Padia e gjyqtarëve kërcënon integrimin e Shqipërisë në BE, thonë ekspertët shqiptarë

Ekspertët e integrimit Europian në Tiranë paralajmëruan se padia e Unionit dhe Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve për të ndryshuar disa nene nga ligjet e reformës në drejtësi mund të vonojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.




Në fillim të qershorit Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me një padi për të kërkuar shfuqizimin e disa neneve të tre ligjeve të cilat janë pjesë e reformës në drejtësi.

Përmes padisë së tyre, gjyqtarët bazohen te normat kushtetuese për të kërkuar një sërë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, përfshirë ligjin e vetingut në lidhje me kontrollet e pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kontaktet e tyre të mundshme me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen në kohë të kontrolleve mbi lidhjet mes gjykatësve, prokurorëve dhe krimit të organizuar, mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të provave (me dëshmitarë ose përmes përgjimeve telefonike parandaluese), si dhe të drejtën për të dhënë dorëheqjen në çdo kohë gjatë procesit të vetingut, përkundër afatit aktual 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.

Ndërsa e cilëson kërkesën si një të drejtë që mund të ushtrohet nga subjektet që preken nga reforma në drejtësi, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, një OJQ mbi debatin e procesit të integrimit Europian, tha për BIRN-in se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të vulosë pasojat e kësaj lëvizje nga Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve për reformën në Drejtësi.

«Dëmtimi i cilësisë së reformës nëpërmjet shfuqizimeve të pjesshme të paketës legjislative dëmton drejtpërdrejt vetë procesin e integrimit të vendit», tha Gjipali, duke shtuar se «nuk duhet të harrojmë që vlerësimi i vetëm që bëjnë institucionet Europiane lidhet me zbatueshmërinë e reformës e prodhimin e rezultateve të qarta.»

Sipas ekspertit një historik i qëndrueshëm arritjesh është kryefjala e Bashkimit Europian për reforma të tilla të rëndësishme, dhe në këtë kuadër Shqipëria ka ende shumë për të bërë e të vërtetojë rezultatet në sistemin e drejtësisë.

Të njëjtin mendim ndan dhe një tjetër ekspert në Tiranë i cili pohoi për BIRN-in se rëndësia e reformës në drejtësi për anëtarësimin në BE është thelbësore.

«Ky është basti më i madh që BE-ja dhe SHBA-ja kanë vendosur ndonjëherë së bashku për Shqipërinë. Dështimi reformës nuk është thjesht dështim me një masë të caktuar në kuadër të zgjerimit (për shembull ngritja ose jo e një institucioni, miratimi ose jo i një ligji), por dështim i besimit se vendi mund të ndryshojë», tha Gjergji Vurmo drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

«Në kushte të tilla edhe vendimi politik për hapje negociatash pavarësisht problematikës së reformës bëhet i vështirë», shtoi ai.

Në një tryezë të rrumbullakët me anëtarë të shoqërisë civile, ekspertët ndërkombëtarë të përfshirë në hartimin e reformës në drejtësi shprehën shqetësim të enjten, për padinë e re të shoqatave të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Një nga ekspertët tha se kërkesat e bëra synonin të «bënin më të dobët vetingun» dhe «të ulnin standardet për promovimin e gjykatësve». Eksperti tha se ndërsa ishte legjitime që dikush të ankohej në gjykatë për çështje të ndryshme, ata e shihnin me shqetësim kohën që ishte zgjedhur për ankesën dhe mënyrën se si ajo po procedohej nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo nuk është hera e parë që dy shoqatat që përfaqësojnë interesat e lobit të gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar ligjet që janë pjesë e reformës në drejtësi. Ato iu bashkuan Partisë Demokratike në vjeshtën e vitit 2016 duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të vetingut – i cili mbart një rol kyç për zbatimin e reformës në drejtësi, të miratuar me ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016.

Kërkesa për të hedhur poshtë ligjin e vetingut nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese, por kjo nuk i dekurajoi shoqatat e gjyqtarëve, të cilët, me anë të një kërkese të dytë, arritën të shfuqizonin pjesërisht në prill një numër nenesh nga ligji «Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë».

«Në rast të ndryshimeve thelbësore do të jetë e nevojshme të bëhen rregullime ligjore, të cilat do të duhet të jenë fryt i kompromisit politik», tha Gjipali.

«Në këtë skenar gjithsesi do të duhej një kohe relativisht e gjatë për t’i arritur rregullimet, që do të sillte pamundësinë e Këshillit të BE-së për të hapur negociatat dhe për këtë vit», përfundoi ai.

(https://www.reporter.al/padia-e-gjyqtareve-kercenon-integrimin-e-shqiperise-ne-be-thone-ekspertet-shqiptare/)