut, shumë prej tyre ndjekin një kurs të gjermanishtes te Arbër Xheladini. Ky 31-vjeçar drejton një shkollë të gjuhës gjermane në Prishtinë. Ai nuk ka hequr ende dorë nga shpresa për një të ardhme më të mirë, ende s’ka rënë në fatalizëm si shumë njerëz në Kosovë. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me rrugën e tij jetësore. Ai ishte vogëlush kur familja e tij në fillim të viteve ’90 vendosi të emigrojë në Zvicër për shkak të represionit serb. Xheladini herët mësoi të gjendet në një botë plot me barriera. Në shkollën fillore në fshatin Rüti të Zürichut ai dëshironte të ishte më i miri në gjermanisht, në klasën e gjashtë ai e pyeti mësuesen – «e dashura zonja Wolf» – se çfarë mund të bëhej pas maturës. «Avokat», tha mësuesja. Kjo s’u bë, sepse ndodhi diçka e papritur. NATO-ja përzuri forcat serbe të terrorit, vendlindja e familjes Xheladini u çlirua – dhe ajo vendosi ta braktisë Zvicrën e bekuar. Si refugjatë të pranuar kjo familje mund të qëndronte në Zvicër, por babai i Arbërit dëshironte sërish të ushtronte profesionin e tij si polic dhe jo të përfundonte në një punë të paguar keq në Zvicër. Djali i tij Arbëri studioi gjuhë e letërsi gjermane në Universitetin e Prishtinës, u bë mësues dhe tani po e ndjek atë ëndrrën që e kishte filluar në Rüti të Zürichut: ai dëshiron të bëhet jurist. Tani po përfundon vitin e tretë të studimeve.

Diçka e tillë zor se do të kishte qenë e mundur pa liri e pavarësi. Gjatë sundimit serb shqiptarët e Kosovës ishin të përjashtuar nga shkollat publike, para Hotelit Grand në Prishtinë, një simbol i modernizmit jugosllav, qëndronte një tabelë me shënimin: «Ndalohet hyrja për qenë dhe shqiptarë». Ndërhyrja e NATO-s i dha fund sistemit të aparteidit. Për këtë arsye Bill Clintoni është nderuar në Prishtinë me një përmendore, aty pranë gjendet një butik me emrin Hillary, dhe rruga para Katedrales së re bart emrin George W. Bush. Gati 19 vite pas luftës dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë në këtë vend ende janë të stacionuara trupat e NATO-s, mes tyre edhe ushtarë zviceranë. E ardhmja e Republikës fragjile assesi nuk është e sigurt. Në të vërtetë më shumë se 110 vende e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur, por Serbia si pushtues i dikurshëm nuk lë rast pa penguar zhvillimin. Rusia, shtet me të drejtë vetoje në OKB, pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB, dhe pesë shtete të BE-së refuzojnë të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Beogradi pak a shumë hapur po angazhohet për ndarjen territoriale të ish-krahinës që e sundonte dikur. Për ndarje politikanët serbë më me dëshirë do të negocionin me qeverinë shqiptare të Tiranës. Ideja po gjen mbështetës edhe atje. Për aq kohë sa Perëndimi nuk e detyron Serbinë të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, ky shtet do që qëndrojë në këmbë të qelqta.

Por arsyeja përse Kosova po e humb besimin në vetvete ka të bëjë para së gjithash me klasën politike që doli nga lufta. Komandantët e dikurshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë përvetësuar pothuaj të gjitha resurset, shume njerëz në Kosovë ndihen të gënjyer dhe të mashtruar. Pas konfliktit me Serbinë, i cili u kushtoi me jetë rreth 10 mijë shqiptarëve të Kosovës, heronjtë e UÇK-së hoqën qafe rivalët politikë, infiltruan administratën me figura të dyshimta dhe mbajnë një sistem të gjithanshëm klientelist. Kush i përkrah sundimtarët e regjur, shpërblehet. Kush kritikon grykësinë e pafundme, atakohet nga mafia lokale e mediave. Në Prishtinë është sekret publik se shumë të ashtuquajtura portale të lajmeve financohen prej krerëve të pasur të partive.

