Pacienti maqedonas

Dy partitë kryesore maqedonase kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në kampin politik shqiptar duket se janë shënuar ndryshime dramatike.



Nikola Gruevski dyshohet se ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë të Maqedonisë. Ai akuzohet nga opozita dhe nga diplomatët perëndimorë për korrupsion, vjedhje votash, manipulime me regjistra elektoralë, kurdisje tenderësh. Duke qëndruar në pushtet më shumë se një dekadë Gruevski ka krijuar një armatë militantësh, të cilët përfitojnë nga sistemi dhe janë përherë të gatshëm të votojnë VMRO-në, pa marrë parasysh se çfarë skandalesh shkakton ajo. VMRO, sipas një zëdhënësi të saj, ka fituar sërish.

Fitore kanë shpallur edhe socialdemokratët e Maqedonisë (LSDM). Por ata kanë qenë më të kujdesshëm, duke thënë se kanë korrur fitore në qendrat urbane, pra në qytetet më të mëdha. Ndonëse është herët për vlerësime përfundimtare, duket se socialdemokratët e Zoran Zaevit kanë fituar mjaft vota edhe në lokalitetet shqiptare. Për herë të parë që nga pavarësimi i Maqedonisë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve ka kapërcyer hendekun etnik dhe ka votuar për socialdemokratët. Po të ishte Maqedonia një shtet si Zvicra, votimi i pjesëtarëve të pakicës për njërën nga partitë e shumicës nuk do të përbënte kurrfarë lajmi. Në Maqedoni votimi i jo pak shqiptarëve për socialdemokratët maqedonas përbën lajm. Zhgënjimi i shqiptarëve me partitë e tyre duket të jetë i madh, andaj jo pak prej tyre besuam se LSDM do të përfaqësojë më mirë interesat e tyre. LSDM ka bërë premtime të mëdha gjatë fushatës elektorale ndaj popullsisë shqiptare në Maqedoni. Mbetet të shihet nëse këto premtime do të realizohen. Nëse realizohet, për shembull, premtimi që gjuha shqipe të jetë zyrtare, siç e meriton, atëherë socialdemokratët mund të konsolidojnë edhe më shumë përkrahjen e shqiptarëve. Në rast të tillë VMRO do të përpiqet të prezantohet si parti e vetme që mbron interesat nacionale të maqedonasve sllavë.

Në kampin politik shqiptar duket se janë shënuar ndryshime dramatike. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka pësuar një humbje të rëndë – pa marrë parasysh se rezultatet e para e nxjerrin BDI-në si partinë prijëse mes shqiptarëve. Në paraqitjen para mediave kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se përherë ka apeluar që shqiptarët të mos copëtohen, sepse do të jenë humbës. Rrjedhimisht, sipas tij, në këto zgjedhje kanë humbur të gjithë shqiptarët, andaj «nuk më gëzon fitorja e BDI-së». Si të gjithë liderët politikë shqiptarë edhe Ahmeti nuk foli për gabimet e partisë së tij, për kuadrot e dobëta, për skandalet dhe aferat e shumta, për dëgjueshmërinë e pafalshme ndaj «diktatorit të vogël» Nikola Gruevski, siç  e kishte quajtur një gazetë zvicerane.

Në mesin e komunitetit shqiptar ka ndodhur një shpërndarje e madhe e votave. Një pjesë e konsiderueshme e elektoratit sidomos në Shkup dhe në Kumanovë e rrethinë ia kanë falur besimin Lëvizjes Besa, një parti e re, e cila, ngjashëm si AKP e Rexhep Taip Erdoanit, propagandon qeverisje me duar të pastra, përkushtim ndaj fesë, familjes dhe vlerave konservatore. Partia e Arbën Xhaferit në këto zgjedhje ka marrë pjesë e përçarë në dy grupe: PDSH e Menduh Thaçit dhe Aleanca për shqiptarë e Zijadin Selës. Të dyja së bashku nuk mbërrijnë as në 6 për qind. Sipas të dhënave të para zyrtare VMRO ka fituar 39,5 për qind të votave, socialdemokratët 36,2 për qind, BDI rreth 7 për qind, Besa 4,4 për qind. Përçarja mes shqiptarëve dobëson fuqinë e tyre në parlamentin maqedonas: në përbërjen e tanishme të parlamentit maqedonas shqiptarët kishin 27 deputetë. Në përbërjen e ardhshme, sipas Ali Ahmetit, do të kenë rreth 19. Kaq kishte edhe BDI në parlamentin e tanishëm. Është herët të parashikohet se si do të duket qeveria e ardhshme e Maqedonisë, por një gjë është e sigurt: ky vend mbetet pacient i Ballkanit.