Pacolli: Asociacioni në Luginë do duhej formuar para atij të serbëve të Kosovës




Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, thotë se i mirëpret të gjitha format e organizimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që do të sjellin përparim real të statusit të tyre, përmirësim të të drejtave njerëzore, individuale dhe kolektive.

Në këtë kuptim, Pacolli thotë se e vlerëson vendimin e djeshëm të Këshilltarëve shqiptarë të Luginës për të krijuar një formë grupimi të komunave me shumicë shqiptare.

Por thotë se ky vendim do duhej të ishte marrë më përpara firmosjes së Marrëveshjes për krijimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Bruksel.

“Shqiptarët e kanë patur më të nevojshme se serbët një formë grupimi të komunave të tyre. Ata vuajnë shumë dhe mbi të gjitha diskriminim ekonomik që është themeli i të gjithë llojeve të tjera të diskriminimeve. Nëse shqiptarët e Serbisë do të kishin miratuar më parë një formë të tillë organizimi, atëherë ky fakt do të ndikonte për mirë në pozicionin e palës kosovare në negociatat e Brukselit për Asosacionin e Komunave serbe. Pra me këtë fakt në dorë, pozita negociuese e Kosovës do të forcohej. Nëse Serbia do të reagonte si po reagon sot ndaj Preshevës, atëherë ajo në Bruksel s’do mund të kishte stekë të lartë për pretendimet e veta ndaj Kosovës”, ka thënë Pacolli, raporton Koha.net.

Pacolli më tej thotë se i ashtuquajturi reciprocitet, në këtë mes, mjerisht s’mund të jetë i plotë.

“Me Asosacionin e Komunave serbe, Serbia u detyrua të pranojë zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës në gjithë territorin tonë. Dhe shqiptarët në Serbi janë të detyruar të veprojnë brenda ligjit dhe Kushtetutës së Serbisë. Ama për fat të keq që Asosacioni shqiptar të fitojë fuqi reale, do duhet të legalizohet nga shteti serb. Do duhej të ndryshoheshin ligje serbe, do duhej të miratohej nga Parlamenti serb. Po a do ndodhë kjo? Krijimi i Asosacionit është vetëm hapi i parë”, ka thënë Pacolli.