Pacolli: «Është mirë nëse ka aktakuza kundër atyre që kanë kryer krime të luftës»

Shefi i firmës «Mabetex», Behgjet Pacolli, i cili është edhe ministër i punëve të Jashtme të Kosovës, ka deklaruar për radion publike zvicerane se nëse ka shqiptarë që janë fajtorë për krime të luftës, ata duhet të dënohen. Ai ka thënë se nganjëherë harron se është në Kosovë dhe ndihet «si në Zvicër».

Foto: Shutterstock



Me hyrjen e Behgjet Pacollit në qeverinë e re të Kosovës, sipas radios zvicerane «SRF 4 News», është «kompletuar» ajo që quhet «Swiss Connection», lidhja zvicerane, në politikën e Kosovës. Pacolli është një ndërtimtar dhe selia e firmës së tij «Mabetex» gjendet në Lugano në kantonin e Tiçinos. Edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë jetuar në ekzil në Zvicër dhe nga këtu kanë organizuar kryengritjen në Kosovë në vitet ‘90.

Në një intervistë për «SRF 4 News» shefi i firmës «Mabetex», Behgjet Pacolli, i cili është edhe ministër i punëve të Jashtme të Kosovës, tha: «Zvicra është sinonim i demokracisë dhe tolerancës. Ne duhet ta kopjojmë këtë. Jam i lumtur që atë që kemi mësuar në Zvicër mund ta zbatojmë këtu». Në fund të viteve ’90 drejtësia zvicerane e ka ndjekur Pacollin nën dyshimin se është pastrues i parave të pista, se ka korruptuar zyrtarë të Kremlinit dhe ka «menaxhuar» kartelat bankare të vajzave të presidentit të atëhershëm rus Boris Jelcin. Autoritetet zvicerane patën kërkuar ndihmë juridike nga drejtësia ruse në «çështjen Pacolli», por pa sukses. Andaj në kuptimin ligjor Pacolli ka mbetur i padënuar. Por, politika zvicerane e ka mbajtur përherë në distancë këtë biznesmen kontrovers.

Në intervistën dhënë radios zvicerane Pacolli citohet të ketë thënë se Kosova ka dy vjet që është duke pritur aktakuzat e Gjykatës Speciale, e cila u themelua pas raportit të politikanit zviceran Dick Marty, i cili vjen po ashtu nga kantoni i Tiçinos. Pacolli deklaroi: «Është mirë nëse ka aktakuza kundër atyre që vërtet kanë kryer krime të luftës dhe ka pasur shqiptarë që e kanë ngarkuar veten me faj. Për këtë duhet të dënohen». Pas intervistës në radion zvicerane, përmbajtja e së cilës, me sa duket, e ka shqetësuar Pacollin, i cili me gjasë nuk ka qenë i vetëdijshëm çfarë ka deklaruar, citati është «rregulluar» në këtë mënyrë: «Është mirë nëse ka aktakuza kundër atyre që vërtet kanë kryer krime të luftës, dhe nëse ka pasur kosovarë, të cilët e kanë ngarkuar veten me faj. Ata duhet të dënohen për këtë».

Pacolli tha se qeveria ka një shumicë fragjile, por u shpreh i bindur se ajo do ta çojë mandatin deri në zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se në Kosovë ka shumë përparim falë kosovarëve nga Zvicra dhe gjetiu: «Nganjëherë kur shoh sa është ndërtuar dhe zhvilluar Kosova, harroj se jam në Kosovë dhe ndihem si në Zvicër». Në muajin e kaluar papunësia në Zvicër ishte 3 për qind. Rroga mesatare vjetore në Zvicër është 66 mijë franga (57,500 euro). Në testin e fundit të PISA-s nxënësit zviceranë kanë zënë vendin e parë në Europë në lëndën e matematikës dhe të shtatin në botë. Rroga mesatare vjetore në Kosovë sillet rreth 5 mijë euro ose 52 mijë euro më pak se në Zvicër. Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është 29 për qind. Ndërsa në testin e PISA-s nxënësit kosovarë kryesojnë listën – nga fundi. Përballë kësaj situate alarmante duket cinike deklarata e Pacollit se në Kosovë ndihet «si në Zvicër». (dp)