Pajtim në «Autostradën e Miqësisë»

Maqedonia është e gatshme të ndryshojë emrin e saj aktual shtetëror. Nën presionin e Athinës u është ndërruar emri edhe aeroportit të Shkupit dhe një autostrade.

Për të lehtësuar pajtimin qeveria maqedonase vendosi t'ia ndërrojë emrin aeroportit të Shkupit. Deri më tani ai quhej «Aleksandri i Madh», i cili u lind në vitin 356 para Erës së Re në Pella të Greqisë së sotme. Tani aeroporti do të quhet «International Airport of Skopje».



Zoran Zaev po e kthen Maqedoninë nga periudha antike në realitet. Kryeministri socialdemokrat dëshiron që sa më shpejtë të anëtarësojë vendin e tij në NATO dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Të dyja këto synime po bllokohen prej vitesh nga Greqia. Athina akuzon Maqedoninë se po keqpërdorë trashëgiminë antike, e cila gjoja u përket vetëm grekëve: meqë një rajon i Greqisë veriore quhet Maqedoni, shteti fqinj i njohur si Maqedoni duhet të ndërrojë emrin.

Tani duket se po i vjen fundi kësaj grindjeje absurde dhe shumëvjeçare rreth emrit të Maqedonisë. Kryeministri i Maqedonisë Zaev deklaroi në Shkup, kryeqytetin e vendit, se ekziston gatishmëria e qeverisë së tij që emri aktual shtetëror – Republika e Maqedonisë – të plotësohet me një shtesë gjeografike. Disa propozime tashmë janë bërë: «Maqedonia Veriore», «Maqedonia e Epërme» apo «Maqedonia e Re» mund të jenë emra të pranueshëm për të dy palët. Për të lehtësuar pajtimin qeveria maqedonase vendosi t’ia ndërrojë emrin aeroportit të Shkupit. Deri më tani ai quhej «Aleksandri i Madh», i cili u lind në vitin 356 para Erës së Re në Pella të Greqisë së sotme. Tani aeroporti do të quhet «International Airport of Skopje». Autostrada që lidhë Shkupin me Selanikun do të bart emrin «Rruga e Miqësisë»; deri më tani kjo rrugë i kushtohej sundimtarit të Maqedonisë antike. Greqia përshëndeti këtë hap. Zaev i kishte paralajmëruar këto lëshime gjatë një takimi me homologun e tij grek Aleksis Cipras në Davos në Forumin Ekonomik Botëror.

Cipras shpreson se pas zgjidhjes së konfliktit të emrit me Maqedoninë ai do të fitojë poenë te partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që këta të heqin dorë nga mbikëqyrja e Greqisë nga ana e kredidhënësve. Programi aktual i ndihmave për Greqinë në vlerë prej 86 miliardë euro përfundon më 20 gusht. Popullisti i majtë Cipras llogarit pastaj me falje të një pjese të borxheve. Aktualisht është e paqartë nëse Cipras do të arrijë një kompromis në parlament për çështjen e emrit. Ditëve të fundit dhjetëra-mijëra grekë kanë demonstruar që Greqia të gëzojë të drejtën e vetme për të përdorur emrin Maqedoni. «Maqedonia është greke dhe vetëm greke», brohoritën të dielën nacionlaistë të majtë dhe të djathtë, opozitarë konservatorë dhe dinjitarë të kishës ortodokse greke në Sheshin Sintagma në Athinë. Sipas anketave 71 për qind e grekëve janë kundër që fqinji verior të përdorë emrin Maqedoni në çfarëdo forme. Por toponimi Maqedoni përshkruan edhe një trevë të gjerë historike, e cila pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane u nda mes disa shteteve të Ballkanit. Detaje të tilla për urra-patriotët grekë me gjasë janë të parëndësishme dhe të pakuptueshme.
E.R.