Pa stil, pa respekt dhe me diletantizëm: Funksionarët zviceranë të futbollit përjashtojnë Behramin

Federata e Futbollit e Zvicrës sërish ka shkaktuar një skandal të madh, duke lejuar trajnerin Vladimir Petkoviq të largojë nga ekipi Valon Behramin, i cili ishte një lloj figure atërore për lojtarët e tjerë nga Ballkani. Pas gjestit me shqiponjë dhe sulmeve primitive kundër futbollistëve shqiptarë nga një pjesë e Federatës së Futbollit të Zvicrës dhe disa mediave zvicerane, Behrami doli në mbrojtje të Xhakës, Shaqirit dhe të tjerëve.

Valon Behrami.



Me pesë fjalë Valon Behrami njoftoi se në të ardhmen nuk do të luajë më për Zvicrën («My international career is over»). Në një intervistë dhënë televizionit të kantonit Tiçino, Behrami tha se të hënën kishte marrë një telefonatë nga trajneri Vladimir Petkoviq, i cili, sipas Behramit, i kishte thënë se nuk ka më ardhmëri në kombëtaren e Zvicrës. Behrami la të kuptohej se Petkoviq faktikisht e kishte përjashtuar nga kombëtarja.

Federata e Futbollit e Zvicrës ka një version tjetër të ngjarjes: Petkoviq vetëm e paskësh pyetur Behramin se çfarë planesh ka. Synimi i trajnerit thuhet të jetë freskimi i ekipit me lojtarë të rinj dhe për këtë qëllim Petkoviq e ka ndërmend të largojë disa nga lojtarët e «vjetër» si Behrami, i cili i ka mbushur 33 vjet dhe shpesh ka probleme me gjurin.

Një arsye që përmendet nga mediat për përjashtimin e Behramit është se gjoja ka shumë pushtet brenda ekipit. Gazeta «Tages Anzeiger» aludon se tensione brenda ekipit mund të ketë shkaktuar edhe fakti se pas ndeshjes testuese kundër Greqisë në Athinë në muajin mars, në hotelin e ekipit bujti Lara Gut, tashmë gruaja e Valon Behramit. Në intervistë Behrami theksoi: «Trajneri mund të thotë çfarë të dojë, këtë mund ta bëjë edhe në të ardhmen, por ky është vendim politik. Është zgjedhja e tij pasi unë kundërshtova disa njerëz që nuk e kuptojnë se çka domethënë futbolli, sepse vetë nuk kanë luajtur kurrë futboll». Behrami tha se ai përherë ishte angazhuar për unitetin e ekipit, por pas Kampionatit në Rusi pati një njoftim që shkaktoi përçarje. Është e qartë se për çka e ka fjalën Behrami: pas garës në Rusi dhe pas gjestit me shqiponjë të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Alex Miescher, dha një intervistë ku propozonte që Zvicra në të ardhmen të heq dorë nga futbollistët me dy shtetësi. Shigjeta drejtohej kundër fubtollistëve si Xhaka, i cili është vetëm shtetas i Zvicrës, por këtë funksionarët injorantë zviceranë me gjasë nuk e dinin.

Në intervistën e tij Behrami tha se ajo çfarë ndodhi pas gjestit me shqiponjë, gjithë ai debat në Zvicër, ndikoi në përçarjen e ekipit. Behrami thekson se ka kundërshtuar disa njerëz në lidhje me këtë. Këtu është e qartë se e ka fjalën për Alex Miescher. Në vend se ta përjashtojë Mieschrin Federata dhe Petkoviq largojnë Behramin.

Për gazetën «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) mënyra se si Federata e Futbollit e Zvicrës dhe trajneri Petkoviq u sollën me Behramin flet për mungesë respekti dhe stili. Federata, sipas «NZZ», sërish e ka humbur kontrollin. Dobësitë komunikative të Petkoviqit janë të njohura dhe tolerohen nga Federata. Andaj kjo gazetë zvicerane kërkon që nëse Petkoviq ka dështuar t’ia bëjë të qartë si duhet Behramit të ardhmen e tij, atëherë duhet të ketë konsekuenca – që i bie: edhe e ardhmja e Petkoviqit duhet të shqyrtohet.

Njoftimi i një lojtari të njohur vetëm përmes telefonit se nuk mund të luajë më në kombëtaren e Zvicrës, tregon se Petkoviq dhe Federata e Futbollit nuk janë në nivel të detyrës. Madje NZZ shkruan se Federata e Futbollit e Zvicrës po tregon vetëm diletantizëm. Gazeta «Tages Anzeiger» kritikon edhe heshtjen e trajnerit Vladimir Petkoviq që nga disfata kundër Suedisë në Rusi. Petkoviq, sipas kësaj gazete, ka një rrogë vjetore prej 1 milion franga dhe prapë po i harron obligimet e tij për të komunikuar në mënyrë transparente me opinionin.

Behrami dhe Petkoviq banojnë në kantonin e Tiçinos, jo larg njëri-tjetrit. Behrami tha se ka pritur që Petkoviq t’ia komunikonte vendimin në sy dhe duke ia vendosur dorën në sup – dhe jo kështu, me një bisedë prej 30 sekondash. Pas intervistës së Alex Miescher mbi lojtarët me shtetësi të dyfishtë, disa lojtarë menduan të japin dorëheqje nga kombëtarja për shkak se u ndien të fyer, të lënduar në ndjenjat e tyre. Kështu thotë Behrami në intervistë. Ai thotë se ishte kujdesur që në ekip të kthehet pak qetësia dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Miescher e kishte lutur për këtë. Duket se roli i babait që Behrami kishte në raport me lojtarët tjerë, sidomos ata me origjinë nga Ballkani, nuk i pëlqente demagogëve të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Behrami tha se pasi u bë e qartë se nuk do të luajë më për Zvicrën, i kishte telefonuar menjëherë Granit Xhakës për t’i thënë se tani ai në bazë të përvojës dhe mësimeve që ka marrë nga Behrami mund të jetë lider i ekipit.