Pajtimi shqiptaro-serb: këpucët e mëdha për Ramën dhe Vuçiqin

Edi Rama nuk duhet të humb kohë me idetë e tij groteske për «pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve», duke marrë si shembull të gabuar pajtimin historik gjermano-francez. Këpucët e Konrad Adenauerit dhe të Charles de Gaullit janë shumë të mëdha për Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiqin.

Vitin e kaluar, kur Tiranën e vizitoi kryeministri serb Aleksandër Vuçiqi, homologu i tij shqiptar Edi Rama tha: «Besoj se ne shqiptarët dhe serbët kemi sot mundësinë që të bëjmë të mirën për vetë rajonin tonë atë që francezet dhe gjermanët bën për vete dhe Europën pas Luftës së Dytë Botërore». Para pak ditësh, ndërsa qëndroi për vizitë në Serbi, Rama përsëriti: «Shqiptarët dhe serbët e këtij shekulli të ri mund të bëjnë përmes njëri-tjetrit për veten e tyre dhe për Ballkanin, atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten e tyre dhe për Europën duke kapërcyer me largpamësi rrëqethëse dhe vendosmëri titanike lumin e madh të gjakut që i mbajti të ndarë me shekuj të tërë».

A mund të pajtohen shqiptarët dhe serbët sipas modelit gjermano-francez? Mirë do të ishte! Siç e theksoi me të drejtë publicisti Veton Surroi ideja e pajtimit «tingëllon bukur, është në interesin shtetëror të Shqipërisë, por nuk është e përsëritshme. Pajtimi historik franko-gjerman qe i mundur vetëm me okupimin e Gjermanisë, ndërtimin e një shoqërie demokratike gjermane nën institucionet e okupacionit dhe një katarsis kombëtar që mori përgjegjësinë kolektive për nazizmin dhe politikën e gjenocidit. Pajtimi i këtillë mes shqiptarëve dhe serbëve nuk po pengohet prej shqiptarëve. Ai do të vijë kur Serbia të jetë një shtet demokratik, i cili duke u ballafaquar me të kaluarën e vet pranon përgjegjësinë kolektive të përndjekjes së shqiptarëve të Kosovës dhe me dorë të shtrirë e njeh Pavarësinë e Kosovës».

Përtej këtij argumenti duhet theksuar se çdo krahasim historik është problematik, shpeshherë i paqëndrueshëm, sepse në të shumën e rasteve nuk përputhen rrethanat. Të nisemi nga një shembull i thjeshtë: nëse mund të krahasohet pajtimi mes gjermanëve dhe francezëve me pajtimin e supozuar mes serbëve dhe shqiptarëve, atëherë duhet krahasuar edhe figurat historike me akterët aktualë: Aleksandër Vuçiqi në rolin e Konrad Adenauerit dhe Edi Rama në rolin e gjeneralit krenar Charles de Gaulle. Një krahasim i tillë mund të shkaktojë shumë të qeshura në publik. Këpucët e Adenauerit dhe të De Gaullit janë shumë të mëdha për Vuçiqin dhe Ramën.

Nëse tentojmë të krahasojmë Adenauerin me Vuçiqin, atëherë faktet e bëjnë të pamundshëm krahasimin: pas marrjes së pushtetit partia e Adolf Hitlerit NSDAP e hoqi Adenauerin nga posti i prefektit të Kölnit. Më parë Adenaueri kishte refuzuar t’ia japë dorën një lideri nazist. Vuçiqi, ndërkaq, ka qenë në vijën e parë propagandistike të partisë fashiste serbe, të njohur si Partia Radikale e Serbisë e Vojislav Sheshelit. Si militant i Sheshelit ai në fillim të viteve ’90 ka qëndruar në Pale të Bosnjës, ku ka punuar në një radio propagandistike të Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mladiqit.

Atëbotë Partia Radikale e Serbisë prezantoi planin për zgjidhjen e problemit të Kosovës: të infektohen shqiptarët me HIV, pastaj sëmundja e AIDS-it do t’ia heq qafe Serbisë «llumin shqiptar», siç i quante shqiptarët babai i nacionalistëve serbë Dobrica Qosiq.

Pas gjenocidit në Srebrenicë Vuçiq ka kërcënuar se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë të Bosnjës. Në vitin 1998 ka qenë ministër i informacionit, kupto: censurës i regjimit të Slobodan Milosheviqit. Pasi Milosheviqi në një revolucion gjysmëditor më 5 tetor 2000 humbi pushtetin, Vuçiq mbeti militant antiperëndimor dhe u shqua edhe me aksione konkrete: protestoi kundër autoriteteve që një bulevardi në Beograd ia vunë emrin e kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq, i cili u vra më 11 mars 2003. Vuçiq kërkonte që bulevardi të bartte emrin e Ratko Mladiqit. Ndërsa Vuçiqi shtiret si i moderuar, frymën fashiste të radikalëve e vazhdojnë politikanë si Marko Gjuriqi dhe Aleksandar Vullin.

