Pa «urimet» nga Kosova Merkel nuk bëhet kancelare

Mungesën e sukseseve në politikën e jashtme liderët e Kosovës përpiqen ta maskojnë duke e komentuar formimin e qeverisë në Berlin. Kjo është një tallje me opinionin publik. Për herë të fundit një politikan i nivelit të lartë të Kosovës në Berlin ka qenë në vitin 2015. Ishte kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa. Këta të tjerët nuk i pret askush. Sa herë është pritur, për dallim, lideri serb Aleksandar Vuçiq?

Angela Merkel.



Qenkan hedhur në aksion sundimtarët e Kosovës për t’i uruar Angela Merkelit «mandatin e katërt» si kancelare e Gjermanisë. Merkel pritet të zgjidhet tek më 14 mars nga Bundestagu, por s’ka gajle, qëllimi është që politikanët e Kosovës, të cilët politikën e kanë shndërruar në biznes personal, të krijojnë përshtypjen se janë të vëmendshëm edhe kur ka zhvillime politike në shtetet që kanë ndikim në politikën ndërkombëtare. Seria e «urimeve» është një përpjekje e mjerë për të dëshmuar gjoja aleancën me Gjermaninë apo me shtete të tjera. Jo rastësisht si dëshmi të kësaj «miqësie të përhershme» prezantohen edhe telegramet e urimit që vijnë nga bota e jashtme në raste përvjetorësh, gjeste këto krejtësisht formale.

Përtej statuseve në Facebook, me të cilat liderët e Kosovës tentojnë të mashtrojnë opinionin se po kultivojnë raporte të mira me Gjermaninë, duhet shikuar faktet. Kryeministri i fundit i Kosovës që ka qenë në Berlin është Isa Mustafa. Vizita u realizua në qershor të vitit 2015. Pra, para më shumë se dy vite e gjysmë.

Të shohim tani vizitat që ka realizuar lideri i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Berlin – qoftë si president, qoftë si kryeministër. Vuçiq vizitoi Berlinin në fillim të javës (27.02.2018). Me atë rast Merkel deklaroi: «Jemi të impresionuar sa me sukses po ecën Serbia në rrugën e reformave». Sipas Vuçiqit në Serbi 43 mijë njerëz punojnë në ndërmarrje gjermane. Kancelarja konfirmoi edhe diçka tjetër: «Gjermania dhe Serbia kanë një shkëmbim mallrash në vlerë prej 4 miliardë euro». Kësisoj Gjermania është aktualisht partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë. Merkel foli edhe për Kosovën, por jo duke i bërë presion Vuçiqit. Kancelarja tha: «Sa i përket pritjes rreth Kosovës, nuk jam unë ajo që përcakton se çka duhet të ndodhë. Jemi duke biseduar për atë se çka është e dëshirueshme dhe çka duhet të bëhet, por iniciativa duhet të vijë nga Serbia. Presidenti serb është ai që vepron këtu. Ne i diskutojmë gjërat dhe japim përkrahje ku kërkohet përkrahja jonë, por unë nuk do të japë këshilla – aq më pak publikisht». Merkel po ashtu shtoi: «E çmoj shumë punën e Aleksandër Vuçiqit edhe sa i përket bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit perëndimore, dhe i dëshiroj atij sukses të plotë në punën e tij jo të lehtë – dhe pjesërisht shumë emocionale».

Në politikën ndërkombëtare me rëndësi është edhe toni. A është dëgjuar Merkel duke folur me ton të tillë për politikanët e Kosovës? Jo. Dallimi vërehet edhe në numrin e vizitave. Vuçiq ka qëndruar për vizitë në Berlin edhe më 14 mars 2017, më 7 shtator 2015, më 8 korrik 2015, më 11 qershor 2014. Më 23 maj 2014 Merkel i ka telefonuar Vuçiqit.

Këto janë faktet. Urimet janë për argëtimin e miletit «fejsbukor». Natyrisht edhe për Kosovën Gjermania mbetet partner i rëndësishëm, me siguri ka edhe bashkëpunim ekonomik, por tejet modest. Për gati dy dekada në liri asnjë ndërmarrje e madhe gjermane nuk ka hapur vende të punës në Kosovë. Nga ana tjetër Kosova ka «eksportuar» në Gjermani rreth 100 mijë njerëz – në të vërtetë këta kanë ikur nga varfëria, nga mungesa e perspektivës, nga papunësia. Dhe rreth 40 mijë kosovarë kanë gjetur vende pune në Gjermani. Politikanët mund të gëzohen për këtë, sepse kjo ikje e zbut pak gjendjen e rëndë sociale, por ana e dhimbshme e emigrimit është se shumë njerëz të arsimuar mirë po ikin nga Kosova. Të diskutosh për këto probleme është më vështirë se të shkruash «urime» në Facebook dhe ta ftosh veten në Berlin, siç bën ndonjë tyxhar politik.
E.R.