Dëfrim i shtrenjtë në St. Moritz

Elita e re banon në pallate dekadente, të cilat gjenden në «Gated Communities», domethënë lagje të rrethuara dhe të ruajtura sipas modelit amerikan. Matadorët politikë fluturojnë nëpër Prishtinë me vetura të shtrenjta terreni dhe me xhama të nxirë, hanë në restorante të shtrenjta dhe i dërgojnë bashkëshortet për shoping në Bahnhofstrasse në Zürich. Kryeministri Ramush Haradinaj, në vitet ’90 një rojtar diskoteke në Zvicrën perëndimore, festoi ndërrimin e moteve në St. Moritz në hotelin Carlton, ku për një suitë paguan deri në 5000 franga dhe ku një gotë konjak kushton gati 300 franga. Po aq në Kosovë është rroga mujore e mësuesit. Se kush i ka paguar pushimet e ish-komandantit të UÇK-së mbetet enigmë. Haradinaj thotë se i ka paguar vetë. Pak para se të udhëtonte në malet zvicerane ai dyfishoi rrogën e tij – nga 1800 në 3500 franga.

Orgjia plaçkitëse dhe papërgjegjësia e organizuar përshpejtojnë zvetënimin moral të kastës politike. Me 3525 franga për kokë banori Kosova ka prodhimin më të ulët të brendshëm bruto në Ballkan, por ajo i ka 21 ministri. Hulumtuesi i ri dhe i patrembur Agron Demi flet për një «kabinet kinez». Thua se kjo s’është pak, Haradinaj ka emëruar mbi 70 zëvendësministra – me gjasë ky është rekord botëror. Biznesmenëve të afërt me qeverinë u falen borxhet, dhënia e tenderëve është plotësisht jotransparente. Për shembull ndërtimi i autostradës nga Prishtina në drejtim të Shqipërisë, i cili arkës së shtetit me gjasë i ka kushtuar mbi një miliard franga. Kontrata me konzorciumin amerikano-turk Bechtel-Enka mbahet sekrete. «Zogut të lirisë që tashmë piqet në hell / ia shkurtuam krahët për ta majmur / me kokrra të vjela nga tmerri», shkruan nga ekzili në Meksikë poeti Xhevdet Bajraj.

Aktualisht mbretëron panik mes ish-kryengritësve. Një tribunal special me seli në Hagë mund të akuzojë disa prej tyre për shkak të krimeve të luftës ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe. Presidenti Hashim Thaçi, i cili në vitet ’90 jetoi në Dietikon afër Zürichut dhe pastaj u bë komisar politik i UÇK-së, po i sfidon hapur fuqitë perëndimore që mbrojnë Kosovën: ai përkrah një nismë parlamentare për ta zhbërë gjykatën. Së fundi u bë e ditur se presidenti kosovar ka lidhur një marrëveshje konsulence për 600 mijë franga me Brian Ballard. Thuhet se ky lobist nga shteti amerikan i Floridas ka lidhje të mira me Donald Trumpin. Zyrtarisht thuhet se Ballard do ta përmirësojë imazhin e Kosovës. Aktivistë të shoqërisë civile në Prishtinë kanë një dyshim tjetër: «Gjarpri», ky ka qenë emri i Thaçit gjatë luftës, synon të lobojë në Washington se ai dhe besnikët e tij të kursehen nga drejtësia ndërkombëtare.