Që Edi Rama nuk mund të krahasohet me gjeneralin Charles de Gaulle dihet katërçipërisht. Vitet ’90 Rama i ka kaluar si mondialist nëpër Europën Perëndimore me ambicie për të qenë piktor i njohur dhe konfliktet në Ballkan mund t’i ketë «kuptuar» vetëm nga filmat e Emir Kusturicës, një regjisor filmi «çudibërës», siç e quajti gjatë vizitës në Beograd. Gjatë fazës së nxehtë të konfliktit në Kosovë Rama ishte ministër i Kulturës i Shqipërisë dhe nuk mbahet në mend të ketë bërë ndonjë deklaratë serioze për Kosovën. Domethënë biografia e tij politike dhe publike nuk e kualifikon për të marrë rolin e një Charles de Gaulli shqiptar. De Gaulli i vërtetë, francezi, në Luftën e Dytë udhëhoqi rezistencën e «Forces françaises libres» kundër trupave naziste dhe regjimit kolaboracionist Vichy. Në qeverinë e Fatos Nanos Rama mund të ketë zhvilluar ndonjë betejë me brushë, kaq.

Para se të fliste për pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve Rama do të duhej të konsultohej gjerësisht me të gjitha forcat politike në Kosovë, me shoqërinë civile, me qytetarë. Për fatin e keq të Ramës gjasat që ai të merret seriozisht në Kosovë janë të vogla. Një kryeministër i Shqipërisë që vjen në Prishtinë, mban fjalim në parlament dhe e përmend vetëm Adem Jasharin, ndërsa e injoron emrin e Ibrahim Rugovës, e përjashton veten nga çdo rol gjithëkombëtar. Një rol të tillë ndoshta një ditë mund ta luajë ndonjë kryeministër apo president tjetër i Shqipërisë, kuptohet në bashkëveprim me krerët e shtetit të Kosovës dhe në të mirën e të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Të mirën e përbashkët e patën parasysh Adenaueri dhe De Gaulle kur në vitin 1962 u takuan në Katedralen e Reimsit për t’ia shtrirë dorën e pajtimit njëri-tjetrit, me ç’rast u mbajt edhe një meshë pajtimi. Ta paramendojmë një meshë të tillë pajtuese serbo-shqiptare: Vuçiqi me siguri do e merrte me vete patriarkun Irinej, i cili para pak ditësh bëri thirrje që Kosova të rikthehet në gjirin e Serbisë me luftë.

Një vit pas meshës në Reims në Pallatin Élysée u nënshkrua Marrëveshja për bashkëpunim mes Francës dhe Gjermanisë. Marrëveshja kishte tri synime: vulosjen simbolike të pajtimit mes gjermanëve dhe francezëve, fillimin e një miqësie të vërtetë mes dy popujve dhe sidomos të rinjve dhe ndërtimin e një Europe të bashkuar. Në fjalimin e tij në prefekturën e Reimsit kancelari gjerman Konrad Adenauer tha: «Nëse dy popujt tanë, populli francez dhe gjerman, nuk bashkëpunojnë, nëse nuk bashkëpunojnë në unitet të ngushtë, me besim të plotë ndaj njëri-tjetrit, me afinitet dhe miqësi, nuk do të ketë paqe, as për Francën dhe Gjermaninë, as për Europën, as për botën».

Kur është dëgjuar të ketë thënë Vuçiq fjalë të tilla në kontekst të konfliktit shekullor serbo-shqiptar? Kurrë. Gjatë vizitës së Ramës në Beograd Vuçiq tha se ka dëgjuar se shqiptarët janë njerëz të fjalës, pastaj shtoi se serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha të Ballkanit dhe nuk duhet të lejojnë që të tjerët të zgjidhin problemet e tyre. Kjo retorikë është e njohur në Kosovë. Edhe pas masakrës ndaj familjes Jashari në Prekaz në mars 1998 Rusia bashkë me Serbinë dhe me shërbëtorët e saj shqiptarë përpiqeshin t’i largonin amerikanët nga involvimi në konfliktin e Kosovës. Ideja ishte të bindeshin shqiptarët të pranojnë bisedime bilaterale me Serbinë, pa praninë ndërkombëtare.

Një apel të tillë po e bën edhe sot Vuçiqi: ejani shqiptarë t’i zgjidhim vetë problemet, duke përjashtuar shtetet perëndimore. Pse Edi Rama bie në këso grackash serbe mbetet ende e paqartë. Në paraqitjet e tij publike Rama nënvizoi se shqiptarët e kanë fituar luftën ndaj Serbisë dhe duhet të sillen si fitimtarë. E vërteta është se shqiptarët e kanë nisur, por nuk e kanë fituar luftën ndaj Serbisë. Atë e ka fituar NATO-ja. Rrjedhimisht, shteti i Kosovës si projekt i përbashkët i shqiptarëve të Kosovës dhe i shteteve perëndimore nuk mund t’i lejojë vetes aventura pseudopajtuese me Serbinë për aq kohë sa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Do të ishte mirë që Edi Rama të ndiqte ndonjë orë të historisë. Kështu do t’i ndihmonte edhe Shqipërisë, edhe Kosovës.