Pa njerëz profesionistë nëpër borde, Kosova rrezikohet nga korrupsioni

Instituti për Politika Zhvillimore dhe Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri organizuan tryezën me titull «Funksionalizimi i punës së agjencive të pavarura».




Tryeza kishte në fokus funksionimin e agjencive të pavarura, mbikëqyrjen parlamentare dhe performancën e tridhjetë e shtatë agjencive të pavarura sa ka Kosova, transmeton Koha.net.

Në hapje të tryezës, shkëlqesia e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë z. Ruairi O’Connell vuri theksin tek mënyra e zgjedhjes së anëtarëve në bordet e agjencive të pavarura duke tërhequr paralele me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike. «Ne kemi gjetur që tek një numër i të emëruarve në bordet e ndërmarrjeve publike kemi pasur të emëruar politikë gjë që bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Pa njerëz profesionist nëpër borde, Kosova rrezikohet nga korrupsioni». Z. O’Connell përshëndeti progresin e bërë deri më tani, duke veçuar standardizimin e formës së raportimit të agjencive të pavarura, proces ky i iniciuar dhe mbështetur nga INDEP-i dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Nga ana tjetër, z. Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri theksoi që tema e punimit e shpjegon edhe qëllimin kryesor për të cilin duhet të angazhohemi, pra që të kemi një balancim në mes të pavarësisë institucionale të këtyre agjencive dhe mbikëqyrjes parlamentare. «Pavarësia dhe llogaridhënia duhet të balancohen sepse pa llogaridhënie, pavarësia e këtyre agjencive është vetëm papërgjegjësi», theksoi z. Mustafa. Më tutje në fjalën e tij, z. Muhamet Mustafa theksoi që problemi themelor në cenimin e pavarësisë së agjencive të pavarura është partizimi i bordeve të këtyre agjencive.

Gjatë tryezës u prezantua edhe punimi «Balancimi mes pavarësisë dhe llogaridhënies: praktikat ekzistuese dhe rekomandime për mbikëqyrjen parlamentare të agjencive të pavarura». Ky punim shtjellon konceptin e mbikëqyrjes parlamentare, praktikat e deritanishme dhe hapat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj agjencive të pavarura. Në prezantimin e punimit z. Blerim Vela, autor i punimit, theksoi që Kuvendi gëzon disa mekanizma për të ushtruar funksionin e vet mbikëqyrës por i mungojnë kapacitetet e nevojshme për ta bërë këtë. «Kuvendi ka kapacitete të limituara për të kryer më me sukses rolin e vet mbikëqyrës. Një zyrtar i vetëm ndërlidhës me tridhjetë e shtatë agjenci të pavarura në kompetencë është e pamjaftueshme për të pasur mbikëqyrje dhe komunikim të nevojshëm me agjencitë e pavarura» – tha z. Vela.

Punimi ka listuar një sërë rekomandimesh që ndërlidhen me rritjen e dialogut në mes të agjencive të pavarura përmes një tryeze të përbashkët, krijimin e një komisioni ad-hoc parlamentar për rishikimin funksional dhe të llogaridhënies së agjencive të pavarura, plotësimet në kornizën ligjore dhe ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike. Deputetët pjesëmarrës dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura pjesëmarrëse mirëpritën këto rekomandime dhe u dakorduan të punojnë më tutje në adresimin e tyre.

Tryeza u organizua ne kuadër të programit për qeverisje demokratike të Institutit për Politika Zhvillimore, (INDEP) dhe është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.