Pa ty

Foto: Shutterstock



Ti ike udhës së pafundme,
Ku zverdhin drurët gjetherënës,
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medaljon i hënës.

Lejlekët ikën. Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi,
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.

Tani në fusha shkoj menduar,
Ku nis të fryjë era e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si donkishotë.

Ç’të bëj, po them me veten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Kur qerrja baltave bën shkrime,
Të lashta si të Gjon Buzukut?

Po shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Ti pi në gjunjë duke rënë.
Në grykë e di që do më ngelet
I ftohti medaljon i hënës.