Dramaturgu dhe rinoqeronti

Dramaturgu Jeton Neziraj flet për zgjatime të një satire reale, kur e pyes mbi allishverishet e politikanëve kosovare dhe ekspertëve ndërkombëtarë të stacionuar në këtë vend. Askush nuk mund ta përshkruajë në mënyrë më absurde dhe ta parodizojë më mirë këtë botë të zombive se Neziraj. Pjesët e tij teatrale janë të pafrenueshme, të paturpshme dhe pa respekt për autoritetet. Aty qarkullojnë veteranë të UÇK-së, të cilët janë të bindur se liria dhe pavarësia s’janë gjë tjetër përveçse një epokë e grabitjes së madhe dhe vetëpasurimit. Premiera e «Bordell Balkan», një përpunim i tragjedisë greke «Orestia», vitin e kaluar u dha nën mbrojtje të policisë pasi Neziraj mori kërcënime me vrasje. «Reagimet tregojnë se pjesët e mia teatrale kanë ndikim dhe merret seriozisht. Kjo më bën përshtypje», thotë ky dramaturg pa e çarë kokën për rreziqet. Nga kabareja e tij politike, e cila merret edhe me zejen e vdekjes, e ndiejnë veten të provokuar edhe nacionalistët serbë. Deri me tani dramaturgu më i njohur i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka shkruar mbi 20 drama, shumë prej tyre janë luajtur në skenat europiane, amerikane dhe turke. Neziraj ka qenë dhe në Zvicër me trupën e tij – dhe në pranverë do të vijë me autorë të tjerë në një turne leximi. Që tani ai i gëzohet takimit me shkrimtarin zviceran Pedro Lenz. Ata dy janë njohur në vitin 2016 në Prishtinë kur autori zviceran ndërmori një udhëtim zbulues kulturoro-historik në Kosovë. Lenz «është një njeri fantastik», thotë Neziraj. «Ai menjëherë e ka kuptuar humorin tim të zi».

Dramat e Nezirajt e bëjnë publikun të qeshë dhe të vrasë mendjen vetëm me titujt e tyre. Në dramën «Carla Del Ponte pi Vanilla Chai Latte në Prishtinë» ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës përpiqet t’u bie në gjurmë kriminelëve të luftës dhe e befasuar konstaton se edhe në kryeqytetin e Kosovës pijet kanë të njëjtën shije si në Europën perëndimore. Në dramën «Kosovo for Dummies», një prodhim i përbashkët me teatrin Schlachthaus (Thertorja) të Bernës, bëhet fjalë për refugjatë me probleme identiteti, të cilët një zyrtari tepër pedant duhet t’i dëshmojnë se nuk janë rinoqerontë. Që nga kufiri perëndimor i Rusisë e këndej kosovarët janë europianët e vetëm që duhet të pajisen me viza për hapësirën e Schengenit. Një popull i tërë ndëshkohet nga BE sepse politikanët kosovarë nuk janë në gjendje të miratojnë një marrëveshje kufitare me Malin e Zi.

Megjithatë, nga fjalët e Jeton Nezirajt nuk tingëllon hidhësi. «Detyrë e imja është t’i zgjerojë kufijtë  lirisë. Fundja, ne atdhe tjetër nuk kemi», thotë ai në tavernën «Miqtë». Janë njerëzit si Neziraj, disa publicistë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët me zemërimin e tyre të shprehur publikisht kanë ndihmuar të tejkalohet frika nga klika sunduese.

Fajtor për mjerimin është edhe misioni më i madh dhe më i shtrenjtë i BE-së në botën e jashtme. Kur ky mision nisi punën pas pavarësisë më 2008, njerëzit kishin shumë shpresa. Mandati ishte i qartë: përkrahja e autoriteteve lokale gjatë ndërtimit të shtetit juridik dhe luftimi i korrupsionit në nivelet më të larta shtetërore. Ndërkohë ka mjaft indikacione se burokratët e BE-së më me dëshirë lidhin pakt me pushtetmbajtësit për të garantuar stabilitetin sipërfaqësor se sa të thajnë moçalin. Dyshime për afera ryshfeti, intriga dhe zyrtarë jokompetentë e kanë diskredituar tërësisht misionin e BE-së.

Për një kthesë nga e mbara kosovarët duhet të gjejnë vetë forcën. Të rinjtë kureshtarë, të cilët ndjekin kurset te projekti «Bonevet» i Vllaznim Xhihës, e kanë dëshmuar këtë: për herë të parë në Kosovë ata e kanë shndërruar një veturë me benzinë në automjet me energji elektrike. Ky send po ecën.

[Copyright Tages Anzeiger/dialogplus.ch]

https://www.tagesanzeiger.ch/ausland/europa/Die-Banlieue-der-Schweiz-feiert-Geburtstag/story/28203879