Pa rrymë…

...kjo mynxyrë e paharrueshme e Kosovës, ndërsa të tjerët flasin për vetura elektrike dhe budallallëqe fantastike.

KEK-u? Është prodhuesi i territ. Për pak më shumë se 20 milionë euro tërë rrjeti i shpërndarjes së energjisë në Kosovë iu shit disa tyxharëve turq. Natën e mirë dhe ngushëllime!



Nga viti e ardhshëm Volvo, gjiganti suedez i veturave, nuk do të investojë më në zhvillimin e motorëve djegës. Në të vërtetë Volvo nuk është më suedeze, e ka blerë një miliarder nga Kina dhe në Kinë veturat Volvo po shiten si kiflet e nxehta në mëngjes.

Ndërkohë në një ditë marsi si kjo, qytetarët e Kosovës dhe veçanërisht ata të Prishtinës ankohen se nuk kanë rrymë me orë të tëra.

Volvo është një markë tradicionale veturash – e njohur për siguri dhe soliditet. Vitin e kaluar ka shitur gati 580 mijë vetura, fitimi: 1,4 miliardë euro. Dikur thuhej se Volvon e blejnë mësuesit e gjeografisë, profesorët e historisë dhe redaktorët e gazetave. Sot Volvo falë ideve kreative konsiderohet si markë kulti. Dhe krejt kjo u bë e mundshme pasi firmën suedeze e bleu kinezi Li Shufu, për të cilin nuk dihet shumë përveç se dëshiron t’i bind kinezët (dhe jo vetëm ata) të blejnë vetura ekologjike. Li para disa vitesh kishte thënë se po u arrit që të prodhohen vetura të cilat mund t’i paguajë familja kineze e shtresës së mesme, atëherë «mund të shesim vetura si shalqinj».

Ndërkohë në një ditë marsi si kjo, qytetarët e Kosovës dhe veçanërisht ata të Prishtinës helmojnë mushkëritë me tym e pluhur të termocentraleve të Obiliqit, të cilat prapë e lënë vendin në terr.

Llogaritet se industrialisti kinez Li ka një pasuri prej 17 miliardë dollarë. Atij i takon edhe London Taxi Company, e cila pa kinezin do të falimentonte. 160 milionë kinezë kanë një veturë, 300 milionë kanë patentë shoferi – një treg gjigant për vetura, sidomos për Volvo elektrike.

Kush ka folur ndër viset tona ndonjëherë për vetura elektrike. Besa, më mirë të mos flitet, sepse ky vend ka halle të tjera, andaj çdokush është krenar kur arrin të importojë nga Europa ndonjë teneqe të ndryshkur mbi katër rrotë.

Javën që po e lëmë pak drejtësia gjermane vendosi t’i mbrojë edhe më mirë mushkëritë, trupin dhe jetën e gjermanëve. Gjykatësit theksuan se qytetet kanë të drejtë të ndalojnë qarkullimin e veturave me dizel nëse helmi që hedhin në natyrë tejkalon normat e Bashkimit Europian. Politikanët gjermanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mbrojtës të industrisë së automobilave. Fundja, gjermani dhe automobili – një dashuri e përhershme. Por, për drejtësinë gjermane prioritet ka mbrojtja e qytetarëve nga helmi publik.

E kundërta bën vaki në Kosovë. Një njeri që arrin të blejë një veturë të vjetër në Gjermani do ta terrorizojë tërë lagjen në Vushtrri, Lipjan apo Kamenicë me lavdërime të stilit «dizel është, nuk harxhon fare» dhe «veç një plakë…». Blla, blla, blla.

Gjatë javës u bë e ditur se miliarderi Li Shufu – me ndihmën e bankave amerikane – ka blerë gati 10 për qind të aksioneve të Daimler. Daimler? Po, është prodhuesi i Mercedecit.

KEK-u? Është prodhuesi i territ. Për pak më shumë se 20 milionë euro tërë rrjeti i shpërndarjes së energjisë në Kosovë iu shit disa tyxharëve turq. Natën e mirë dhe ngushëllime!
E.R.